EKSKLUZIVE/ Zbulohen prapaskenat te Vllaznia, Da Silva “xixa” me trajnerin Brdariç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2021 | 0:06

EKSKLUZIVE/ Zbulohen prapaskenat te Vllaznia, Da Silva “xixa” me trajnerin Brdariç

Në tri ndeshje, tre gola, më mirë se kaq nuk mund të shkonte për Viktor Da Silvën te Vllaznia. Fantazisti brazilian shënoi edhe ndaj Partizanit, por u largua nga fusha pa u mbyllur pjesa e parë. Fillimisht u mendua se ishte dëmtim. Megjithatë, nuk u mor vesh nëse ai e kërkoi largimin nga fusha apo ishte vendim i Tomas Bradriçit për të mos e ndërlikuar situatën me Da Silvën.

Da Silva Brdaric

Në fakt, dëmtimet tanimë për brazilianin janë kthyer në një makth edhe për drejtuesit e stafit teknik. “Panorama Sport” mëson se dëmtimi i fundit ndaj Partizanit nuk duket aq shqetësues. Por ajo që ka bërë më tepër përshtypje është fakti se braziliani nuk e ka pritur mirë zëvendësimin duke shprehur edhe pakënaqësi ndaj trajnerit gjatë ndeshjes në Elbasan.

Një gjë e tillë vërteton se dëmtimi i mesfushorit nuk ishte problematik dhe kjo konfirmohet edhe nga burime pranë stafit mjekësor. Këta të fundit besojnë se lojtari do të jetë pjesë e grupit në stërvitjen e parë anti-Skënderbeu. “Xixat” me Brdariçin në momentin e zëvendësimit mësohet se nuk kanë lënë një shije të mirë edhe te drejtuesit, kështu që nuk përjashtohet mundësia edhe e ndonjë mase nga klubi për veprimet e tij ndaj trajnerit. Gjithçka mbetet për t’u parë në orët në vijim.

DEKLARATA PAS NDESHJES- Në prononcimin pas ndeshjes me “demat”, Da Silva u shpreh se i sheh gjërat pozitivisht dhe se do të kërkojnë që të marrin patjetër fitoren ndaj Skënderbeut këtë javë. “Për fat të keq pësuam gol pak minuta nga përfundimi i ndeshjes, por mendoj se kemi bërë një ndeshje të mirë. Them se duhet t’ia marrim të mirat kësaj ndeshjeje, për të marrë fitoren në ndeshjen tjetër me Skënderbeun. Mendoj se fakti që kemi shënuar ishte diçka pozitive. E mbajtëm topin mjaft mirë në pjesën e parë, mbase u shfaqën në pah cilësitë e Partizanit në pjesën e dytë, të cilit duhet t’i japim meritat që i takojnë se dhe ata arritën ta barazojnë lojën në fund”, u shpreh fillimisht braziliani.

Në lidhje me golat e shënuar ai shprehet se këtë vit është më egoist në mundësitë që i krijohen, por theksoi se nuk ka objektiva personalë. “Po mendoj se jam pak më egoist në termat e futbollit dhe kam kërkuar të shënoj më shumë, gjë që më ka munguar sezonin e kaluar. Deri tani gjërat kanë shkuar mirë dhe jam i lumtur që po arrij ta ndihmoj edhe ekipin tim për këtë gjë. Nuk kam asnjë objektiv personal për golat, kërkoj që gjithnjë kur hyj në fushë të jap më të mirën për ekipin tim. Ajo që vjen më pas është ekstra. Po punojmë për këtë gjë, por sezoni është i gjatë. Jemi akoma në ndeshjen e tretë të kampionatit, duhet t’i rregullojmë gjërat ndoshta edhe në brendësinë tonë dhe pastaj të mendojmë edhe si të luftojmë për titullin”.

ADMIR URUÇI / VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"