EKSKLUZIVE/ Zbulohen prapaskenat e përplasjeve te Dinamo-Korabi, si nisi sherri që në… hotel

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2021 | 20:45

EKSKLUZIVE/ Zbulohen prapaskenat e përplasjeve te Dinamo-Korabi, si nisi sherri që në… hotel

Ndizen “gjakrat” mes Dinamos dhe Korabit ose më saktë mes dy administratorëve. Nuk ka rivalitet vetëm në fushë mes dy klubeve për të kapur kreun e Grupit A në Kategorisë së Parë dhe rrjedhimisht ngjitjen në elitë, por edhe jashtë saj.

korabi dinamo

Pas akuzave që lëshoi Fehmi Mëziu kundrejt Ermal Barushit, ky i fundit nuk ia ka përtuar. Ai ka reaguar menjëherë në “Facebook”, ku me në një postim e quante ndrikull dhe zbulonte “thagmat” që kanë ndodhur në hotel në dy transfertat e fundit që blutë kanë zhvilluar në Peshkopi. Zyrtari i bluve paralajmëroi se ka edhe pamje filmike që tregojnë shumë më shumë për atë që ka ndodhur. E megjithatë, kanë vendosur që të mos i publikojnë në respekt të garës dhe mbi të gjitha dibranëve.

SI NISI SHERRI

Sherri që patën në fushë gjatë fazës së parë (më 24 dhjetor 2020) dhe mbi të gjitha akuzat dhe kundërakuzat që bënë enkas për “Panorama Sport”, nuk i kanë lënë me kaq. Gazeta mëson se dy transfertat e fundit të cilat blutë i kanë zhvilluar me Korabin, skuadra e Dinamos është “vizituar” prej Fehmi Mëziut në grumbullim. Administratori i dibranëve ka shkuar me disa persona të tjerë në hotelin ku ishin akomoduar kryeqytetasit. Ka pasur debate të forta verbale me Ermal Barushin dhe gati-gati kanë kaluar në konfrontim fizik.

Mëziu Barushi

Megjithatë, ndërhyrja e të pranishmëve ka bërë që situata të mos precipitojë dhe shmangej një skandal i vërtetë. Kjo histori i përket 28 marsit. Por, e njëjta skenë duket se ka ndodhur edhe 2 javë më vonë. Më konkretisht, më 9 prill, ditë kur Dinamo ka udhëtuar sërish në Peshkopi, këtë herë për të luajtur ndeshjen e parë të fazës së tretë. Palët janë “pjekur” në hotel, të paktën këtë ka zbuluar edhe vetë administratori i Dinamos në deklaratën e bërë në profilin e tij në “Facebook”.

ADELA MERKO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"