EKSKLUZIVE/ “Xhixha i jashtëzakonshëm”, Ardit Deliu: Tiranë tjetër, nuk na trembi Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2022 | 22:05

EKSKLUZIVE/ “Xhixha i jashtëzakonshëm”, Ardit Deliu: Tiranë tjetër, nuk na trembi Partizani

Ardit Deliu është një nga liderët e mes fushës së Tiranës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Deliu flet për sfidën derbi, por edhe për këtë Tiranë që po forcohet dita-ditës. Ish-lojtari i Laçit ishte një nga blerjet e fundit të Tiranës këtë verë. Në fakt, Deliu vetëm para pak kohësh firmosi për klubin letonez, Liepajën.

Deliu Tirana

Deliu në Letoni në “Virsliga” është aktivizuar në tetë takime, ku ka dhënë 1 asist dhe ka luajtur 423 minuta. Edhe në Europë me letonezët nuk është aktivizuar shumë. Në katër sfida ka qenë në fushë vetëm 2 herë si zëvendësues, duke u aktivizuar vetëm 54 minuta. Për sa i përket 24-vjeçarit nga Kavaja, Deliu ka qenë një nga futbollistët kryesorë të ekipit kurbinas gjatë sezonit që lamë pas. Ai u aktivizua në total në 30 ndeshje të Superiores.

Deliu fituat derbin me Partizanin. Për ju ishte ndeshja e parë. Si e parë këtë sfidë në syrin e një debutuesi?

Ishte një ndjesi e veçantë. Ishte derbi i parë në karrierën time sportive. Nuk i kisha përjetuar ndonjëherë këto emocione, pasi nuk kisha qenë me këto dy skuadra. Ama me fitoren gjithçka u bë më e bukur.

Një ndeshje e madhe për Tiranën. Në fillim një penallti e humbur, më pas karton i kuq dhe dy golat e Xhixhës. Një opinion?

Realisht, takimi na u bë i vështirë. Xhixha humbi penallti, më pas mbetëm me 10 vetë, prej kartonit të kuq që mori shoku ynë. Me pak fat, dolëm nga situata dhe me dy golat e Redonit na u bë çdo gjë më e lehtë.

Me këtë lojë që bëtë në derbi dhe takimin me Vllazninë, është kjo Tirana reale?

Unë besoj akoma jo. Ekipi nuk është ai i duhuri në lojë, sepse djemtë janë të duhurit. Ende nuk kemi dhënë maksimumin. Deri tani janë luajtur gjashtë javë, kështu që për pak do të shihni Tiranën edhe më të fortë.

Një pyetje klishe, por e domosdoshme. Kjo skuadër mund ta mbrojë titullin kampion?

Patjetër që po. I kemi të gjitha cilësitë në skuadër dhe kualitetin e duhur për të dalë kampionë të Shqipërisë.

Bekaj në fund të ndeshjes tha që pas kartonit të kuq e ëndërroja barazimin. Ju ishit në një mendje?

Të them të vërtetën kur ndëshkohesh me karton të kuq nga minuta e 35-të, në ato raste duke parë që ke përballë edhe Partizanin, të shkon në mendje që edhe barazimi nuk do të ishte keq. Pastaj ashtu si shkoi loja pas golit të parë nuk patëm frikë dhe vazhduam rrugën drejt fitores.

Për Xhixhën, mikun tuaj, keni ndonjë fjalë?

Është fantastik. Rrimë 24 orë bashkë, siç i thonë fjalës. Bëjmë gjithçka bashkë. Vetëm gjumin nuk e bëjmë bashkë.

Pas aventurës me Laçin, ju tani luani me Tiranën, por në fundjavë përballeni me Laçin. Si do të jetë?

Diçka e veçantë. Te Laçi kam kaluar katër vite shumë të bukura. Kam pasur suksese të mëdha si në Europë dhe në kampionat. Tani normalisht që jam në një ekip tjetër dhe do të bëj maksimumin për ekipin e ri. Do të luaj njëlloj siç kam bërë maksimumin kur kam qenë te Laçi.

OLSI AVDIAJ  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"