EKSKLUZIVE/ Xhoxhi Shundi, arbitri kolos i basketbollit që ia merrte shpërblimet shteti: Në Gjirokastër më provokuan me një kukull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2022 | 19:47

EKSKLUZIVE/ Xhoxhi Shundi, arbitri kolos i basketbollit që ia merrte shpërblimet shteti: Në Gjirokastër më provokuan me një kukull

NGA UVIL ZAJMI
Profesor fizike në profesion, por edhe protagonist absolut i vërshëllimës, autoritar i padiskutueshëm i basketbollit kombëtar e atij ndërkombëtar. Xhoxhi Shundi, një personazh shumëdimensional, me histori pak të njohur e të rrëfyer. Grupi qemalstafas, rinia, arbitër nga Nexhmi Kadiu, ndeshja e parë, ballkaniada, akuzat pas Oransodës, protagonist i sfidave epokale të kohës, ato derbi, titulli i FIBA-s, deri te miqësia me Arabaxhian, arbitrin e finales SHBA-BRSS. Një histori e mbushur me detaje, ngjarje befasuese, bashkë me të atin, vëllain, Vangjel Shundi, gazetarin e lojërave me dorë, zëri mitik i emisionit radiofonik “E diela sportive”. “Duke qenë se babai dhe vëllai ishin punonjës të klubit, nuk e arbitroja 17 Nëntorin” – thotë Shundi ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

Shundi sot duke folur për “Panorama Sport”

Shundi sot duke folur për “Panorama Sport”

Z. Shundi, çfarë kujtoni nga adoleshenca?
Viti 1958, as 16 vjeç, në gjimnazin “Qemal Stafa”, bëja pjesë në 12-shen e të rinjve të SK Tiranës dhe trajner kishim Nexhmi Kadiun. Përgatiteshim për kampionatin e moshës në Korçë. Ishte shtator, luhej me grumbullim, por doli rregulli që vetëm 10 lojtarë do të shkojnë. E rregullova të figuroja si arbitër, por jo rastësisht. Nexhmi Kadiu më zgjodhi, pasi sa herë që stërviteshim, ne ishim 12 ose 14 veta, dhe rezervave ai u jepte bilbilin të arbitronin dhe ndër ata unë sikur dallohesha më shumë. U nisëm në Korçë, ku në skuadër ishin Vasao Shaka, Bujar Shehu, Filip Guraziu, Suat Jegeni, Vladimir Gjurba, Xhoxhi Baho, etj, me trajner Abdulla Stërmasi. Të sigurt për kampion, por kampion doli Elbasani, me trajner Zyhdi Lekën dhe një lojtar si Skënder Qorri. Këtu, për herë të parë unë figuroja si arbitër.

Si lindi ideja dhe nxitja për t’u bërë arbitër?
Kur u kthyem, të gjithë shokët e mi i mori Feti Borova te 17 Nëntori. Ndërkohë, tek unë kishte filluar pasioni për arbitër. Nexhmi Kadiu na kishte njohur shumë mirë me rregullat e lojës së basketbollit, nga ato që vinin në rusisht dhe ne i mësonin në praktikë. Dy herë në javë shkoja në stërvitjen e 17 Nëntorit, drejtoja ndeshjet e kontrollit. Borova ishte shumë i rregullt dhe sa herë që lojtarët më kundërshtonin, ai më dilte në mbrojtje. Nga ky grup i gjimnazit, unë fillova i pari si arbitër, pastaj Faruk Rizvanolli, Sulejman Kazazi, Rudolf Cici, më vonë Shpëtim Bozdo, Pavli Bici, e të tjerë. Ne në atë kohë arbitronim volejboll e basketboll, por ato u ndanë kur këtu erdhi një skuadër, rezervat e CSKA të Moskës. Ata thanë se nuk mundet të shkoni përpara në këtë mënyrë, por duhen ndarë lojërat dhe arbitrat. Kështu u veprua, dhe në atë periudhë lindi nevoja e madhe për arbitra.

