EKSKLUZIVE/ Zgjidhet problemi i vizës, Rexhinaldo nis stërvitjen me Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2022 | 14:35

EKSKLUZIVE/ Zgjidhet problemi i vizës, Rexhinaldo nis stërvitjen me Dinamon

Më në fund ka mbërritur në Tiranë sulmuesi Artur Rexhinaldo Faife, i cili dje ka nisur stërvitjen me skuadrën e tij të re, Dinamon.

Rexhinaldo

“Panorama Sport” zbulon se kontrata e tij me blutë është për një vit e gjysmë.

Me sulmuesin ishte arritur akordi ditë më parë, por u vonua për shkak të procedurës së pajisjes më vizë, që zakonisht për ata që vijnë nga vendet afrikane zgjat më shumë.

Të shtunën sulmuesi erdhi në Shqipëri dhe një ditë më pas zhvilloi seancën e parë stërvitore me kryeqytetasit.

Trajneri Bledi Shkëmbi dhe stafi i tij do të shohin gjendjen e 31-vjeçarit deri në ndeshjen e radhës me Kukësin, por gjasat janë që ai të mos e nisë si titullar.

Rexhinaldo është një lojtar i njohur për futbollin shqiptar, pasi më parë ka veshur fanellat e Luftëtarit, Kukësit dhe Laçit.

Në Shqipëri rikthehet pas eksperiencave në Maqedoninë e Veriut dhe Kazakistan.

Blutë shpresojnë shumë që me përvojën e tij sulmuesi afrikan të garantojë golat që i kanë munguar skuadrës deri në këtë pjesë të sezonit. Ndërkohë, një tjetër lajm i mirë për trajnerin Shkëmbi është se braziliani Denison Silva, nuk ka më asnjë pengesë dokumentacioni për të luajtur me Dinamon.

Ai ka marrë tashmë edhe OK-in nga FIFA për t’u federuar me blutë dhe është gati për lojën që në ndeshjen e së mërkurës me Kukësin.

Mesfushori me tipare sulmuese vjen nga kampionati kosovar, ku ka luajtur me Drenicën. Fillimisht pati probleme sa i takon dokumentacionit, por tani gjithçka është zgjidhur.

Lojtari i fundit që do të bashkohet me blutë është mbrojtësi kamerunas, Olivier Kingue. Edhe me këtë të fundit akordi është arritur prej kohësh, por vonesat për mbërritjen e tij janë për shkaqe proceduriale me dokumentacionin.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"