EKSKLUZIVE/ Ze Maria tregon “plagën”: Më dhemb, nuk u dalim dot para tifozëve. Ja pse Tirana është në krizë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2018 | 14:57

EKSKLUZIVE/ Ze Maria tregon “plagën”: Më dhemb, nuk u dalim dot para tifozëve. Ja pse Tirana është në krizë

Të jesh trajner i Tiranës, është punë dreqi! Duhet të fito sh minimalisht titullin dhe maksimalisht titullin, sepse je në skuadrën me ADN fitueseje. E kundërta sot është e vërtetë. Fatkeqësisht, Hoze Marselo Ferreira dhe Tirana janë në një gjendje alarmante. Vetëm tetë pikë me një ekip që nuk fiton dot dy ndeshje rresht. Si dhe një trajner që ndonëse ka premtuar shumë, sheh ekipin e tij të bjerë në greminë.

ze maria

Situata rëndohet më shumë kur ti që e drejton je “Ze Maria”. Lojtari i Brazilit, Interit, Parmës, Peruxhias dhe gjithë skuadrave të kampionatit brazilian. Ai që ke fituar tituj e trofe me shumicë. Siç duket e kaluara nuk vlen. Braziliani i Tiranës prej javës së parë të kampionatit është në dyshim, nën “kaligulën” gati për ta “ekzekutuar”. Vetëm një copë letër e mban në punë. Pas një të diele të çmendur ku braziliani doli jashtë kontrollit, Ze Maria dje dukej i qetë.

Plot me energji dhe dëshirë. Ka vënë bast me veten që e përmbys situatën, për t’u dhuruar tifozëve bardheblu vetëm gëzime dhe sigurisht për prestigj. Gjithsesi, fjalët te Tirana kanë mbaruar. Duhen vepra, të cilat fatkeqësisht janë në kuadrin e premtimeve, pasi në fushë idetë braziliane të Ze Marias akoma nuk po duken… dhe për ato dhe rezultatet, nga vetë braziliani deri te tifozët akoma duhet të presin.

Mister, si ndiheni pas tri ditësh nga humbja me Laçin?

Situata ime është e vështirë. Rezultatet negative nuk i pëlqejnë askujt. Por, më shumë ndihem keq për mënyrën sesi vijnë këto rezultate negative. E përsëris, humbja të dhemb. Ndihem keq, i trishtuar, i dëshpëruar, sepse kur ti krijon dhe nuk shënon, kjo është akoma më keq dhe pastaj çmendesh fare.

Duhet ta pranojmë të gjithë se pas Laçit ishit shumë nervoz?

Po, isha shumë “i çmendur”. Siç edhe e thashë në bashkëbisedim, nuk e pranoj dot që të dorëzojmë ndeshje në atë mënyrë që bëmë me Laçin. Është e pamundur për ne. Kur ke mundësi të fitosh dhe kupton që kundërshtari kishte frikë të luante dhe ti nuk bën asgjë, qëndron si shtyllë në fushën e lojës, kjo të çmend më shumë. Ua thashë edhe djemve, që nuk mund të humbasim një ndeshjen sepse jemi skuadra, e cila ka raste pa fund për gol. Për kualitetin që kemi, duhet të bëjmë më shumë se çfarë bëmë me Laçin.

Tirana nuk fiton dot brenda, në fushën e vet, si mund të dalë nga kriza në këtë moment, kur duhet të luajë tri ndeshje rresht jashtë fushe?

E di që bëj humor me këtë fakt. Luajmë më mirë jashtë “Selman Stërmasit”. Nuk e di përse, por në fushën tonë dhe në ato takime që kemi luajtur nuk kemi treguar asgjë. Kemi luajtur shumë mirë me Skënderbeun dhe fituam me Kastriotin jashtë. Ndeshjet e tjera nuk i kemi luajtur pothuajse fare. Shpresoj që të jetë avantazhi ynë, por jo të bëhet rregull, sepse do të na duhet që të luajmë gjysmën e ndeshjeve në fushën tonë. Të gjithë ne duhet të kuptojmë presionin që kemi kur veshim këtë fanellë dhe luajmë në këtë stadium (bën me dorë nga stadiumi, sepse jemi te sheshi “Wilson”). Duhet të komandojmë ndaj çdokujt, cilido qoftë kundërshtari. Duhet të zbresim në fushën e lojës dhe të mbyllim ndeshjet. Nëse kemi një rast për gol, ta shënojmë, ta ruajmë dhe ta fitojmë takimin.

