EKSKLUZIVE/ Longo: Kam 8 trofe ndërkombëtarë, Gjici nuk del dot nga Kukësi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2022 | 20:36

EKSKLUZIVE/ Longo: Kam 8 trofe ndërkombëtarë, Gjici nuk del dot nga Kukësi (E PLOTË)

Diego Longo nuk i ka kapërdirë lehtë kritikat dhe akuzat e Safet Gjicit. Ish-trajneri italian i Kukësit pati deklaruar fillimisht se në klub kishte njerëz që mendonin vetëm për përfitime personale dhe se të rinjtë paguanin nga 2 mijë euro për t’u stërvitur me skuadrën e parë.

DIEGO LONGO

E ashpër ishte më pas replika e presidentit të nderit të Kukësit, i cili deklaroi se Longo ishte me probleme në tru.

Gjici tha se ishte penduar që i kishte dhënë aq shumë besim një njeriu që as në Europë nuk e çoi dot skuadrën, ndonëse në një moment të sezonit, u shkëput plot 13 pikë nga Partizani.

Longo nuk është tërhequr dhe ndonëse në mënyrë të moderuar, i është përgjigjur Gjicit, duke thënë ekskluzivisht për “Panorama Sport” se kur ai ka shëtitur botën përmes futbollit, Safeti nuk ka dalë ndonjëherë jashtë Kukësit.

DEKLARATA – “Çdo shprehje vulgare dhe çdo gjykim negativ apo, më keq akoma, përbuzës nga ana e Gjicit, mua më bën të ndihem krenar, sepse jam një trajner që ka fituar 8 trofe ndërkombëtarë, mes të cilëve edhe një Ligë Kampionesh.

I them Gjicit se kur ai grumbullonte 45 pikë me skuadrën e tij, unë luaja në ‘Kamp Nou’ ose në ‘Juventus Stadium’.

Kam më shumë se 600 ndeshje ndërkombëtare dhe falë futbollit unë kam shëtitur gjithë botën, ndërsa ai nuk ka dalë kurrë nga Kukësi.

Kështu që nuk mund t’i përgjigjem dhe nuk dua të humb kohën time me gjëra të tilla.

Gjici, me ato që thotë, ka konfirmuar ato që kam deklaruar unë në raport me ato që kanë ndodhur në mënyrë konstante.

Unë jam i lumtur që në krahasim me sezonin e kaluar, Kukësi grumbulloi 10 pikë më shumë sesa vitin e kaluar, me 50 për qind të buxhetit.

Jam i lumtur që vlera e skuadrës që unë drejtoja u rrit nga 3.1 milionë në 4.1 milionë. Jam i kënaqur me punën që bëmë me futbollistët dhe unë i përgëzoj të gjithë.

Është e qartë që unë nuk do të humb kohë me gjëra të tilla.

Kaq është e gjitha. Unë do të vazhdoj që të respektoj Kukësin për njerëzit që e mbështesnin dhe e donin atë skuadër, për njerëzit që munda të njihja aty dhe për tifozët që e dashuronin atë skuadër.

Kam shumë respekt edhe për lojtarët. Kaq është e gjitha”.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ “Ia dhashë unë Gjicit listën e të pandershmëve”, shpërthen Longo: Turp, te Kukësi lojtarët paguanin 2 mijë euro për… (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ “Bënte si Murinjo por ka qenë mbledhës topash”, Gjici shpërthen në akuza kundër Longos: Në Vlorë desh e therën si kec

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"