EKSKLUZIVE/ Zbulohen prapaskenat, Pakult gati të kacafytej me Gjicin pas debatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2018 | 23:38

EKSKLUZIVE/ Zbulohen prapaskenat, Pakult gati të kacafytej me Gjicin pas debatit

Kukësi vendosi të ndryshonte tra jnerin në një moment shumë delikat. “Divorci” me Peter Pakult ishte si diçka e akumuluar, por “shpërtheu” vetëm një ditë pas ndeshjes së parë me Valetën në “Loro Boriçi”. Gazeta “Panorama Sport” solli në numrin e së shtunës, 10 arsyet e largimit të Pakult, ndërsa tashmë mëson edhe debatin që kulmoi mes Pakult dhe presidentit Safet Gjici të enjten në mbrëmje.

gjici pakult

Pasi u kapën fillimisht me tone të ashpra, Pakult mësohet se doli nga vetja, duke u çuar nga tavolina dhe shkuar drejt Gjicit gati për t’u kacafytur. Mësohet se të dy nuk duruan dot fyerjet ndaj njëritjetrit, me trajnerin që fliste në gjuhën gjermane. Menjëherë, kreu i klubit urdhëroi që austriaku të dilte jashtë, pasi ishte i shkarkuar.

Më në siklet se kurrë kanë qenë zyrtarët e tjerë të Kukësit, të pranishëm në mbledhjen e së enjtes. Zanafilla dhe qejfmbetjet ishin të hershme, por kreu i klubit u habit më shumë edhe për faktin se në ditën e ndeshjes ndaj maltezëve, Pakult hodhi në fushë një formacion ndryshe nga ai që kishte programuar gjatë përgatitjeve në Slloveni.

Aktivizimi i Sebino Plakut në qendër të sulmit dhe Vangjel Zguros si mesfushor i majtë, ishin “molla e sherrit”. Madje, në 15 minutat e fundit të ndeshjes në Shkodër, Pakult u kap edhe me drejtorin Nderim Nexhipi.

KONTRATA – Klubi i Kukësit doli me një deklaratë zyrtare, ku theksoi se largimi i Pakult erdhi për shkak të mosgjetjes së akordit financiar për rinovimin e kontratës. Gazeta mëson se kërkesat e 58- vjeçarit ishin cilësuar të ekzagjeruara nga klubi. Më 9 korrik Pakult u ka dorëzuar drejtuesve kushtet e vendosura prej tij. Rroga mbetej 5 mijë euro neto, por ndryshimi ishte se në rast kalimi në turin e dytë të Ligës së Kampioneve, austriaku kërkonte 35 mijë euro premio. Nëse Kukësi eliminohej në turin e dytë dhe më pas kalonte dy ture në Ligën e Europës, Pakult kërkonte 20 mijë euro të tjera shpërblim.

Ndërsa, gjithashtu kishte kërkuar 30 mijë euro premio nëse Kukësi dilte kampion në sezonin 2018-2019, 15 mijë euro për vendin e dytë dhe 15 mijë për fitimin e mundshëm të Kupës së Shqipërisë. Kontrata dhe kërkesat e trajnerit i janë përcjellë presidentit Gjici, i cili ka përdorur një mënyrë të zgjuar për ta shmangur. Kreu i klubit në parim ka miratuar kërkesën, por duke i thënë trajnerit se do të hynte në fuqi vetëm pasi të përfundonin dy ndeshjet me Valetën. Me sa duket, kjo ka acaruar austriakun, që më pas ndryshoi si me telekomandë. Ndërkohë, para se të niste faza përgatitore, Gjici ka shpërblyer Pakultin me 15 mijë euro premio për vendin e dytë në sezonin 2017-2018.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"