Dhe shkoni në Gjirokastër, takimi i parë, ku tentojnë t’ju sjellin edhe një kukull?
Isha maturant, viti 1959 ka qenë pranverë, arbitrova për herë të parë një ndeshje në kampionat në Gjirokastër, ku luante Partizani, që vinte pas Lajpcigut me lojtarë si Përmeti, Pilku, Qirici. Atje nuk shkonte një arbitër dhe mësuesi im i fizkulturës, Zija Kodra, i thotë Kadiut, që të arbitrojë Shundi. Me autobusin e linjës nga Vlora, në Gjirokastër, 12 orë udhëtim. Isha me Sami Mashën, të dy nga Tirana. Unë rashë në sy për moshën dhe po më vërshëllenin të gjithë. Në pushim drejt meje vjen një vajzë, ishte e një zyrtari të lartë të qytetit, për të më dhënë një kukull “si kalama që isha”. Fusha ndodhej te Qafa e Kalasë, lart, mirëpo nuk e la një sportiste Nevro (Avdyli) Angoni, ajo e prapësoi. Me këtë vajzë takohem pak më vonë, në Spartakiadën e pionierëve, ku ajo kishte ardhur me ato të Gjirokastrës, e ndërsa po kallëzonte historinë se “si një arbitri të ri, kalama, ajo i kishte dhuruar një kukull”, unë po e dëgjoja. Ndërhyra: “Jo – i them,- ti nuk ja ke dhënë atij. Ajo këmbënguli, që po. – Ti erdhe, t’ia japësh, por nuk të la Nevro dhe ai arbitër kam qenë unë – i thashë…” Po më 1959, në Spartakiadën e Parë Kombëtare, arbitrova femrat.

Ndeshje femrash në pallatin e sportit, Shundi në sfond

Ndeshje femrash në pallatin e sportit, Shundi në sfond

Vijnë hungarezët, ishte ndeshja e parë ndërkombëtare për ju apo jo?
Më 1961 isha arbitër i Kategorisë së Parë, kur do të gjykoj për herë të parë një ndeshje ndërkombëtare. Më 1960 dhe ‘61, këtu erdhën dy herë radhazi hungarezët e “BBC” së Budapestit, skuadër e hekurudhës, e si e tillë vinte pa shpenzime me tren deri në Titograd. I arbitrova në Korçë, bashkë me një arbitër hungarez. E kishin marrë me vete, se kur ishin herën e parë, humbën me Lokomotivën, ku luante dhe Niko Hercek. Ata patën qëndruar gjithë ditën në plazh, ishte qershor, u skuqën, dolën në fushë, e humbën ndeshjen, por patën pretendime për dy arbitrat shqiptarë. Prandaj kishin marrë një arbitër me vete.

Pastaj të rinjtë e Kubës, me ta edhe një arbitër, jeni bashkë në ndeshje…
Po, ka qenë fundi i vitit 1963, kur në Shqipëri erdhi përfaqësuesja e të rinjve të Kubës. Unë kisha mbaruar universitetin, isha mësues i fizikës, në një gjimnaz trevjeçar në Fier. Ndeshja u zhvillua në Shkodër. Pata fatin se me to kishte ardhur edhe një arbitër, Fernandaz, që nuk anonte aspak nga skuadra e tij. Kur mbaroi loja duke biseduar me të, pasi shprehu përgëzimet e tij, më thotë: “Këta janë të rinj, duhen edukuar, unë nuk duhet t’i arbitroj si kubanezë, por si arbitër”. Mora një mësim të mirë.

Pas pak kohësh u emëruat mësues në Fier, ju kërkuan të jeni trajner i vajzave të Apolonisë… Çfarë ndodhi saktësisht?
Në Fier, në atë kohë kishte filluar një iniciativë për basketbollin, nga një mësues i edukimit fizik, Miço Gjini i të rinjve, që për herë të parë u futën në Kategorinë e Parë. Kur shkova unë, një skuadër e femrave kishte fituar spartakiadën, që njihej si Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Dytë, kryesisht nga nxënëset e gjimnazit. Sa mbërrita më thonë do të të bëjmë trajner të kësaj skuadre. “Jo, – kundërshtova, – nuk jam trajner, por arbitër…” Tani e kisha vënë personalitetin tim.

