EKSKLUZIVE/ Vlonjatët nuk kanë në plan të kursehen, shpërndahet premio për lojtarët e Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2021 | 15:25

EKSKLUZIVE/ Vlonjatët nuk kanë në plan të kursehen, shpërndahet premio për lojtarët e Flamurtarit

Festë në Vlorë, lojtarët “ngrohin” xhepat. Fundi i nëntorit, atmosfera e festave të Pavarësisë dhe Çlirimit ka sjellë gëzim për të gjithë futbollistët e Flamurtarit. Administratori Sinan Idrizi ka mbajtur fjalën e dhënë dhe pas pesë fitoreve rresht, është shpërndarë shpërblimi.

FLAMURTARI

“Panorama Sport” zbulon se 250 mijë lekë të vjetër ka marrë secili lojtar për 15 pikët e grumbulluara radhazi në Kategorinë e Dytë. Bashkë me premion janë dhënë edhe pagat. Klubi ka likuiduar dy rroga.

PLANI

Ky është vetëm fillimi, pasi me premiot nuk mbaron këtu. Të tjera janë planifikuar për vijimësinë, madje do të jenë të afërta. Gazeta mëson edhe një tjetër politikë të klubit, që në fakt mund të lexohet edhe “ultimatum” për të vijuar me serinë e rezultateve pozitive.

Drejtuesit kërkojnë nga skuadra dy fitore radhazi, çka do të thotë se duhet të mundin Sopotin në Vlorë dhe Devollin në transfertë.

Nëse arrijnë që të marrin 6 pikë të plota për 180 minutat e ardhshme, atëherë do të ketë një tjetër shpërblim për skuadrën, që do të jetë edhe dhuratë me rastin e festave të fundvitit.

Ka qenë vetë administratori që ua ka komunikuar këtë gjë edhe lojtarëve dhe stafit teknik. “Pas dy fitoreve dhe të mbahet vendi i parë, keni sërish premio”, u ka thënë Sinan Idrizi, teksa ka shpërndarë premion e parë dhe dy rrogat.

POLITIKA

Viti 2023 duhet ta gjejë Flamurtarin në Kategorinë Superiore, është ky objektivi madhor i klubit. Për të mos diskutuar për asnjë moment këtë mision, drejtuesit kanë vendosur që të jenë korrektë në mënyrë absolute me shpërndarjen e pagave të lojtarëve dhe stafit teknik. Jo vetëm kaq, por në kontratë është përfshirë edhe një zë i veçantë, që cilësohet si bonus.

Kjo do të thotë se në rast fitoreje, lojtarët kanë bonus 10-20% të pagës, që do t’u kalojë automatikisht çdo muaj në llogaritë e tyre.

Mësohet se pavarësisht kategorisë ku gjenden, drejtuesit e klubit janë treguar të kujdesshëm, ndërsa nuk i kanë ulur pagat, por i kanë mbajtur thuajse konkurrente me ekipe të elitës.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"