EKSKLUZIVE/ Zbulohet pse u kris Melo me Partizanin, reagon Olsi Rama: Lojtari është nën kontratë deri më…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2020 | 17:07

EKSKLUZIVE/ Zbulohet pse u kris Melo me Partizanin, reagon Olsi Rama: Lojtari është nën kontratë deri më…

Partizani ka nisur përgatitjet për sezonin e ri me disa mungesa, pasi disa nga titullarët janë lënë të pushojnë pak më gjatë, ku mes tyre bën pjesë edhe Uilliam Kordeiro Melo. Braziliani pas mbylljes së sezonit ka udhëtuar drejt vendlindjes për të pushuar pranë familjes. Kur të gjithë prisnin që 26-vjeçari të vihej nën urdhrat e trajnerit Daja, pasi ishte në planet e klubit për sezonin e ri, Melo ka befasuar me një postim të bërë në profilin e tij në “Instagram”, ku përveç falënderimeve, lë të kuptojë se aventura e tij me Partizanin ka marrë fund duke mos qenë më pjesë e skuadrës.

kordeiro melo

 

“Mirënjohje të përjetshme për këtë etapë të rëndësishme të jetës sime. Shumë faleminderit Partizanit për besimin, tifozëve për mbështetjen e tyre dhe futbollistëve për miqësinë e tyre. Nuk do ta harroj kurrë gjithçka që kam përjetuar në këtë klub të shkëlqyeshëm”, shkruan Melo në profilin e tij në “Instagram”. Madje në foton e përzgjedhur ai ka mbivendosur me shkronja të mëdha fjalën “FALEMINDERIT”.

REAGIMI I KLUBIT

Postimi i lamtumirës së Melos i ka gjetur të papërgatitur edhe drejtuesit e klubit, pasi për ta braziliani ka edhe një vit kontratë me Partizanin. Ndaj për të kuqtë, postimi i djeshëm i Melos shikohet më shumë si një kapriço e lojtarit sesa një vendim final, pasi ai ka kontratë me “demat” edhe për sezonin 2020- 2021. Në lidhje me këtë lëvizje të mesfushorit brazilian, “Panorama Sport” kërkoi një sqarim nga klubi, se si qëndron e vërteta. Ka qenë drejtori i përgjithshëm i klubit, Olsi Rama, ai që për gazetën ka sqaruar situatën e futbollistit brazilian. Shkurtimisht drejtori Rama për gazetën u shpreh: “Melo është lojtar i Partizanit edhe për sezonin 2020-2021”.

PRAPASKENA E LARGIMIT

Prej kohësh ka pasur një betejë në distancë mes deklaratave të brazilianit në rrjetet sociale dhe qëndrimeve të klubit. Disa herë Melo kur është pyetur për të ardhmen nga ndjekësit e tij në “Instagram”, ka deklaruar se nuk e dinte nëse do të vijonte me Partizanin. Në anën tjetër, zyrtarët e klubit janë shprehur qartë, që 26-vjeçari mbetet në planet e Partizanit, gjë të cilën e lidh kontrata që ka për sezonin 2020-2021.

kordeiro melo

 

Mbase lejen për të kaluar disa ditë pushime pranë familjes në Brazil, lojtari po mundohet ta përdorë si një tentativë për t’u larguar, pasi më herët ka pasur kërkesa edhe nga klube jashtë Shqipërisë, por nuk mund të kalojë atje pa lejen e Partizanit. “Panorama Sport” ka mësuar nga burime pranë palëve një prapaskenë që lidhet me arsyen e mesazhit të lamtumirës që Uilliam Melo ka bërë dje në profilin e tij. Gazeta ka mësuar se lojtarit i është kërkuar që të kthehet shpejt nga pushimet, pasi ekipi nën drejtimin e trajnerit të ri ka nisur punën.

Por, lojtari ka kërkuar që t’i zgjasë edhe disa ditë pushimet pasi kishte disa probleme, kërkesë e cila nuk është miratuar nga drejtuesit e klubit. Madje, braziliani është paralajmëruar se nëse nuk kthehet në kohë, do të gjobitet. Kjo gjë nuk i ka pëlqyer 26-vjeçarit dhe për këtë arsye ka bërë postimin e lamtumirës. Përpos manovrave të brazilianit, në kampin e kuq janë të bindur se Melo nuk ka ku të shkojë pa akordin e Partizanit, pasi është nën kontratë edhe për sezonin në vazhdim.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"