Vjen ballkaniada e ‘65 dhe ju caktuan ju arbitër. Çfarë mbani mend?
Më 1965, dhjetor, në Tiranë do të zhvillohet Kampionati Ballkanik i Basketbollit për meshkuj. Secila skuadër kishte edhe një arbitër me vete, bashkë me dy arbitra neutralë, nga të cilët erdhi vetëm një hungarez, por jo italiani. Shqipëria në atë kohë kishte vetëm një arbitër ndërkombëtar, Naim Pilkun, personalitet i basketbollit. Nga FIBA morën leje edhe për një tjetër arbitër edhe pa e pasur stemën. Më caktuan mua pa asnjë ndërhyrje apo miqësi. U ankuan të tjerët, por komisioni i ngritur për organizmin e kësaj veprimtarie e kishte parë të arsyeshme, duke vendosur që nga arbitrat e vendit të ishin Pilku edhe unë, as 23 vjeç.

Doli pengesë drejtori i shkollës, por vjen urdhri nga ministria… Si është ajo histori?
Drejtori i shkollës, një burrë i mirë, por jo i pasionuar pas sportit, refuzoi të më linte. “Si të humbësh orët e mësimit?! Thuaju atyre të vënë një tjetër”, – më thotë. Unë natyrisht u mërzita, i tregova se nga Shqipëria kanë caktuar një arbitër dhe ai jam unë dhe ti duhet të krenohesh, ta kesh për nder, që është nga shkolla juaj. Lajmërova FSHB-në, kur një ditë në shkollë vjen një inspektor i arsimit nga Tirana… E takova dhe më tha: “Kam ardhur për ty. Është urdhër i ministrit të arsimit, duhet të jesh në fundjavë te zyrat e federatës”, duke ia bërë me dije edhe drejtorit. Gjatë asaj jave ka qenë një festë e madhe në Tiranë. Gazeta “Sporti” dilte çdo ditë, lexohej kudo. Kur u ktheva, atëherë drejtori e kuptoi sa rëndësi kishte ajo punë.

Ju kujtohen cilat ndeshje keni arbitruar në Ballkaniadë?
Ndeshjen e parë, Turqi-Bullgari, e mërkurë, 15 dhjetor, ora 16:00. Në ditën e dytë, Bullgari-Jugosllavi me hungarezin Silvester Seci; të tretën, Rumani-Bullgari 77-86 sërish me Secin; pastaj Jugosllavi-Rinj RPSH 79-49 me turkun Hafif Kayali dhe ditën e fundit, e diel, 19 dhjetor, të Rinj RPSH-Bullgaria 57-71, ishim dy shqiptarë, Pilku dhe unë. Pata kënaqësinë që u vlerësova, përfitova nga ata arbitra që ishin aty, ndër të cilët ai që binte më shumë në sy ishte jugosllavi Krono Brumen, nga Sllovenia. Ishim bashkë në takimin përurues dhe kur më pa të ri, si zakonisht arbitrat para ndeshjes ndajnë si do të vendosen në zonat, për të më inkurajuar, më thotë: “Ti fryj ato që sheh, unë do të fryj ato që shoh, pavarësisht ku jemi në fushë”. Ka qenë një nga ndeshjet e rralla që kam arbitruar.

Sa e vështirë ka qenë për ju ajo Turqi-Bullgari, një pallat ku bënin tifo për turqit dhe ju vërshëllenin juve?
Ishte hera e parë që Turqia fitonte ndaj Bullgarisë. I gjithë pallati i sportit bërtiste për turqit, aq sa u bënte përshtypje të huajve: “Keni qenë 500 vjet nën sundimin e tyre, dhe ju bëni tifo për ta…?!” Ata kishin lojtarin më të gjatë dhe kujtoj se pas takimit nga gëzimi u futën direkt në pishinën me ujë të ftohtë. Edhe për mua ka qenë e vështirë të arbitroja, pasi më vërshëllenin kur jepja vendime kundër tyre. Pas ndeshjes, një zyrtar i lartë i kohës, erdhi dhe më foli rëndë, duke pretenduar që duhet të kisha ndihmuar turqit. “Unë përfaqësoj Shqipërinë dhe jo Turqinë, as Bullgarinë”, iu përgjigja. Ndërsa përgjegjësi i ekipit bullgar më dha dorën, më përgëzoi, edhe pse humbën. Isha vetëm 23 vjeç.

