EKSKLUZIVE/ “Zhduket” Pedro, rrëfehet trajneri i Egnatias: Nuk i frikësohemi askujt, armik kemi… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2022 | 14:47

EKSKLUZIVE/ “Zhduket” Pedro, rrëfehet trajneri i Egnatias: Nuk i frikësohemi askujt, armik kemi… (E PLOTË)

Nga 11 korrik e deri më sot që do të lu ajnë miqësoren përballë Dinamos në Pogradec, Egnatia ka qenë mike e “vijës liqenore” Ohër–Pogradec. Një aks ku ka luajtur edhe pesë miqësore me bilancin 2 fitore, 2 barazime, 1 humbje. Për trajnerin e ri durrsak, Edlir Tetova, situata në skuadrën që drejton duket më optimiste se kurrë. Edhe pse ai tregon se ka në këto momente ka vetëm një “armik”.

EDLIR TETOVA 2

Kohën paksa të limituar për të përshtatur idetë në lidhje me harmonizimin e grupit aktual që është rinovuar tërësisht. Më këtë grup lojtarësh cilësorë në organikën e saj, trajneri e konsideron Egnatian, “të barabartë, mes të barabartëve” dhe nuk do ta ndiejë në kampionatin e ri që është në prag asnjëlloj kompleksi inferioriteti kundrejt çdo kundërshtari sado me emër e traditë që të jetë.

Ndaj kësaj Egnatie me një grup lojtarësh cilësorë, përcaktuese do të jetë vetë dinamika e rrjedhës së sezonit të ri për të marrë skuadra atë “koncentrim” të domosdoshëm, që të reflektohet edhe më mirë gjithçka nga puna e bërë në Ohër, por edhe në periudhat e tjera në vazhdim.

Ja prononcimi ekskluziv për “Panorama Sport” i trajnerit Edlir Tetova përcjellë mesditën e djeshme…

Tetova, thuajse një muaj fazë përgatitore në Ohër dhe sot mbyllet ky cikël. Çfarë ka ndodhur në të vërtetë përgjatë kësaj periudhe të parë?

Jemi një skuadër thuajse e riformatuar plotësisht. Pjesa dërmuese e kontingjentit janë të ardhur rishtaz, por më vjen mirë që u përkasin shkollave e përvojave që kanë sjellë një klimë të shëndetshme pune, serioziteti e përkushtimi sportiv që meriton të vlerësohet paraprakisht. Kjo situatë aktuale më bën mua dhe gjithë pjesëtarët e tjerë të stafit dhe tërë kontingjentin e futbollistëve, ta përjetojmë startin sa me emocion, po aq edhe me optimizëm. Edhe pse në fakt kjo Egnatia ka tanimë vetëm një “armik”.

Cilin konkretisht, a mund të na e thoni…?

Fjala është për kohën. Na duket e vogël kjo kohë punë e deritanishme, sepse kampionati thuajse mbërriti dhe ne duke qenë se jemi një skuadër ende në kufijtë e harmonizimit, vërtetë na duhej më shumë kohë për stërvitje diçka më të gjatë. Megjithatë, nga sa konstatoj nga angazhimi e profesionalizmi i treguar në stërvitje dhe në ndeshjet miqësore, gjykoj me objektivitet e pa përdorur asnjë lloj subjektivizmi, se kjo Egnatia do të jetë “e barabartë mes të barabartësh” me të gjitha ekipet e tjera.

Si ju duket projekti i drejtuesve të klubit për kushtet e ndërtimit e funksionimit të skuadrës?

Më pëlqen kjo rritje që po kryhet përditë e më tepër dhe hapat e kontrolluar mirë që po hedhim. Në skuadër fryma e kolektivitetit funksionon në bllok, sepse gjithkush është i ndërgjegjshëm për objektivat si skuadër, po dhe ato individualë që duhet të arrijë. Në aspektin e kontributeve e kam fjalën. Për çdo pozicion, ne kemi 25 lojtarë me përvoja e shkolla të ndryshme të luajturi. Pavarësisht kësaj, kemi arritur të krijojmë jo thjeshtë ide, por po punojmë të konsolidojmë edhe sfidën tjetër më ata, “dublantët”, lojtarët e quajtur ndryshe alternativë, për rolin e tyre në fushë.

Cilat janë “meremetimet” e fundit që keni në kokë. Nga merkato pritet ndonjë lëvizje e fundit apo dhe ndonjë rikthim?

Shpejt do të rikthehet Majkëll Agbegpornu, një mesfushor që para mbrojtjes na jep edhe më tepër siguri. Mesfusha e sulmi po marrin atë dimension që janë një bazament i mirë për vazhdimësinë. Çështja e sulmuesit Pedro Kabral, që ka shënuar sezonin e shkuar 10 gola, por që unë nuk e kam pasur në skuadër tërë këto ditë nuk më përket mua, edhe pse di që ai lojtar vijon të ketë një kontratë me Egnatian. Me apo pa Pedron, kjo Egnatia do të jetë një skuadër potenciale e cila nuk do t’i frikësohet askujt.

Me miqësoren e fundit sot ndaj Dinamos në Pogradec mbyllet dhe pjesa themelore e stërvitjeve të kësaj vere…

Po është e vërtetë. Por ne në ditët e mbetura deri te starti i kampionatit vëmendja absolute do të ketë harmonizimin i plotë i manovrës tekniko–taktike sikurse dhe disa komponentë që lidhen edhe me përgatitjen psikologjike. “Motori” i këmbëve të çdo lojtari ka sipas meje dhe një “motor” tjetër që është… mendja

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"