EKSKLUZIVE/ “Xhixha po na merr për dore”, Orges Shehi: Pse e doja shumë këtë fitore të Tiranës në derbi… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2022 | 22:01

EKSKLUZIVE/ “Xhixha po na merr për dore”, Orges Shehi: Pse e doja shumë këtë fitore të Tiranës në derbi… (E PLOTË)

Orges Shehi nuk e fsheh kënaqësinë e një derbi të fituar, por e di shumë mirë se çdo gjë harrohet shpejt dhe ndeshja e radhës është te dera. Tirana luan të premten ndaj Laçit, por atmosfera e triumfit kundër Partizanit vijon të jetë ende prezente në kampin bardheblu. Protagonizmi absolut i Redon Xhixhës me dopietë në derbi natyrisht që ka marrë elozhet edhe të vetë Shehit, që në një intervistë për “Panorama Sport”, komenton edhe një herë triumfin e fundit dhe tregon se pse e donte me patjetër të mundte Partizanin.

ORGES SHEHI

Orges, a mund ta quajmë një derbi të çmendur?

Ndeshja mori një rrjedhë të çuditshme, pasi humbëm penallti dhe më pas mbetëm me 10 lojtarë. Sigurisht që kjo të godet nga ana psikologjike dhe skuadra meriton të një bravo të madhe. Falë shpirtit të sakrificës nga lojtarët, ia dolëm të merrnim tri pikë në derbi. Ne e kishim treguar edhe me Vllazninë, ku edhe pse me një lojtar më pak, luajtëm shumë mirë dhe iu afruam marrjes së pikëve. Këtë herë ndaj Partizanit edhe fati ishte me ne. Ua kam thënë edhe lojtarëve pas ndeshjes që meritojnë një bravo të madhe pas kësaj fitoreje, ku u gjendëm kaq shumë në vështirësi dhe prapë në fund ia dolëm.

Si ju duk loja në përgjithësi dhe ku mendoni se e goditët Partizanin?

Kur ishim me forca të barabarta në fushë, sërish i kishim marrë mirë masat dhe në varësi të fazave të lojës, do të ndryshonim edhe vendosjen. U lamë përparësi të na merrnin qendrën dhe të nisnin sulmet me dy qendërmbrojtësit. Në momentin që rifitonim topin, atëherë dilnim shpejt dhe mendoj se bëmë mirë. Derbi i ka të gjitha, pasi doza emocionale dhe atmosfera në stadium ndikuan te lojtarët. Mund të bënim në disa momente më mirë, por në fund rëndësi ka që fituam, kjo sigurisht falë shpirtit të garës.

Duket sikur ia keni marrë dorën derbit?

Këtë derbi doja ta fitoja shumë, sidomos për lojtarët e rinj. Ishin gjashtë në fushë dhe katër në pankinë që nuk e kishin provuar këtë ndjesi. Ata kishin nevojë të shikonin dhe ndienin “live” rëndësinë e derbit. Kjo ndeshje ka një domethënie dhe një pikënisje, gjithmonë nëse e shfrytëzon.

Si e shikoni vazhdimësinë, jeni gati për të marrë kreun?

Kjo fitore do të na shërbejë shumë. Do t’i marrim më të mirat kësaj ndeshjeje, por nuk duhet të kalojmë në eufori, pasi nëse ndodh kështu, kjo të çon shpejt te dështimi. Lumturia zgjat deri nesër, sepse na pret punë për ndeshjen e radhës, që vjen shpejt.

Xhixha po kalon një formë të shkëlqyer, e prisnit këtë moment?

Xhixha është një nga lojtarët kryesorë te ne. Edhe në sezonin e kaluar ka bërë një kampionat shumë të mirë. Është një lojtar altruist, që gjithmonë ka shërbyer për Seferin gjatë kampionatit të kaluar. Në situata të vështira na ka marrë për dore. Redoni është në momentin e tij më të mirë dhe sa i përket penalltisë, kemi tre lojtarë që i godasin, por kush ndihet më mirë e gjuan. Xhixha, përveç cilësisë që ka, tregoi edhe personalitet. Ai është shumë i rëndësishëm për ne.

Partizanin e shikoni rival direkt për titull?

Është një rival i denjë dhe ndeshjet tona janë gjithnjë të luftuara. Ashtu si ne, edhe ata kërkojnë majat. Rivaliteti i Tiranës dhe Partizanit mendoj se i bën shumë mirë kampionatit. Tashmë derbi iku, duhet të shohim përpara.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"