Riktheheni në Tiranë, nga mësues fizike në Politeknikum, pastaj në Ndroq…
Më 1966 erdha në Tiranë në Politeknikumin 7 Nëntori. Interesant është se si në Fier edhe këtu, njerëzit nuk e dinin që isha mësues fizike, por fizkulture. Politeknikumi shkollë e madhe, deri në 80 mësues, por qëlloi që u nda e ditës me të natës dhe unë kalova tek e natës. Deri 1975, kur krejt papritur u transferova në një katund Pinet, 45 minuta në këmbë nga Ndroqi. Një sezon aty mësues fizike dhe pas një viti në Ndroq, në shkollën e mesme, deri më 1986. Edhe aty drejtuesit më krijuan të gjitha mundësitë të arbitroja, pasi nuk ishte e lehtë të qenit mësues fizike, të lije orët për sport, por as unë nuk pranoja këtë favor. Më 1986, kalova në Institutin e Fizikës Bërthamore, si punonjës ndihmësshkencor. Deri më 1998, kur u caktova Sekretar i FSHB-së, katër vjet, aty e mbylla, dola në pension më 2003.

Arbitër ndërkombëtar, jeni në moshë të re kur merrni stemën e FIBA-s. Ç’do të thoshte kjo për ju?
Më 1970 morëm pjesë në një seminar në Bukuresht, Petrit Caslli, Virgjil Karaja, Luan Kotherja dhe unë. Shqipëria nuk kishte arbitra ndërkombëtarë, dhe për herë të parë shkonim katër vetë. Ne nuk kishim fare kontakte me basketbollin europian, atë botëror, edhe pse në Kampionatin Ballkanik ‘65, u paraqitëm mirë, por më pas hyri politika në mes, nuk morëm pjesë në të tilla veprimtari. Në Rumani përfituam nga pikëpamja teknike, rregullorja, u aprovuam si arbitra ndërkombëtarë. Në nëntor emërohem në Bukuresht në një ndeshje të Kupës së Kampioneve, Dinamo B me Fajereston të Vjenës, kampione e Austrisë. E para për mua. Megjithëse ishim arbitra ndërkombëtarë kishim shumë kufizime, e për pasojë nuk aktivizoheshim. Edhe nga fakti se ne nuk mund të arbitronim skuadra nga BS, Spanja, Izraeli, Amerika. Me përjashtim të Kampionateve Ballkanike ku skuadra i merrte me vete arbitrat. Në vitin 1972 shkova në një aktivitet europian me skuadrën kombëtare të femrave në Gjermani, pas një viti në Jugosllavi. Pengesë ishte edhe gjuha. Rusishtja po lihej me një anë, këtë e konstatuam që në Rumani, ku ne shkuam me rusisht, tani duhej frëngjisht ose anglisht.

Ka një detaj të rëndësishëm në karrierën tuaj: Edhe pse ndërkombëtar, i elitës, jo arbitër me 17 Nëntorin?
17 Nëntorin nuk e arbitroja deri në mesvitet ‘70-‘80-të. Kishte ndeshje të tjera, ato të Partizanit, Vllaznisë, Lokomotivës, Studentit, Dinamos, si edhe femrat, derisa kalova përfundimisht me meshkujt. Rivalitetin e madh Partizani-17 Nëntori nuk e pranoja, nga fakti se ata ishin shokët e mi, nuk isha i qetë, pavarësisht se unë isha i vetëdijshëm për punën time. Arbitrat e tjerë nuk kishin këtë lidhje që kisha unë me atë klub. Edhe për një arsye tjetër, kur nga 1965 e më vonë, përgjegjës i skuadrës për shumë vite, meshkuj e femra, ishte vëllai im, Vangjeli. Si mundet të arbitroja unë, kur ai kishte raste të ankohej tek arbitrat me pretendime për ndonjë pakënaqësi?! \

Si i trajtonit në familje këto raporte?
Herë-herë edhe grindeshim. Kur nuk i shkonte mirë, ai shante arbitrat, kurse unë u dilja për zot atyre. Madje, gjatë një dreke, e pyeta si doli ndeshja dhe kur ai akuzoi arbitrat, filluam të bënim fjalë, ndërhyri babai dhe tha se nuk mundet t’ju dëgjoj juve. Kur të uleni në tavolinë, nuk do të flisni më për këto çështje. “Ti – i tha Vangjelit – ke ato të punës tënde, ky ka zanatin e vet, prandaj unë nuk dua që ju të grindeni”. Vangjeli ishte i datëlindjes 1933, unë 1942-shit.