Problemi i Tiranës është kaq i thjeshtë, pra, nuk shënon dot apo ka edhe probleme të tjera më të komplikuara?

Jemi një nga skuadrat që ka shënuar më shumë, por edhe pësojmë shumë gola. Kemi probleme si para dhe pas. Çudia jonë është që krijojmë raste pa fund dhe nuk shënojmë. Kundërshtarët një herë kalojnë te zona jonë dhe shënojnë. Kjo ndodhi me Partizanin, Kamzën, Kastriotin, Laçin. Ky është problem i madh. Duhet të korrigjojmë gabimet. Është çështje stërvitjeje që e ne e bëjmë çdo herë.

Jeni i sigurt se keni lojtarët që duhet të ketë dhe kishte Tirana. Jeni i sigurt që këta djem mund ta bëjnë ndryshimin?

Ky është një argument, i cili i ka rrënjët që nga fillimi i sezonit. Kam këta lojtarë për të stërvitur deri kur të jem te Tirana, janar qershor, ose kur të më shkarkojnë. Nuk e di, secili ka kualitetet e tij, por detyra ime është t’u marr më të mirën e mundësive të tyre. Do t’i shohim në fund nëse ishin lojtarët e duhur për Tiranën dhe kampionatin.

Nëse nuk vijnë rezultatet, siç po ndodh tani…

Është normale që të ndërhyhet në merkaton e janarit për të marrë lojtarë të tjerë, duke korrigjuar gabimet e verës. Deri në janar do të luhen edhe shumë ndeshje dhe nëse këta djem nuk prodhojnë rezultatin që tifozët e shoqëria dëshiron, do të bëjmë ndryshime

Meqë prekët tifozët. Është e vështirë edhe për ta…

Kjo është plaga që më dhemb. Po i zhgënjejmë tifozët, të cilët janë fantastikë. Nuk u dalim dot para syve, sepse me zemër po e them janë tifozëria e vetme që mbush stadiumin. Edhe skuadrat që janë në krye nuk kanë tifozë, ndërsa përkrahësit tanë, edhe pse jemi katranosur keq, janë aty dhe na përkrahin. Kjo është më e rëndë dhe ne nuk u dhurojmë dot rezultate pozitive.

Po si do të dilni nga kriza. Është çështje teknike, karakteri, psikologjike, prapaskenash…?

Është një situatë e përgjithshme. I ka të gjitha brenda, sepse nëse nuk fiton dhe bind në tetë ndeshje, më pas është e vështirë të ngresh kokën. Duhet të fitojmë tri ndeshje rresht, duke luajtur mirë. Vetëm kështu ia dalim. Kjo u jep besim lojtarëve. Kemi fituar me shumë vështirësi ndaj Kastriotit e Luftëtarit dhe kjo është e kundërta e asaj që mendoj unë për futbollin. Fitore me lojë të bukur. Këtë vit nuk ka ndodhur. Zgjidhja tjetër është të vazhdojmë të punojmë. Ky është shtegu ynë i rrugëdaljes dhe venitjes së kësaj situate skandaloze.

Keni gabuar me merkaton e qershorit?

E kam thënë që kanë ardhur lojtarë me kualitet. Dikush ka bërë mirë, tjetri më pak. Përgjegjësit e merkatos besuan dhe besojnë se janë më të mirët për këtë skuadër. Të flasësh për gabimet në merkato, është e thjeshtë. Duhet të ndryshojmë situatën. Nuk mund të ankohemi apo qajmë për atë që ka ndodhur tashmë.

Mister, shumë analistë, por edhe gazetarë, ju kritikojnë se kishit 14 muaj për të ribërë një skuadër kompetitive nga e para. Nuk ndodhi dhe Tirana është te pika e nisjes së para dy sezoneve. Mbetet në pjesën e ulët të renditjes…

Unë nuk e kam këtë fuqinë e madhe për të bërë merkaton e lojtarëve, për fat të keq. Zotërinjve që bënë merkaton këtë sezon u dhashë indice çfarë lojtarësh doja. Për të qenë më të qartë, merkaton e bënë të tjerët dhe jo unë. Pastaj 12 muaj u mora me kthimin e skuadrës në Superiore, sepse kjo ishte detyra ime. E arrita atë objektiv, më pas dhashë indicet. Ata që bënë merkaton sollën lojtarët që ata menduan të duhurit dhe brenda mundësive tona ekonomike në atë moment.

