EKSKLUZIVE/ Vllaznia siguron tjetër sulmues, shkodranët arrijnë akordin me ish-futbollistin e Shpresave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2020 | 22:34

EKSKLUZIVE/ Vllaznia siguron tjetër sulmues, shkodranët arrijnë akordin me ish-futbollistin e Shpresave

Vllaznia e ka nisur mbarë sezonin e ri, ku duket se puna e kryer gjatë merkatos së verës dhe gjatë fazës përgatitore ka qenë e menduar mirë. Shkodranët kanë bërë 15 afrime në merkaton e verës, por duket se drejtuesit kërkojnë akoma më shumë dhe duan që ta përmirësojnë organikën, në mënyrë që trajneri Tomas Brdariç ta ketë skuadrën e kompletuar. Edhe pse jemi në startin e sezonit, Vllaznia ka nisur punën me kohë për merkaton e janarit, ku një nga piketat ndodhet që tani pranë skuadrës. Bëhet fjalë për një përforcim në fazën sulmuese, ku një lojtar i tillë prej ditësh po stërvitet me kuqeblutë, por klubi është mundur ta mbajë të fshehtë. Pikërisht bëhet fjalë për 24-vjeçarin Elvir Maloku.

Spain - La Liga B 123 _ 2016-2017 / ( Club Gimnastic de Tarragona ) - Elvir Maloku
“Panorama Sport” zbulon se lojtari ka arritur një marrëveshje në parim me Vllazninë, por federimi i tij mund të bëhet vetëm në janar, kur hapet sesioni i dytë i lëvizjeve të futbollistëve. Maloku nuk është emër i padëgjuar për opinion futbolldashës, pasi ka qenë pjesë e Kombëtares U21, ku ka luajtur edhe tri ndeshje me kuqezinjtë. Maloku është prodhim i akademisë së Hajdukut të Splitit dhe para se të vinte te Shqipëria U-21, ka luajtur me kombëtaret e moshave të Kroacisë, U17, U-18 dhe U-19. Maloku shikohet si një përforcim për krahun e majtë të sulmit, por njëkohësisht mund të bëjë edhe rolin e fantazistit. Duke qenë se ka filluar që tani përgatitjet me ekipin, merktoja e janarit pritet ta gjejë Malokun të ambientuar me ekipin, si dhe me mënyrën e drejtimit dhe lojës së trajnerit Brdariç.

Elvir Maloku bëhet lojtari i dytë i “kaparuar” për merkaton e dimrit, ku dihet se më herët është gjetur akordi edhe për rikthimin e mbrojtësit Abdurrahman Fangu, i cili është në fazë rikuperimi nga operacioni që kreu pas largimit nga Laçi.

skeda

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"