Në një foto që kemi, ju jeni arbitër pikërisht në një derbi të kohës, 17 Nëntori-Partizani… Çfarë “fshihet” aty?
Sezoni 1971-72 duhet të ketë qenë, për atë takim arbitër ishte caktuar durrsaku Gjon Luli. Erdhi në pallatin e sportit, por pa lajmëruar se e kishte këmbën me plagë, nga një hekur që i kishte rënë gjatë punës. “Pse nuk njoftove – e pyeti Qemal Shalsi, sekretari i federatës? – Kisha frikë se do të ma merrnit si tërheqje”, u përgjigj ai. I ndodhur aty për të, për takimin, më njoftuan, me makinë shkova në shtëpi mora rrobat dhe bashkë me Virgjil Karajn drejtuam takimin që u mbyll pa probleme me 17 Nëntorin fitues.

Partizani-17 Nëntori, arbitër Shundi Karaja

Partizani-17 Nëntori, arbitër Shundi-Karaja

Në vitet ‘70-të si reflektohej dhe si përjetohej një ndeshje në pallatin e sportit?
Kujtoj njerëzit që shkonin lumë, biletat me autorizim, entuziazmin, tifozërinë, tensionin, një pallat që oshtinte. Mendoni në çfarë atmosfere të ndezur kemi arbitruar. Nuk ka qenë e lehtë të merrje vendime që shpesh ishin edhe vendimtare. Një ndeshje, ata sportistë, spektatorë, arbitrat, ai pallat sporti ka shërbyer edhe si një sinjal shprese për ndryshim. I vetmi mjedis publik sportiv, ku rinia, kryesisht femrat, ishin të pranishme, moda, argëtimi, kanë qenë të veçantë. E shtuna në mbrëmje, pritja, orët, të qenit në pallatin e sportit “Partizani” ishte një kënaqësi e madhe për të gjithë, pavarësisht kush fitonte apo humbiste, nga një vërshëllimë jona, ishte apo jo e gabuar. Uilliams Xhonsi, SP i FIBA-s, pas takimit me Oransodën më ‘68, i befasuar u shpreh: “Këtu në Shqipëri luhet basketboll me “B” të madhe”. Dhe Agim Fagun e zgjodhën si lojtar në përfaqësuesen e Europës, për një ndeshje për nder të një basketbollisti, Korac, nëse nuk gaboj, por që nuk e lanë të shkonte.

Keni arbitruar brezin e artë të Bukuroshe Shizës, Pavlina Llacit, Renato Radojës, Vaso Shakës, Agim Fagut, Bujar Shehut, Kujtim Kasmit, Kushtrim Zaçes, por edhe të Cacit, Trebickës e shumë të tjerë…
E konsideroj një privilegj të madh këtë fakt. Pas viteve ‘60-të, kulmi arriti në ballkaniadë, këtu filloi të luhej basketboll me nivel të lartë. Lojtarët dhe ne arbitrat ishim njerëz publikë, drejtonim ndeshje të rëndësishme, duke filluar nga ato në kampionat, kupë, sfidat e rivalizuara derbi, etj. Në fushë respektonim njëri-tjetrin. Nuk mbaj mend që pas një vërshëllime timen, të kishte reagime të ashpra, kundërshtime nga lojtarët, aq më shumë nga emrat që më pyetët. Pas ndeshjeve ishim miq, qëndronim edhe bashkë.

Arbitrat shqiptarë u dënuan rëndë nga FIBA, cili ishte motivi?
Në vitin 1976, FIBA cakton Luan Kotheren nga Elbasani dy ndeshje femrash në Budapest, ku në njërën prej tyre luante kampionia e Spanjës. Ndonëse FIBA e konsideronte njoftimin si personal, kishte një rregull, që emërimin ajo e dërgonte ndërmjet federatës, e cila pasi i jep aprovimin që e pranojnë emërimin, kur Luani, njeri shumë korrekt, i ndershëm, një nga arbitrat më të mirë, po përgatitej të nisej, i thonë që kur të jesh atje, do t’i thuash që unë nuk arbitroj spanjollet. Luani nuk fliste anglisht dhe kur mbërrin në Hungari, ndërmjet sekretarit të ambasadës, njoftojnë FIBA-n, se arbitri ynë do të arbitrojë këtë takim dhe jo tjetrin, duke i befasuar ata. FIBA kishte një rregull që nëse një arbitër pasi ka marrë emërim, nuk arbitron për arsye të papranueshme, ai përjashtohet, i hiqet titulli ndërkombëtar. Ndërhyri edhe zv.presidenti i FIBA-s, që ishte hungarez, por pa e takuar nga afër Luanin, i cili nuk e kuptonte çfarë po ndodhte, se ata flisnin vetëm me të ambasadës. “Do të merrni më qafë arbitrin – i thonë, ai do të përjashtohet, duke mos e lejuar të arbitrojë asnjë ndeshje”. Sapo u kthye, i hoqën titullin e bashkë me të u përjashtuan edhe arbitrat ndërkombëtarë shqiptarë nga kupat e Europës për pesë vjet.

