EKSKLUZIVE/ Zbardhen pyetjet në Etikë, digjen bastet për fitoren 3 me 1. Ja prapaskenat e gjyqit të ndeshjes Bylis-Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2020 | 17:35

EKSKLUZIVE/ Zbardhen pyetjet në Etikë, digjen bastet për fitoren 3 me 1. Ja prapaskenat e gjyqit të ndeshjes Bylis-Tirana

Komisioni i Etikës ka zhvilluar seancën e parë gjyqësore për hetimin e dyshimeve të krijuara në ndeshjen Bylis-Tirana, të vlefshme për Kupën e Shqipërisë.

pjimage (5)

Për të paktën 3 orë e gjysmë, nga ora 13:00 – 15:30, tre anëtarë të Komisionit të Etikës kanë marrë në pyetje zyrtarët e ndeshjes, si dhe përfaqësuesit e thirrur të ekipit të Bylisit. Tirana dhe të thirrurit bardheblu për dëshmi nuk janë paraqitur. “Panorama Sport” ka mësuar edhe prapaskenat e seancës së parë gjyqësore të Etikës, pyetjet e bëra, si dhe faktorin hetimor që lehtëson dy klubet në gjykim.

GJYQI

Në orën 13:00 nisi edhe seanca gjyqësore për hetimin e ndeshjes së Kupës, Bylis-Tirana. E vetmja ndeshje në dosjen hetimore të Komisionit të Etikës. Para kryetarit të Komisionit të Etikës, Fatmir Braka, dhe dy anëtarëve Agron Kuliçaj, si dhe Ardian Leka, kanë dalë fillimisht delegati i ndeshjes, Besnik Çela, vëzhguesi Albano Janku dhe më pas edhe arbitri i takimit, kryesori Juxhin Xhaja i kolegjiumit të Tiranës.

Pas rreth një ore, pranë ambienteve të Federatës është paraqitur Jurgen Goxhaj, futbollisti që humbi penalltinë në fund, presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, trajneri Vejlko Dovedan, si dhe kapiteni dhe autori i dy golave, Valentino Murataj. Gazeta mëson se për trajnerin e ekipit ballshiot nuk ka pasur thirrje nga Komisioni i Etikës. I pranishëm në selinë e Federatës, 15 minuta para nisjes së hetimeve, ka qenë edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Seanca e radhës do të jetë të martën në 14:00.

PRAPASKENAT

“Panorama Sport” nga burime të besueshme ka mësuar edhe pyetësorin më të përdorur nga anëtarët e komisionit gjatë seancës hetimore. Gazeta ka mësuar se fillimisht zyrtarët e ndeshjes janë pyetur se si u është dukur ndeshja. Më tej, pse Bylisi realizoi dy herë? E radhës për interes të hetimit ka qenë pyetja nëse kanë dëgjuar zëra nga lojtarët apo stafet e ekipeve, për të toleruar, lëshuar, hapur portën, lënë gola etj. Në interes të anëtarëve të komisionit ka qenë edhe mendimi i zyrtarëve: pse u bë penalltia në fund? Jo vetëm kaq, por kanë pyetur edhe nëse është bërë apo jo enkas ai 11-metërsh.

Gjatë seancës së pyetjeve, “Panorama Sport” ka mësuar se Etika ka pyetur se pse Tirana ra në pjesën e dytë. Jo vetëm kaq, por me shumë interes ka qenë edhe pyetja nëse ndonjë prej zyrtarëve të ndeshjes ka dëgjuar zëra apo udhëzime specifike nga tribuna, për ndonjë prej lojtarëve, për veprime apo mosveprime të tyre. Zyrtarët janë pyetur edhe nëse kanë informacione nëse sjellja e ekipeve në këtë ndeshje ka qenë e lidhur me baste, pra nëse ka pasur bast apo jo.

Nga ajo që gazeta ka mësuar nga burime të besueshme është se opinioni i zyrtarëve të takimit ka qenë se nuk kanë dëgjuar instruksione nga asnjë palë, zyrtarë apo lojtarë, si dhe që nuk kanë pasur informacione pse ka rënë paraqitja e bardhebluve në pjesën e dytë. Ndër mendimet dhe opinionet e shprehura prej zyrtarëve është përmendur edhe rotacioni dhe prania e shumë lojtarëve jotitullarë stabël.

BASTI I DJEGUR ME REZULTAT TË SAKTË

“Panorama Sport” ka mësuar se në këtë ndeshje janë djegur shuma shumë të mëdha parash të vendosura për rezultatin e saktë 3 me 1. Madje, mësohet se me gjasë shumat e luajtura për këtë bast janë edhe më të mëdha sesa shuma e basteve që kanë rezultuar fituese. Kjo është një nga prapaskenat dhe detajet e hetimit që mund të rezultojë si favorizues për të dy klubet në rezultatet e këtij hetimi dhe në vendimet përfundimtare.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"