EKSKLUZIVE/ “Vrapime anës detit dhe më pas ngujim”, mbrojtësi i Vllaznisë: Nuk i kuptoj disa të rinj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2020 | 20:16

EKSKLUZIVE/ “Vrapime anës detit dhe më pas ngujim”, mbrojtësi i Vllaznisë: Nuk i kuptoj disa të rinj

Renato Malota ndihet me fat që ka shtëpinë buzë detit dhe në këtë situatë mundohet të mbaj sadopak formën, duke bërë vrapime çdo ditë.

Malota

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, lezhjani që luan sezonin e tretë radhazi me fanellën e Vllaznisë tregon për ditët pa futboll dhe atë që i ka bërë përshtypje. Malota bën apel që njerëzit të jenë më të përgjegjshëm, ndërsa mbetet i befasuar se si disa të rinj dalin masivisht dhe bëhen problem edhe për të tjerët.

Renato, gjithçka është bllokuar dhe nuk mund të flitet për futboll. Si po e përjeton këtë situatë dhe me çfarë e shtyn kohën?

Të them të drejtën është situatë shumë alarmante, duke parë atë që po kalojnë edhe shtetet e tjera fqinje, ku ka me mijëra të vdekur. Duhet të bëjmë shumë kujdes dhe më vjen mirë që në përgjithësi njerëzit e kanë marrë seriozisht këtë situatë. Uroj të kaloj sa më shpejt dhe pa pasoja të mëdha.

Pse nuk mbyllen kaq lehtë shqiptarët në shtëpitë e tyre?

Sinqerisht nuk e di si ta shpjegoj, sepse në këtë situatë që po kalojmë duhet të jemi të sigurtë. Më vjen keq që shoh të rinjtë që dalin për qejf apo për të parë se çfarë bëhet vërdallë. Gjithashu edhe njerëz që qëndrojnë 2-3 vetë bashkë për të bërë pazar, gjë që është e ndaluar. Në këtë rast them: “Zot na ruaj”.

Keni mundësi të stërviteni individualisht në kushte të tilla?

Po stërvitem çdo ditw, sepse jam me fat që kam shtëpinë afër bregdetit në Shëngjin. Çdo ditë bëj një deri në dy orë vrapime buzw detit, por gjithmonë vetëm dhe duke u ruajtur me masat mbrojtëse. Më pas qëndroj në shtëpi gjithë kohës.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"