Riktheheni në veprimtarinë ndërkombëtare, por me vështirësi apo jo?
Nga 1976 deri 1981. Pastaj rifilluam, por gjatë kësaj periudhe nuk u bë asnjë arbitër tjetër ndërkombëtar. Më 1985, shkuam tre vetë, Karaja, unë e Kotherja në një kualifikim në Pula në Jugosllavi. Ishte si një ultimatum, duhej që edhe ne arbitrat shqiptarë ndërkombëtarë të shkonim në seminare për rifreskim, pasi nga ‘70-ta nuk ishim prezentë asnjëherë. Vajtja jonë atje ndryshoi pak punët, patëm kontakte, por problem ishte gjuha e huaj, që pas ‘85 flitej vetëm anglisht. Nisën të na caktojnë edhe në perëndim, sepse mua më çojnë për herë të parë në Greqi, Turqi, etj.

E fundit, në paraeliminatoret e Lojërave Olimpike “Barcelonë ‘92″…
Më 1992 isha në Bilbao, në turneun paraeliminator për Olimpiadën e 1992-shit. Atje i pata thënë një arbitri spanjoll, Viktor Mas, që kisha nevojë për një makinë shkrimi dore, të përdorur, si mundet ta gjeja. “Ta rregulloj unë”,- më tha dhe kur po mbaronte aktiviteti, një ditë përpara na thërret kryegjyqtari të gjithë arbitrat në dhomën e zhveshjes. Papritur m’u drejtua mua, ndërsa unë shtanga, pasi unë nuk luaja rol të rëndësishëm si arbitër në atë turne, ai vijoi: “Shundi, ky është turneu i fundit si arbitër ndërkombëtar për ju dhe Viktor Mas, do të thotë dy fjalë: Z. Shundi, kolektivi ynë i arbitrave ju ka bërë dhuratë një makinë shkrimi”, – u shpreh ai. U ndjeva i nderuar, u emocionova jashtë mase. I falënderova, duke i sqaruar se do të vijoja si komisar ndërkombëtar, një detyrë që ma kishte propozuar sekretari i FIBA-s.

Merrni një shpërblim financiar, por duhej ta dorëzonit… Pse?
Për herë të parë në Bilbao mora një shpërblim arbitrimi të mirë. Kur vij në Tiranë, llogaritarja e FSHB-së më informon se duhet ta dorëzoja. “Si të ta dorëzoj?, – i them – Kështu është ligji”, – më thotë. Bëhej fjalë për një ligj që në kohën e Adil Çarçanit kryeministër që vazhdonte ende. Shkoj në Komitetin Olimpik, kryetar ishte Arben Jorgoni, njeri i mirë. I flas për problemin, që sipas këtij ligj i them, duhet të dorëzohen edhe dhuratat. I tregova për ceremoninë, mos duhet ta dorëzoj edhe makinën e shkrimit? Bëj si të duash më thotë. Makinën e mbajtja, ndërsa shpërblimin e dorëzova.

Po në Shqipëri sa paguhej një arbitër basketbolli?
Në një ndeshje paguheshim deri në 200 lekë të vjetër. Shto edhe dietën, biletat. Në grumbullim, si në finalet e Kupës së Republikës, katër ditët e para paguheshim nga 90 lekë për ndeshje, pra 360 lekë dhe ditën e fundit, gjysmëshpërblim pra për pesë ditë, 405 lekë.