Ishit i kënaqur me këta lojtarë që ju sollën apo donit të tjerë?

Marr një shembull, keni kërkuar një sulmues që nuk erdhi kurrë… Është e vërtetë! Më sollën një sulmues krahu. Sulmues qendror nuk kam. Vetëm Majkëllin (Ngonë) kam në atë pozicion. Sajohem me Blazhevskin që nuk e ka bërë pothuajse asnjëherë atë pozicion. Sulmi është një pikë e rëndësishme e ekipit, sepse kur krijon raste dhe nuk shënon, atëherë ke dështuar. Nuk kam një si Suarezi që prek një top dhe shënon…. Këtë lloj lojtari nuk e kam dhe nuk duhet të gënjejmë veten. Kam numra 10 apo sulmues krahu apo të dytë, por që nuk zgjidhin punë. Shkurt diçka mungon nga merkatoja.

Lojtarët jua kanë shprehur hapur edhe juve, që secili është i duhuri për të luajtur si titullar?

Javën e shkuar dëgjova një intervistë të Gatuzos, i cili ka qenë vetë futbollist. Gatuzo thoshte: “Trajnerit i kam thënë gjithmonë gënjeshtra për të luajtur, edhe pse isha i dëmtuar. Gjithsesi, thosha budallallëqe me okë vetëm se doja të luaja”. Ma kanë thënë edhe djemtë. Te Tirana të gjithë kanë pasur mundësinë të luajnë, nga i pari tek i fundit. Nëse luan ai dhe tjetri jo, ka një arsye. Dhe ai që luan nuk është më i bukuri, më simpatiku apo ka dëshirë trajneri ta fusë. Thjesht kur ka luajtur, ka bërë mirë ose keq.

Djemtë të luajnë dhe ta tregojnë që bëjnë mirë në fushë dhe nuk duhet të flasim pas krahëve. Të bën keq ty si trajner dhe grupit. Ky defekt i njerëzve përmblidhet në një pyetje që secili duhet t’i bëjë vetes: “Kur kam luajtur, bëra mirë apo keq?”. Çdo lojtar te Tirana duhet të jetë i ndershëm me vetveten. Ta pranojë që ka luajtur keq dhe t’i hapë rrugën tjetrit. Çdo njeri të kapë shansin që ka dhe me radhë. Ky është shpirti i grupit dhe mënyra për të ecur përpara.

Dhjetë ndeshje dhe shumë ndryshime lojtarësh e moduli. Këto ndryshime kanë ardhur në mënyrë logjike apo jeni ndier në presion nga klubi, tifozët dhe rezultatet që nuk po vijnë?

Ndeshjet e para unë duhet të njihja lojtarët e rinj. Nuk njihja asnjë futbollist. Duhet të shihja karakteristikat që kishin si në miqësore dhe në lojërat zyrtare. Në gjashtë ndeshjet e para luajtën të gjithë. Në tre-katër takimet e fundit luajtën të njëjtët djem. Një ide se cili do të luajë tani e kam, por në fillim ishte normale që të kuptoja futbollistët që më sollën.

Ju thatë që nuk i njihni lojtarët.  Përse nuk bëtë shumë miqësore? Klubi thotë se Ze Maria kërkoi katër miqësore dhe nuk është faji ynë…

Është e vërtetë kjo që thoni, por e ka një shpjegim. Klubi në 15 ditët e para të stërvitjes më solli vetëm 11 lojtarë, katër nga të cilët nga të rinj…. Si të bëja miqësore? Dalëngadalë erdhën edhe lojtarët, madje ndonjëri pak orë para Kamzës ose gjatë kampionatit. Doja të bëja miqësore që më vlenin.

Përse e pranuat këtë situatë me një skuadër që nuk ishte e plotë?

Sepse edhe unë duhet të bëja disa ditë pushim. Qëndrova deri më 5 qershor dhe lashë nisjen e stërvitjes më 4 korrik, që më pas u spostua nga klubi më datë nëntë. E pranova këtë, duke ditur që më duheshin 40 ditë për të qenë gati. Një skuadër nuk bëhet gati në 10 ditë, siç ishte Kamza që u bë në pak ditë. Gjithsesi, nuk i paragjykoj sepse është puna e tyre dhe bënë mirë. Dua të marr shembujt e mirë me skuadrat e mëdha që nisin punën 40 ditë para me 80 për qind të lojtarëve dhe jo me 40 për qind të futbollistëve. Janë detaje që nuk kuptohen nga të gjithë.

