EKSLKLUZIVE/ “Vetëm Klop e di si shmanget euforia”, Batha: Dëshiroj të luaj jashtë, ja si Tirana shkon te titulli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2020 | 12:07

EKSLKLUZIVE/ “Vetëm Klop e di si shmanget euforia”, Batha: Dëshiroj të luaj jashtë, ja si Tirana shkon te titulli

Tirana kërkon që të përsërisë fundin e vitit 2019 edhe në nisjen e pjesës së dytë të sezonit. 3 fitoret e fundit radhazi qetësuan skuadrën, risollën besimin te lojtarët, por rritën pak edhe euforinë para festave të fundvitit, gjë e cila vë jo pak në rrezik objektivat sezonalë dhe vijueshmërinë e ecurisë pozitive. Për këtë, në një intervistë për “Panorama Sport”, Idriz Batha tregon edhe mentalitetin se si duhet të futet Tirana për pjesën e mbetur të sezonit, objektivat e skuadrës dhe të tijat personalë dhe përgjigjet edhe për nënvlerësimin që i është bërë së fundmi Tiranës nga drejtuesit e skuadrave rivale.batha

“Mbase Klop e ka gjetur ‘ilaçin’ për euforinë”, shprehet ndër të tjera mesfushori 27-vjeçar i Tiranës, duke përmendur ecurinë rekord të të kuqve në Premier Ligën angleze.

Si shkoi faza përgatitore në Turqi?

Faza përgatitore shkoi goxha mirë. Vetë kushtet ta japin këtë mundësi sepse stërvitesh në kushte të mira dhe ritëm të mirë.

Si ju gjen ju personalisht faza e dytë e sezonit?

Unë jam po njësoj dhe do të jem në shërbim të ekipit në çdo moment.

Me sa keni parë në ekip gjatë pjesës së parë të sezonit, për çfarë rolesh mendoni se ka nevojë skuadra?

Unë mendoj se çdo skuadër në Shqipëri, në çdo moment, ka nevojë për ndërhyrje. Edhe për ne, them se çdo element cilësor në çdo repart është i nevojshëm, por them edhe që mund ta përballojmë pjesën e mbetur të kampionatit edhe kaq lojtarë sa kemi.

Viti 2019 u mbyll në mënyrë ideale me 3 fitore radhazi, mes të cilave derbi dhe transferta në Laç. Si mund ta ruajë Tirana këtë ecuri edhe në start të 2020-ës?

Tirana mund ta ruajë këtë ecuri me kokën poshtë dhe duke qëndruar me këmbë në tokë. Duhet të vazhdojmë të japim maksimumin dhe çdo ndeshje ta shikojmë si një finale. Kjo është e vetmja mënyrë.batha

Euforia i ka bërë shpesh dëm ekipit. A e keni gjetur “ilaçin” si mund ta shmangni?

Ilaçi i euforisë nuk është gjendur kurrë. Vetëm Jyrgen Klop mund ta ketë gjetur (qesh…). Megjithatë, unë mendoj se kjo barrë bie mbi lojtarët që kanë më shumë eksperiencë.

Ju jeni një prej tyre. Sa mendoni se do të ndikojë shpërblimi i vënë nga presidenti për titullin kampion në motivimin e lojtarëve?

Unë them që të mos mendojmë as titullin dhe as shpërblimin. Për momentin jemi në gjysmën e rrugës dhe tani nis pjesa më e vështirë e kampionatit. Duhet të mendojmë çdo ditë për ndeshjen pasardhëse. Të futemi me mentalitetin e duhur dhe për rezultat pozitiv që ndaj Bylisit. Më tej, se çfarë ndodh, me vullnetin e Zotit, shpresojmë që gjërat të jenë në favorin tonë.idriz batha

Gjici nuk e ka përmendur Tiranën si pretendente, por vetëm Partizanin. Si ju bën të ndiheni ky nënvlerësim?

Personalisht mendoj se nuk na nënvlerëson njeri, as si fanellë dhe as si emra lojtarësh për organikën që ne kemi aktualisht.

A keni një përgjigje?

Jo, nuk kam asgjë për të thënë për këtë rast. Gjithsecili ka mendimin e tij. Madje, se çfarë flitet në media, nuk më takon mua që të komentoj.

Kërçiku iku nga Tirana te Partizani. A keni biseduar me të për këtë lëvizje? 

Para se të shkonte, nuk kishim kohë që të flisnim sepse të gjithë e dimë tashmë se sa shpejt ndodhi ajo zgjedhje. Për më tepër, që ne ikëm në Turqi për fazën përgatitore. Pasi firmosi, sigurisht që folëm pasi ne jemi miq prej shumë vitesh.

Çfarë i keni këshilluar për çfarë e pret në kampin e kuq? 

Folëm shumë pak për këtë sepse Kërçiku është djalë i rritur në kryeqytet dhe e njeh shumë mirë Partizanin. I thashë vetëm që Sormani është trajner që lojtarët me tipin e lojës së Kërçikut i vlerëson shumë. Vetëm kaq.

Tirana feston këtë vit 100- vjetorin e themelimit. A e keni diskutuar ju lojtarët mes jush se çfarë dhurate mund t’i bëni klubit? 

Jo, nuk kemi kësi diskutimesh me njëri-tjetrin. Sigurisht që të gjithëve do të na pëlqente që të shkonin gjërat ashtu si duam ne për këtë 100- vjetor. Do të ishte vërtet diçka e bukur. Le të shpresojmë që do të jetë kështu.

Batha, përtej diplomacisë apo edhe urdhrit të klubit për ta shmangur fjalën titull në media, a e ka Tirana objektiv titullin e 25-të për 100-vjetor?

Çdo ekip e ka objektiv kampionatin se në një garë të gjithë luajnë për vendin e parë. Jo më Tirana që është klubi më i titulluar në vend.

A keni një objektiv personal?

Objektiv personal, të them të drejtën, nuk është se kam ndonjë gjë specifike. Por, kam shumë dëshirë dhe uri për të luajtur futboll. Madje, pse jo, edhe jashtë vendit. Kjo është ajo çka ndiej për momentin.

OLSI TUJANI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"