WhatsApp Image 2022-12-26 at 7.06.48 PM (2) (1)

Të qenit arbitër basketbolli, a ishte privilegj?
Kryesisht në vitet ‘70 e më pas basketbolli kishte nevojë për arbitra. Arbitrat e basketbollit binin në sy se ishin njerëz me kulturë, po kështu edhe lojtarët. Shumë ishin studentë, mësues, kishin arsimim të lartë. Arbitrat shkonim shumë mirë me njëri-tjetrin. Më duhet të kujtoj disa prej atyre viteve, nga Sulejam Kazazi, Faruk Rizvanolli, Rudolf Cici, Shpëtim Bozdo, Virgjil Karaja, Frederik Bjanku, Agim Taraku, Lumir Gjata, Gjon Luli, Luan Kotherja, Tomorr Asnjoku, Kostaq Pojani, Polizoi Budo, etj. Kryesisht në vitet ‘70 e më pas basketbolli kishte nevojë për arbitra.

Ndërhynte politika ose qeveritarët në ndeshjet e basketbollit?
Në basketboll ndërhyrjet e tyre kanë qenë inekzistente. Ata çmendeshin pas futbollit, në basketboll jo shumë.

Vijmë tek Oransoda dhe ngjarja me ju, çfarë ndodhi saktësisht?
Me Oransodën ka qenë një ndeshje monumentale, ku asistonte Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Uiliam Xhons, anglez që banonte në Zvicër. Vjen në Shqipëri për herë të parë, udhëton me Oransodën që kishte edhe amerikanë dhe trajneri ishte Borislav Stankoviç, personalitet i madh, që më vonë u bë SP i FIBA-s, pas Xhonsit. Rregulli ishte që në turin e parë të Kupave të Europës, vëzhguesi i ndeshjes të ishte vendës, por Shqipëria nuk kishte komisar e arbitra ndërkombëtarë, ndonëse Pilku ishte, por nuk arbitronte. Më caktuan mua si vëzhgues. Arbitrat ishin J. Kavçiç (Jug), P. Marin (Rum). Një ndeshje ku u shfaq Agim Fagu. Uillam Xhons ishte ulur në një poltronë dhe ndiqte takimin.

Koshi i barazimit i Pëllumbit, pse pati pretendime?
Erdhi fundi i ndeshjes, kur u shënua një kosh nga Pëllumbi. Tani diskutohej që ky kosh ishte brenda kohës së rregullt apo jashtë saj, pra ndeshja ose do të përfundonte në barazim, ose e fitonin italianët 73-71. Në çastin kur ra bilbili, unë ngrihem në këmbë si komisar i ndeshjes që isha dhe shoqëroj me duar që loja mbaroi. Por në rastet si ky, kur arbitrat nuk e kanë të qartë, vijnë te gjyqtari. Kështu veproi arbitri i parë, Kavçiç, që vjen pyet sekretarin, kronometristin dhe pasi flet me ta, bën publikisht me shenjë, për kosh të rregullt.

Ndërsa ju akuzoheni për një veprim “joatdhetar”…
Kur dalim nga ndeshja, një burrë vjen më takon. Në atë kohë me sportin merrej Adil Çarçani, zv.kryeministër dhe ky ishte inspektor, nëpunës aty. I sjellshëm, kishte simpati për mua, më përshëndet: “Xhoxhi, do të them dy fjalë. Unë e di që je djalë i mirë, shumë i rregullt, korrekt, por kur është puna për gjëra të diskutueshme, duhet të mos tregohesh kaq fanatik, duhet t’ia japësh vendit tënd”, më tha. “Po”, – e aprovoj unë pa e kuptuar. “Por ti u ngrite dhe bëre me shenjë që nuk është kosh”, më thotë. “Jo”, – përgjigjem, duke e sqaruar se shenja ime kishte të bënte me faktin se loja ka përfunduar. Më vonë u informova, se i influencuar nga një gazetar, i ardhur nga një qytet tjetër, që i kishte thënë, “shihe, shihe atë Shundin se çfarë po bën, thotë që nuk është kosh”…

Miqësia me armenin Artenik Arabaxhian si lindi?
Më 1969, Kupa e Kampioneve, Partizani-Dinamo B, luhet në Shkodër, sepse pallati i sportit në Tiranë ishte i zënë me një kongres. Më caktojnë të jem sërish vëzhgues. Arbitrat, njëri ishte bullgar, armeni Artenik Arabaxhian dhe tjetri jugosllavi Kafçiç. Arabaxhian ishte një arbitër me personalitet, i njohur, vinte direkt nga Moska, ku kishte arbitruar BRSS-SHBA, në kohën e turneve miqësorë ndërmjet tyre. Në Shkodër, takimi pati rivalitet, pikë më pikë, arbitrimi ishte korrekt, fituan rumunët.