Keni thënë që pas javës së tretë të kampionatit do të keni Super-Tiranën. Jemi në javën e nëntë dhe kemi një skuadër si mos më keq…

Është shumë e vërtetë! Fituam në ndeshjen e katërt dhe barazuam në Korçë në javën e pestë, duke luajtur mirë. Më pas ramë në greminën e derbit dhe ato që ndodhën me Kastriotin e Laçin, ku nuk luajtëm mirë dhe humbëm. Ky është thelbi. Ne na mungon vazhdimësia në rezultate dhe lojë dhe ky është problem shumë i madh. Fizikisht jemi shumë mirë, edhe taktikisht bëmë të pamundurën për të ndryshuar me shumë skema, sigurisht me emrat apo ekipin që kam.

Skuadrën e ndieni afër apo tani gjithçka është thyer dhe palët janë në llogore?

Me skuadrën kam folur. Kemi sqaruar shumë çështje. U diskutua për dëshirat, pritshmëritë, karakterin, personalitetin, metodologjinë, gabimet, që unë i pari i pranova. Kjo ishte një pikë decizive për harmoninë me grupin. Të gjithë vendosëm që duhet të ecim në të njëjtin drejtim, sepse në të kundërt nuk do të isha këtu. E them hapur: mendoj se lojtarët nuk kanë gjë më mua dhe unë me lojtarët.

Çështja e kapitenit ishte pak e sikletshme për ju dhe grupin?

Është një histori e ezauruar. Është thënë gjithçka. Erando është profesionist.

E keni pasur të vështirë menaxhimin e ekipit?

Siç e thashë, është çështja që lojtarët duhet të kuptojnë se çfarë kanë bërë ata në fushë. Ndonjëri duhet të thotë publikisht që ai luan më mirë dhe le të jetë titullar, jo të ankohet te gazetarët, te presidenti apo drejtorët. E përsëris, lojtarët duhet të kuptojnë cili luan më mirë dhe çfarë ata japin dhe nuk të thuash budallallëqe para njerëzve. Dhe ky është problemi më i madh që kam në ekip.

Çfarë do të presim nga kjo Tiranë deri në dhjetor apo edhe në qershor?

Ka akoma më shumë se 80 pikë. Mund të ndodhë gjithçka. Kryesuesi nuk është 20 pikë para, e treta është vetëm gjashtë pikë. Janë dy ndeshje diferencë dhe me të gjithë do të luajmë sërish. Me punë jam i bindur se mund të dalim nga situata e vendit të shtatë. Skuadra ka ambicie të mëdha, por duhet t’i konkretizojë.

Cilat janë gabimet e Ze Marias, ose më mirë keni gabuar këtë sezon?

Kam gabuar dhe e pranoj. Nuk e kam fare problem. Çdo njeri gabon. Kam bërë zëvendësime gabim. Me Kukësin rrezikova shumë, largova tre lojtarë sepse mendova si lojtar dhe trajner së bashku. Mendova: “Dreq nuk mund të mundemi kështu. Nuk mund të pësojmë gola në atë mënyrë brenda 45 minutave. M’u kujtua që në një ndeshje pësuam 4 gola dhe trajneri zëvendësoi tre lojtarë. Ama humbëm 4- 3, por reaguam”. Janë instinkte që të vijnë, por sigurisht pata fat, sepse mund të dëmtohej portieri dhe do të luanim me 10 vetë. Këto janë gabimet që një trajner nuk duhet t’i bëjë, pasi duhet të jetë i autokontrolluar dhe mbi të gjithë.

Kurrë skuadra juaj në kampionat nuk ka përmbysur një rezultat… Një skuadër pa gjak. Ju nuk keni asnjë faj?

Është një miksim i shumë gjërave kjo gjendje që ne nuk kemi. Karakter, personalitet. Me Kukësin pësuam gol që në minutën e dytë. Të gjithë duhet të ishin të qetë dhe me dëshirë për të fituar, pasi kishte edhe 88 minuta lojë. Ne bëjmë të kundërtën, ulim kokën dhe kjo është psikologjike dhe askush nuk beson. Mançesteri e përmbysi ndeshjen. Aty është forca e një skuadre, dëshira për të kthyer ndeshjen. Kjo nis me trajnerin, por janë lojtarët në fushë që duhet të thonë se ky nuk është rezultati që dua unë. Dua të fitoj dhe jo të humbas.

