EKSKLUZIVE/ Vukiçeviç: Afrimet e reja të Laçit nuk janë ende gati, Partizani klub i madh!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2022 | 14:22

EKSKLUZIVE/ Vukiçeviç: Afrimet e reja të Laçit nuk janë ende gati, Partizani klub i madh!

Laçi e nisi mbarë aventurën në Superioren e këtij sezoni me një fitore bindëse me shifrat 3-1 ndaj Teutës. Ditën e sotme, kurbinasit luajnë në Elbasan ndaj Partizanit, duke nisur nga ora 19:30. Para kësaj sfide, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” ka folur trajneri i kurbinasve, Dejan Vukiçeviç, i rikthyer te Laçi gati një vit pas aventurës së vitit të shkuar, ku shumë gjëra nuk shkuan mirë. Gjithsesi, tashmë është tjetër histori. Për gazetën, Vukiçeviç shprehet se Partizani është një rival i rëndësishëm, por skuadra e tij e ka përgatitur ndeshjen si zakonisht. Vukiçeviç shton se lojtarët e ardhur së fundmi, si Alla apo Shkurtaj, nuk janë të gatshëm për të luajtur ndaj “demave”.

Trajneri i Laçit, Vukiçeviç logo

E nisët aventurën tuaj të dytë me Laçin me një fitore ndaj Teutës. Çfarë prisni nga skuadra në ndeshjen me Partizanin?

Më gëzon fitorja ndaj Teutës dhe loja që kemi paraqitur, por kjo ndeshje ka përfunduar shtatë ditë më parë. Tashmë kemi ndeshjen e radhës. E dimë se kampionati është shumë i barabartë dhe do të jetë i luftuar, prandaj të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Partizani ka një ekip shumë të mirë dhe është një klub me një histori të madhe, që ne e respektojmë, por do të përpiqemi të bëjmë një punë të mirë dhe të bëjmë një lojë të mirë ndaj tyre. Ka tri pikë në lojë, është një ndeshje ndaj një rivali të fortë dhe asgjë më shumë. Kështu e kemi përgatitur këtë ndeshje gjatë javës.

Si është situata në ekip përpara kësaj ndeshjeje dhe a janë gati për të zbritur në fushë afrimet e zyrtarizuara së fundmi?

Situata është shumë e komplikuar për ne. E vërteta është se lojtarët që kanë ardhur me vonesë, nuk mund të na ndihmojnë shumë në këtë moment. Ne po punojmë me ta, por nuk do të nxitojmë, në mënyrë që t’i përgatisim mirë dhe pa rrezikuar. Gradualisht, ata do të ingranohen në skuadër dhe do të na ndihmojnë për të vazhduar garën.

Keni planifikuar ndonjë ndryshim në formacion apo do të jetë e njëjta skuadër që mposhti Teutën në javën e parë?

Ne kemi një skuadër të përgatitur, por deri në ndeshje nuk flas në lidhje me aspektin teknik apo formacionin. Mund të them vetëm se nuk kam dyshime dhe e di se kush do të luajë. E rëndësishme nuk është vetëm kush e fillon, ndonjëherë më e rëndësishme është kush e përfundon ndeshjen duke luajtur. Ajo që ka më shumë rëndësi, është që lojtarët të jenë në nivelin e tyre, të përgatitur, të përqendruar dhe të gatshëm për një ndeshje të rëndësishme. Të tregohen inteligjentë, ta lexojnë lojën, të argëtohen duke luajtur, por edhe të durojnë kur skuadra ka nevojë për ta bërë këtë.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"