EKSKLUZIVE/ “Vllazninë e shoh kampione me pak… sforco”, Djarmati flet nga India: Ja çfarë i mungon skuadrës shkodrane (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2022 | 20:20

EKSKLUZIVE/ “Vllazninë e shoh kampione me pak… sforco”, Djarmati flet nga India: Ja çfarë i mungon skuadrës shkodrane (E PLOTË)

India, Botërori, Vllaznia dhe Superiorja. Kjo ësh të ajo që kroati Matko Djarmati analizon në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”. Prej pesë muajsh në një tjetër kontinent, ish-drejtori i Vllaznisë së bashku me trajnerin Tomas Brdariç, po kalojnë një aventurë tek ekipi i Çenait.

Djarmati

Matko Djarmati dhe Tomas Brdariç, ish-drejtori dhe ish-trajneri i Vllaznisë

Matko, përtej Botërorit, kampionati juaj nuk është ndërprerë, si shkojnë gjërat në ekip?

Po, është e vërtetë. Jemi një nga kampionatet e rralla në botë që vazhdohet të luhet, nuk e di arsyen, por ne kemi për të zhvilluar gjashtë ndeshje për një muaj. Jemi mirë, gjërat po ashtu janë në rrugën e duhur, brenda objektivit. Aktualisht jemi në gjashtë vendet e para dhe shpresojmë që deri në fund të sezonit do të realizojmë objektivin që ka vënë klubi.

Kanë kaluar disa muaj në Indi, jeni ambientuar disi me vendin, çfarë ju bën më shumë përshtypje?

Janë bërë pesë muaj në Indi. Besoj që jemi ambientuar, pasi nuk jam vetëm këtu. Kam trajnerin Brdariç dhe lojtarin që ka luajtur te Vllaznia, Dianje. Kemi në ekip edhe një sulmues kroat, gjithashtu edhe stafi indian është i përgatitur dhe na kanë ndihmuar shumë, duke na treguar për kundërshtarët që kemi.

Çfarë objektivash keni këtë sezon me skuadrën?

Klubi ku jemi ne ka ndërruar katër trajnerë në katër vitet e fundit dhe objektivi ynë është që të vazhdojmë këtë projekt që kemi nisur, i cili është trevjeçar, por duhet të fitosh edhe besimin e presidencës. Objektivi është “play off”-i, gjashtë vendet e para dhe pastaj çdo gjë është e mundshme, pasi mund të dalësh kampion. Duhet edhe një stabilizim i klubit.

Sa i përket Botërorit, si ju është dukur Kroacia?

Kroacia nuk arriti të fitonte me Marokun, një ekip jo shumë i lehtë, ekip i mirë, por unë dhe gjithë opinioni kroat janë disi të zhgënjyer me ndeshjen e parë. Ishte dominues, por pjesën e dytë nuk tregoi cilësi dhe mendoj se Daliç po luante vetëm për një pikë. Ndërkohë, kundër Kanadasë, Kroacia tregoi se kush është në të vërtetë.

Duke parë nivelin e skuadrave që luajnë në Katar, mendoni se Shqipëria mund ta meritonte një vend?

Është e vështirë të japësh një opinion. Vetëm 13 ekipe shkojnë nga Europa në Botëror. Kampionati tjetër do të jetë me 48 ekipe dhe Shqipëria do të ketë më shumë shanse të shkojë në Botëror. Nëse e krahasojmë me ekipet që nuk janë nga Europa, atëherë jam dakord, Shqipëria e meritonte një vend në Botëror. Kur shohim ato të Europës pastaj që janë në kampionat, nuk mund të themi që Shqipëria duhet të jetë.

E keni ndjekur ecurinë e Vllaznisë këtë sezon, si ju është dukur ekipi?

E kam ndjekur Vllazninë, me aq sa kam pasur mundësi. I kam parë rreth 70 për qind të ndeshjeve të Vllaznisë dhe e di shumë mirë si është situata. E kam përmendur edhe më përpara dhe mendoj se mungon një sulmues pykë dhe një lojtar me fantazi. Besoj se nëse ndërhyjnë në merkaton e janarit dhe i gjejnë, do të jenë pretendentët kryesorë për të fituar titullin.

Me aq sa e keni parë, çfarë i ka munguar që ka pasur oshilacione në rezultate?

Edhe në vitet kur isha unë atje, kemi pasur oshilacione. Këtë vit më duket kampionati më i dobët sesa vjet, ku Tirana u shkëput shumë pikë përpara. Kështu më duket nga jashtë. Është pak më i ekuilibruar, ekipet janë atyaty dhe besoj se Vllaznia me pak sforco në merkato se do të arrijë të fitojë kampionatin, që nuk e fitoi dy vite përpara vetëm për dy gola.

Pse besoni se mund t’ia dalë në garën për titull me Tiranën dhe Partizanin?

Jam i sigurt që do të jetë në garë deri në fund për titullin dhe Kupën. Është një objektiv i klubit, tri vitet e fundit klubi është privat me një president dhe nuk është kënaqur me rezultatet mesatare. Dhe them se do të jetë një garë e fortë mes Tiranës, Vllaznisë dhe Partizanit se kush do të dalë kampion këtë vit.

Diskutoni me Brdariçin për Vllazninë, çfarë ju thotë Tomasi?

Çdo njeri që e njeh Tomasin, e di shumë mirë se dita e tij është 24 orë vetëm futboll. Patjetër që diskutojmë, flasim për ekipin ku jemi, Çenai, për Botërorin, por edhe për Vllazninë. Më shumë jemi të përqendruar këtu për të arritur një sukses me këtë ekip.

Erzeni ka surprizuar në Superiore, por gjithashtu edhe Egnatia po bën një kampionat të mirë. Si e shpjegoni ecurinë e këtyre skuadrave?

Për mua Erzeni patjetër që është një ekip surprizë, pasi ka hedhur poshtë strategjinë e punës në një ekip, që zakonisht punohet me një projekt të gjatë, por Erzeni u përgatit dy javë para kampionatit.Ndërsa Egnatia në krahun tjetër për mua nuk është edhe aq surprizë, pasi ishin shumë ambiciozë që në Kategorinë e Parë, u ngjitën në Superiore dhe pas një viti janë më stabël. Nuk e shoh Egnatian për titull, por e shoh si një pretendente kryesore për në Kupat e Europës.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"