Nga të gjithë pritet një dorëheqje. Keni folur me presidentin?

Këto ditë nuk kam folur, sepse ai ka disa gjëra për të bërë. Unë doja të isha larg kësaj historie për të menduar shumë gjëra. Në këtë moment na duhet ky distancim për t’u kthjelluar.

Jeni i bindur se meqë nuk largoheni vetë, mund të bëni mirë dhe mund të ktheni gjithë situatën në favorin tuaj?

Ky është një diskutim që kam bërë me presidentin. Unë besoj shumë në punën time. Punoj shumë, i vë në punë lojtarët, të cilët stërviten shumë dhe të gjithë bëjmë atë që kemi në dorë. Ose më saktë, unë kam në dorë të punoj, pastaj se çfarë do të ndodhë, do ta zbulojmë. Jam verbërisht i bindur që dalim nga kjo situatë.

Po nëse nuk dilni nga situata që thoni se besoni verbërisht? Sepse në fakt kemi parë një Tiranë që bën një hap para dhe dy pas…

E kuptoj! Është një situatë psikologjike dhe jo taktike. Duhet të heqim këtë bllokim, apo të dalim nga kjo gropë ku kemi rënë. Duhet të gjejmë një zgjidhje, sepse nuk ka rrugë tjetër. Nëse ti luan shkëlqyeshëm me Skënderbeun dhe më pas luan një ndeshje mediokre me Partizanin, është çudi e madhe, sepse nuk mund të luajmë ashtu në derbi, ose të mos e luajmë fare derbin, sepse kështu bëmë. Për më tepër që vetë derbi ishte një ndeshje mediokre, por unë flas për ekipin tim.

Ju e dini mendimin tim, por edhe të shumicës që janë afër Tiranës. Do të ishit shkarkuar me kohë, por çështja e parave e ka frenuar presidentin Halili…

Kam folur me presidentin për këtë çështje. E di që shumë njerëz rreth presidentit e mendojnë. Nuk ka qenë dhe nuk do të jetë çështje parash. Është çështje profesionistësh dhe punësh. Nëse ka njerëz që mendojnë kështu, i thashë presidentit, që gabimet e të tjerëve në fund i paguan ai. Çështja e parave është e zgjidhshme. Publikisht e them këtë gjë, madje kam folur edhe me familjen time.

Nëse unë shoh që situata është e pakthyeshme dhe lojtarët nuk e duan më trajnerin, do të jem shumë i qetë. Do të shkoj te presidenti dhe do t’i them: “President, unë nuk e ndiej që të jem më trajner”, dhe iki. Por lojtarët nuk i shoh me këtë dëshirë, që ta shtyjnë në greminë trajnerin. Kam folur hapur me ta dhe nuk e mendojnë se problemi jam unë. Madje, ata më kanë thënë që u është kërkuar nga dikush që të thonë se problemi është trajneri. Këto fjalë djemtë ia kanë kthyer mbrapsht dërguesit. Ata kanë thënë që problemi është yni dhe do ta zgjidhim me trajnerin.

Shumë të huaj, përse nuk e bëtë merkaton në Shqipëri me lojtarë vendës…

Është punë e vështirë merkatoja. Kërkova tre lojtarë nga Shqipëria. Dy kanë ikur jashtë, njëri luan këtu. Gjithsesi, më thanë që ishte e pamundur të merrje te Tirana ata lojtarë. Në këto kushte erdhën ata që erdhën. Dy djem erdhën nga Afrika, dy nga Maqedonia, erdhi Imami. Këta menduan përgjegjësit e merkatos.

Kritikoheni se ndoshta nuk e keni vlerësuar siç duhet fortësinë e Superiores?

Kurrë nuk e kam bërë një gjë të tillë. E kisha kuptuar që kur erdha fortësinë dhe diferencën e këtij kampionati me Kategorinë e Parë. Kjo nuk është e vërtetë. Kam kërkuar gjithmonë të punoj shumë, madje më fort se vitin e kaluar. Nëse punon kështu, atëherë e vlerëson më shumë këtë kampionat.

