EKSKLUZIVE/ Ylli Shehu: U bëra “tmerri” i suedezëve, mund të kisha luajtur me Roberto Baxhon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2020 | 23:50

EKSKLUZIVE/ Ylli Shehu: U bëra “tmerri” i suedezëve, mund të kisha luajtur me Roberto Baxhon

Një karrierë e nisur te Partizani, e vijuar deri në fund me HNK Shibenik (Slloveni), Prva HNL (Kroaci), Apollon të Athinës, Alfa Ethnik (Greqi) dhe Cercle Bruzh në Belgjikë. Ka qenë shumë i ri, 16 vjeç, kur ka shkëlqyer. Një talent i madh i futbollit, produkt i sistemit zinxhir të klubit, shumë shpejt në formacion te skuadra e parë dhe në Kombëtare. I aktivizuar nga trajneri Rreli në sfidën e vështirë kundër Suedisë në “Qemal Stafa”: Debutim i madh dhe një gol i shënuar përtej fantazisë. Titullar në dhjetë takime me atë fanellë, të gjithë kujtojnë driblimet, lojën plot fantazi, emocionet e paharruara që ka dhuruar. Tejet i admiruar, një idhull për tifozët. Për “Panorama Sport”, Ylli Shehu i rikthehet golit ndaj Suedisë, që e “ruan” në arkivin e tij, ndonëse ka shënuar të tjerë edhe më të rëndësishëm, por jo më spektakolarë e të bukur si ai. “Pak kohë më vonë, më kanë thënë se disa drejtues të Fiorentinës kishin shprehur dëshirën të më merrnin në Itali, te Fiorentina, në një skuadër me Roberto Baxhon. Do të ishte një kryevepër, por e pamundur për sistemin, rregullat e kohës”.

ylli shehu

E kujtoni, si nisi karriera juaj?

Me sistemin zinxhir të Partizanit, me Besnik Çelën. Më pas me të rinjtë, me trajner Neptun Bajkon. Te Partizani i të rriturve më aktivizoi Bejkush Birçe, në një ndeshje që nuk e harroj në “Qemal Stafa”. Partizani-Naftëtari 0-3. Ka qenë viti 1984, në atë takim kam debutuar, isha vetëm 16 vjeç…

Ishit lojtar i Partizanit dhe luanit në sulm me Kushtën…

Ishim një dyshe simpatike unë dhe Sokoli. Pak më vonë, nga Labinoti erdhi edhe Agalliu. Kushta luante me nr. 7, që e mora unë kur ai u kthye në Vlorë. Në atë kohë isha edhe lojtar i Kombëtares U-21 me trajner Medin Zhegën.

Vijmë te Kombëtarja e madhe, luanit tre debutues. Çfarë mbanit mend?
Ishim tre lojtarë të Partizanit, që trajneri Rreli na aktivizoi fillimisht kundër Polonisë e më pas kundër Suedisë: unë, Millo dhe S. Gega.

Përballë kishit një skuadër me yje, si Suedia. Sa e njihnit rivalin?

Në atë kohë Suedia ishte një ekip shumë i mirë. Mbërritën deri në Botëror. Portier kishin Ravellin, mbrojtësin Hysejn, gjigantin biond Stromberg, Holmquesit, një treshe e fortë në Kombëtare, por edhe në Itali në Serinë A. Te Fiorentina ku luante Hysejn, ishte edhe Laudrup.

E kujtoni golin?

Isha kthyer mbrapa dhe ndodhesha në mesfushën tonë, në krahun nga tribuna përballë, pranë vijës anësore. Kujtoj që, pas një shkëmbimi të topit midis meje, Josës dhe Jerës, suedezët dolën në pozicion ofsajdi. Nga mesfusha kam nisur vrapin drejt portës.

Ndiqeni hap pas hapi nga Hysejn, tenton t’ju pengojë, por…?

Po, e vërtetë. Ishte ai që më ndoqi. Madje, tentoi të më pengonte. U hodh në spakatë, por nuk mundi. I ndodhur vetëm përballë portierit, pashë që kishte dalë pak nga porta. Isha në vijën e zonës dhe përballë tij godita fort në të djathtë gjysmë lartësie.

Keni humbur edhe një tjetër rast, një gol të sigurt. A e mbani mend?