Por ushtarakët e Partizanit kanë pretendime për arbitrimin e bullgarit apo jo?
Në darkë, në banket, unë i ulur midis dy arbitrave, kur ngrihet një drejtues i klubit të Partizanit, oficer, dhe pasi përshëndeti skuadrën rumune, i uron për fitoren, por ne kemi ankesa për arbitrimin thotë. Duke iu drejtuar Albert Kojës, që ta përkthente mirë, vijoi: “Arbitri jugosllav gjykoi shumë mirë, kurse ky bullgari na mori më qafë”. Arabaxhian la thikën dhe pirunin, e pa atë, pastaj m’u drejtua mua, kur unë pas ndeshjes i kisha përgëzuar, që sipas mendimit tim kishin arbitruar me nivel të lartë, dhe më pyet: “Më fal, ke ndonjë vërejtje, se ju jeni komisar i takimit”. Unë u ndjeva keq, i them që ky shoku është pjesëtar i skuadrës së Partizanit, ka emocionet e ndeshjes, kur ta analizojë më vonë, do të gjykojë ndryshe. Pastaj, përgjegjësi i ekipit rumun, i cili ishte një kolonel, u ngrit e tha: “Ju falënderoj për pritjen, ishte ndeshje shumë e bukur, ndërsa për arbitrat, duhet të them se për të tillë arbitra kemi nevojë”. Pak ditë më vonë, zyrtarit të Partizanit i bënë një vërejtje të rëndë për qëndrimin që mbajti, aq më shumë që lavdëroi arbitrin jugosllav.

Miqësia me Arabaxhian, nga Shkodra, në Bukuresht dhe pas finales olimpike Mynih ‘72.
Ky ishte takimi im i parë me Arabaxhian. Pastaj në 1970, kur shkuam në Rumani, pra pasi u bëmë arbitra ndërkombëtarë, nga Bullgaria kishte ardhur dhe ai. U takuam, na dha ca udhëzime lidhur me arbitrimin, se ne na mungonte eksperienca, si të lëviznim, etj, etj, pasi kishin ndryshuar mjaft rregulla. Ne kishim shkuar atje, me veshjet sportive tonat, pasi këtu nuk kishim një uniformë arbitri. Unë pata marrë një bluzë me tri kopsa ngjyrë gri, borxh nga futbollisti Niko Xhaçka. Arabaxhian duke i dhënë udhëzimet arbitrit tonë bashkë me një bullgar, që do të arbitronin së bashku, e sheh tonin me një bluzë blu kineze. Hoqi të tijën e ia dha atij. Më vonë jemi takuar në Bullgari. Për të ardhur te finalja e bujshme e Lojërave Olimpike, Mynih ‘72, BRSS-SHBA, pas atij episodi, me koshin në sekondat e fundit shënuar nga rusët, ku Arabaxhian dhe braziliani Rigeta ishin arbitra. U takuam një vit më vonë, po diskutonim, Arabaxahian, më thotë: “Dëgjo Shundi, në atë ndeshje basketbollit iu dha një goditje e rëndë, po të më besosh nuk kemi qenë ne arbitrat që e bëmë atë punë”.

Shundi, Sekretar i FSHB-së

Shundi, Sekretar i FSHB-së

Mbyllja e një karrierë të gjatë, a i kaluat pritshmëritë që kishit në fillimet e saj?
Si arbitër e mbylla me shumë takime, pa mundur t’i numëroj, ndërsa si ndërkombëtar me rreth 50 ndeshje. Nga 1994 kam qenë instruktor i FIBA-s për arbitrat e Shqipërisë, kontrolloja përgatitjen e tyre. Kam drejtuar seminar për arbitrat në Kosovë, kam qenë komisar në Itali. Kam pasur fatin që jam bërë arbitër ndërkombëtar, pasi nga 1970 deri në 1990 nuk u bë tjetër arbitër ndërkombëtar. Sepse vetë shteti nuk ishte i interesuar. Pas ‘90-ës filloi tjetër erë. Unë vijova si vëzhgues i FIBA-s, ndërkohë që u bënë arbitra ndërkombëtarë si Arjan Greva, Dashamir Bardhi, Albi Greva, Shefqet Bekteshi, Ervin Koci, Genti Cici, etj… E mbylla më 2018 një jetë, me rreth 60 vite i lidhur e në shërbim të basketbollit. Jo pak!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"