Cili nga lojtarët ju ka surprizuar më shumë dhe ju ka zhgënjyer më shumë?

Nga ata që kam pasur sezonin e shkuar dhe që e kam këtë sezon, mund të them pa pikë dyshimi që Turtulli më ka surprizuar shumë. Është më serioz dhe punon më shumë se viti i kaluar. Ka edhe të tjerë që janë rritur shumë dhe e meritojnë t’ua them emrin. Për keq, kemi surprizuar të gjithë. Nga unë i pari deri tek i fundit. Gjithë ekipi. Kemi lojtarë me kualitete dhe sasi. Zemani kur drejtonte në Romë thoshte: “Një lojtar mjafton të më japë një nga të dyja gjërat. Kualitet ose sasi (punë). T’i japë të dyja është akoma më mirë, por nëse bën njërën, e ka bërë punën e tij”. Këtë duhet të bëjnë lojtarët tanë. Nëse ke sasi jepe, nëse ke klas e kualitet tregoje dhe jepe në fushën e lojës, pra bëj diferencën. Kjo po na mungon neve në ndeshjet tona. Dhe jo se nuk e japim dot, por sepse jemi të bllokuar psikologjikisht.

Jeni i sigurt që ky është një bllokim psikologjik dhe jo një limit, pra, që kaq është niveli dhe mundësia e skuadrës?

Shpresoj shumë që të mos jetë limiti që kemi. Pra, që nuk bëjmë dot më shumë. Unë, ti, që jemi zgjedhur për te Tirana, duhet të bëjmë diferencën dhe kjo është e padiskutueshme. Nëse një lojtar e vjen nga jashtë Shqipërisë, duhet të bësh diferencën. Nëse je në Shqipëri dhe luan te Tirana, duhet të bësh diferencën. Nuk mund të mjaftohesh me minimumin e mundshëm, por të bësh gjëra të mëdha. Mendimi që po shkoj në ekipin më të mirë të Shqipërisë dhe duhet të fitojë të dielën, duhet të kthehet në qëllim. Këta djem duhet të respektojnë tifozët dhe me atë që kam parë, janë më të bukurit e Superiores. Pa u hequr meritën ekipeve të tjera, këta tifozë meritojnë më të mirën. Unë për veten time mundohem që të jem serioz, të punoj shumë, t’i jap gjithçka klubit dhe tifozëve. Lojtarët duhet të tregojnë të njëjtën seriozitet. Të jenë sinkron me mua, sepse në të kundërt nuk shkojmë askund.

E prisnit që në javën e tetë Tirana të kishte tetë pikë…

Kurrë, sepse kisha planifikuar shumë pikë në këtë moment të sezonit. Duhet të kishim 15 pikë dhe kemi vetëm tetë. Na mungojnë shtatë pikë. Jam jashtëzakonisht i pakënaqur nga vetja dhe ekipi dhe nga shumë gjëra të tjera.

Le ta themi hapur. Tirana tani e sheh titullin me dylbi?

Sot sigurisht që nuk mund të flasim për titullin. E rëndësishme është që të grumbullojmë pikë dhe të shkojmë të paktën në vendin e tretë. Duhet të rikuperojmë pikët dhe besimin në ekip. Duhet të shohim më vonë gjendjen tonë të pikëve. Nëse morali dhe besimi ekzistojnë, do të mendojmë për gjëra të tjera.

Pas asaj që ndodhi në dhomat e zhveshjes ditën e diel, çfarë do t’iu thoni sot djemve?

Lojtarët e dinë shumë mirë që trajneri është i mërzitur shumë, për të mos thënë është i papërmbajtshëm. Nuk kemi ç’të themi. Kur fitojmë nuk duhet të flasim shumë, kur humbasim nuk duhet të flasim fare, por të mbyllim gojën dhe të punojmë. Në këtë gjendje që jemi të gjithë. Duhet të heshtin, e të tregojnë veten në fushë, pa u shfajësuar. Gabime nuk pranohem më.

Po ju pyes si një banor të Tiranës. Si ndiheni në këtë qytet?

E them me bindje që jam banor i këtij qyteti. Tiranën e adhuroj. Jeton shumë mirë dhe bën gjithçka, veç trafikut dhe borive të tij, por jam mësuar. Familja ime ndihet mirë.

OLSI AVDIAJ

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"