Deri në minutën e 60-të kemi pasur epërsi. Kemi humbur raste, një ndër to unë pas një pasimi të Jerës. Ishte një gol i sigurt, por edhe Demollari, Millo kanë pasur mundësi ideale dhe rezultati duhet të ishte më i thellë për ne.

baxho

Në tribunë ishte edhe trajneri anglez, Robson, që ju ndoqi?

Si trajner i Anglisë, ai kishte ardhur për të parë ndeshjen, sepse ne ishim në grup me ta. Pas takimit ai u shpreh: “Ai 7-ta mund të luajë me cilindo ekip të botës”. Në “Uembli” më kanë mbuluar hap pas hapi.

Një ndeshje e madhe për ju. Ishit 21 vjeç… E prisnit një prezantim kaq të bujshëm?

Jo. Isha vetëm 21 vjeç dhe as e mendoja se ai debutim do të ishte i tillë, madje dhe me gol. Ajo ka qenë një ndeshje që më ngriti shumë, më dha mjaft siguri, famë, emër, nëse mund ta quaj kështu, jo vetëm në Kombëtare, por edhe te Partizani. Lojtar formacioni edhe pas largimit të Birçes e ardhjes së Bajkos, i sapokthyer nga kursi disavjeçar në Koverçano. Madje, mund të them se ishte Bajko që e aplikoi te Partizani për herë të parë në Shqipëri skemën 5-3-2.

A ju informuan se menaxherët italianë pas takimit ju kërkuan te Fiorentina?

Pas 3-4 ditësh më thanë se menaxherët italianë që ishin në stadium, kishin treguar shumë interes për mua, sidomos ai i Fiorentinës, por sigurisht, nuk mund të ma thoshin dot menjëherë. Fjala do të përhapej dhe mund të na krijonte situata jo të mira. E tillë ishte koha.

Hysejn kërkon falje sepse e keni lodhur ju në Tiranë…

Kur u kthye në Itali, pas ndeshjes së radhës ku nuk ishte në formë, në mbrëmje në një intervistë televizive, Hysejn kishte kërkuar falje. “Nëse gabova, duhet të ma falni. Jam i lodhur. Vij nga një ndeshje e vështirë në Tiranë. Kisha shumë punë me një lojtar shumë të mirë shqiptar”, mësova që kishte thënë.

ylli shehu

Pas Suedisë, luajtët me Greqinë, dy ndeshje me Anglinë, por nuk ishit në Suedi. Pse munguat pikërisht ju që ishit protagonist i ndeshjes së parë?

Nuk më morën me motivin se isha jashtë forme. Të interesuar për mua, sapo skuadra mbërriti atje, gazetarët kërkuan se ku ishte 7-ta. “Nuk ka ardhur 7-ta?”, pyetën të habitur. “Do ta kemi më të lehtë”, u shprehën. Në njëfarë mënyre isha bërë “tmerri” i tyre.

Pas 20 vitesh në Shqipëri erdhi sërish Suedia. Kush ishte ai që kërkoi të takohej me ju?

Kur Kombëtarja e Suedisë erdhi shumë vite më vonë në Tiranë, 2008 nëse më kujtohet mirë, me ta ishte edhe Hysejn. Këtë herë si opinionist televiziv. Ishte ai që kishte pyetur e u kishte kërkuar shoqëruesve: “Dua të takoj 7-ën”, por unë nuk ndodhesha në Shqipëri.

Nëse transferoheshit në Itali, e dinit se tek ajo skuadër luante edhe Roberto Baxho?

Një kuriozitet. Si ai edhe unë jemi të datëlindjes 1967, pra moshatarë. Sigurisht që nëse do të mundësohej e do të funksiononte lëvizja e lirë, transferimet e lojtarëve, mund të isha në një skuadër me të.

Edhe z. Meta, president i Republikës, e kujtoi me nostalgji golin tuaj…

Nuk e prisja. Sinqerisht më erdhi shumë mirë që z. Meta e kujtoi edhe atë gol. Mjafton një detaj, një moment, një gol që mund të kujtohesh e të mos harrohesh. Ne sportistët, artistët e kemi këtë mundësi si njerëz publikë. Kjo, pasi ndeshjet, shfaqjet ndiqen jo vetëm nga spektatorë, por edhe drejtues, qeveritarë të lartë, deri edhe presidentë të Republikës, dashamirës të sportit.

UVIL ZAJMI-PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

Ylli Shehu, goli ndaj Suedisë që magjepsi edhe Fiorentinën

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"