Ekskluzive/ Votimi “tronditës” i 30 klubeve, duan “revolucion” për elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2018 | 23:00

Ekskluzive/ Votimi “tronditës” i 30 klubeve, duan “revolucion” për elitën

Ka një dilemë të vazhdueshme në lidhje me formulën e kampionatit të Superiores dhe skuadrave pjesëmarrëse. Shumë herë është hedhur ideja e ndryshimit të formulës aktuale me 10 ekipe dhe shtimin e skuadrave. Kampionatit aktual nuk i duhen mohuar disa përfitime ku është zhdukur ai që quhej “mesi i artë”, në të cilin ekipet që nuk luftonin për asgjë, diktonin garën me aleancat dhe tolerimet që bënin.

Kategoria-Superiore-2018

Një vit më parë, klubi më i titulluar në Shqipëri, Tirana ra një kategori më poshtë për herë të parë në historinë e saj. Në sezonin aktual rrezikojnë shumë klube me traditë dhe emër si Vllaznia apo Teuta. Kjo është një prej handikapeve të këtij kampionati me 10 ekipe.

Klube me emër dhe që kanë lënë gjurmë në futbollin shqiptar, që përfaqësojnë qytete të mëdha, si Besa, Tomori, Apolonia, Dinamo, Besëlidhja apo Pogradeci, enden prej vitesh në Kategorinë e Parë. Për të mos folur për Elbasanin që përfundoi në nivelin e tretë të futbollit shqiptar.

SONDAZHI

Në këtë pikë lind edhe diskutimi i madh, nëse ia vlen që gjithë këto skuadra të mbeten në një kategori siç është e Para, që ka gjithashtu një problematikë shumë të madhe. Po, sepse kryesisht pas pjesës së parë të sezonit bëhet një garë thuajse plotësisht fiktive.

Asambleja e FSHF

Gazeta “Panorama Sport”, për t’i treguar opinionit publik se çfarë qëndrimi kanë klubet e Superiores dhe Kategorisë së Parë për këtë çështje, ka organizuar sondazhin e sotëm duke i pyetur të gjithë. Në mënyrë të çuditshme rezulton se skema aktuale me Superioren me 10 skuadra nuk është ajo më e preferuara. Madje, edhe vetë klubet e elitës kërkojnë shtimin e numrit të skuadrave.

Nga ekipet që janë aktualisht pjesë e Superiores, vetëm tre prej tyre kërkojnë që kampionati të mbetet kështu siç është. Nga 30 klube të pyetura në total, 15 prej tyre kërkojnë një kampionat me 14 skuadra. 6 duan një ligë me 12 ekipe, ndërsa tre e kërkojnë me 16 ekipe. Por, ka edhe propozime të veçanta, si ai i Kukësit që do një kampionat të përbashkët Shqipëri-Kosovë me 16 skuadra, 10 shqiptare dhe 6 kosovare.

halili

Ndërsa, te Tirana ende nuk e kanë harruar rënien në Kategorinë e Parë në fund të kampionatit të kaluar. Bardheblutë e kanë siguruar rikthimin në elitë për sezonin e ri. Por, presidenti Refik Halili nuk e harron atë çfarë ka ndodhur.

“Pyesni ata që hodhën Tiranën një vit më parë”, ishte përgjigjja e kreut të skuadrës bardheblu në lidhje me ndryshimin apo jo të numrit të skuadrave. Kjo është vetëm nisma e gazetës, por mund të shërbejë si një pikënisje në të ardhmen që të hidhen hapa konkretë.

Duke parë që janë kaq shumë klube që kërkojnë një kampionat me 14 ekipe, në vazhdim ky propozim mund të konkretizohet në Federatën Shqiptare të Futbollit, pasi vendimi për ndryshim duhet të merret që një vit përpara se të hyjë në fuqi. Duka e ka lënë të hapur mundësinë për shtimin e skuadrave, por deklaratat publike shpeshherë janë krejtësisht të ndryshme nga dëshira reale e atyre që drejtojnë futbollin… Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

BESAR BOZGO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"