EKSKLUZIVE/ E kërkoi Partizani e Skënderbeu, Cyrbja: Ja pse zgjodha Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2018 | 19:39

EKSKLUZIVE/ E kërkoi Partizani e Skënderbeu, Cyrbja: Ja pse zgjodha Kukësin

Mesfushori Arbër Çyrbja ka mbyllur aventurën me Teutën për të hedhur një hap të ri në karrierën e tij si profesionit. 24-vjeçari që zhvilloi një sezon të shkëlqyer me bregdetarët në Kategorinë Superiore, duke e marrë ekipin për dore në realizimin e objektivit mbijetesë, tani do të luajë me Kukësin, që e bleu për 100 mijë euro. Aventura e tij fillon me pjesëmarrjen në Champions dhe detyra e Çyrbjes është të ndihmojë Kukësin të kualifikohet në turin tjetër.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, para se të udhëtonte drejt Sllovenisë, aty ku Kukësi është grumbulluar, mesfushori i thotë të gjitha, nga firma me nënkampionët te pjesëmarrja në Champions dhe ëndrra e tij më e madhe. Ai e pranon se i mungon një trofe me Teutën, por hedh edhe kandidaturën për Kombëtaren në të ardhmen.

cyrbja

Arbër, në fillim firmosët rinovimin me Teutën dhe tani kaluat te Kukësi. E prisnit një transferim të tillë?

Realisht prisja një transferim jashtë Shqipërisë, por pas një bisede që pata me presidentin Edmond Hasanbelliu, ramë dakord që unë të kaloja te Kukësi. Në këtë mënyrë është më e thjeshtë për të kaluar në një klub në Europë.

Çfarë do të thotë për ju ky transferim?

Kjo lëvizje është shumë e rëndësishme për karrierën time, pasi jam 24 vjeç dhe kam eksperiencën e duhur. Gjithmonë kërkoj më të mirën nga vetja dhe asnjëherë nuk jam kënaqur me pak. Tani do të luaj në Champions, më pas do të shohim…

cyrbja

A ishte ky momenti i duhur për t’u larguar nga Teuta?

Nuk mund të them nëse ishte momenti i duhur. Këtë gjë e vendosi presidenti i Teutës dhe unë dua ta falënderoj, pasi ka qenë një mbështetje e madhe për mua. Gjatë gjithë këtyre viteve jam munduar të jap më të mirën time për këtë fanellë dhe ndihem mirë për atë që kam bërë. Dua të falënderoj të gjithë trajnerët që kanë punuar me mua, si dhe tifozët që më kanë mbështetur gjithmonë. Është klubi im i fëmijërisë dhe do të mbetet në zemrën time.

Keni ndonjë peng gjatë këtyre viteve që keni luajtur te Teuta?

Kam dashur shumë të fitoj një trofe të rëndësishëm, kemi qenë afër, por nuk e kemi realizuar. Gjithsesi, them se pjesëmarrja në turet e Europa Ligës mund të konsiderohet arritje për këtë klub dhe jam i lumtur për këtë gjë. Tani shpresoj të fitoj trofe me Kukësin.

Ju besoni se përmes Kukësit do të transferoheni jashtë vendit?

Sigurisht. Kjo është edhe arsyeja përse pranova të nënshkruaj me këtë klub, që në vitet e fundit ka performuar gjithmonë në nivele të larta.

Keni pasur oferta të tjera të rëndësishme nga klube të tjera?

Ka pasur interes nga Partizani dhe Skënderbeu sa u përket ekipeve nga brenda vendit, ndërsa jashtë kam pasur kontakte nga vendet e lindjes dhe jo vetëm.

Para se të nënshkruanit kontratën keni zhvilluar ndonjë bisedë me trajnerin Pakult ose stafin e tij?

Kam biseduar me drejtorin sportiv, Nderim Nexhipi, dhe ai më ka bindur për të pranuar ofertën e Kukësit.

Cila është ëndrra juaj?

Për çdo futbollist arritja më e madhe në karrierë është të marrë një ftesë nga Kombëtarja dhe unë shpresoj shumë që një ditë të luaj për kombin tim. Detyra ime është të jap maksimumin në fushë, më pas të presim.

E ëndërroni që tani një ftesë nga Kombëtarja?

Të jem i sinqertë, jo. Më vonë do të shohim dhe jam optimist, por për momentin duhet të fokusohem në fushë për të dhënë më të mirën me Kukësin, klubin tim të ri.

Kukësi po vijon me përgatitjet për pjesëmarrjen në Champions, ndërsa ka mësuar edhe emrin e kundërshtarit. Çfarë do të thotë për ju të luani në këtë kompeticion?

Është hera e parë për mua që do të marr pjesë në Ligën e Kampioneve. Për futbollistët që luajnë në Shqipëri, kjo është një mundësi që nuk të vjen shpesh në jetë dhe duhet ta shfrytëzosh sa më mirë. Objektivi ynë është pa dyshim të kalojmë kundërshtarin e parë dhe besoj shumë se do të kalojmë më tej. Kukësi ka një ekip të kompletuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"