EKSKLUZIVE/ Vllaznia rikthen sulmuesin që u largua nga Teuta, edhe një titullar drejt rinovimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2023 | 11:01

EKSKLUZIVE/ Vllaznia rikthen sulmuesin që u largua nga Teuta, edhe një titullar drejt rinovimit

Edhe pse ende pa një trajner, te Vllaznia nuk duan të humbin kohë sa u përket lëvizjeve në hyrje dhe dalje të merkatos verore. Duke qenë se shumë lojtarë janë në skadencë kontrate, së fundmi drejtuesit e klubit shkodran kanë nisur bisedimet me ata që kërkojnë të mbajnë në skuadër për të paktën edhe një sezon. Mësohet se portieri malazez, Bojan Zogoviç, ka marrë tashmë një ofertë zyrtare për të zgjatur kontratën.

zogovic

Burime në klub tregojnë se drejtori sportiv, Elvis Plori, ka takuar portierin dhe i ka bërë ofertën për kontratën e re, e cila pritet të jetë me terma të përmirësuar financiarë. Palët janë drejt mbylljes së marrëveshjes edhe për një sezon tjetër dhe kjo tregon për besimin që portieri dhe klubi kanë ndaj njëri-tjetrit.

Ky është sezoni i katërt që Zogoviç është pjesë e Vllaznisë, gjithnjë nëse firmos zyrtarisht kontratën edhe për vazhdimësinë. Ai ka pranuar në parim kushtet e ofruara dhe gjasat janë që pas nisjes së stërvitjes më 12 qershor, portieri të paraqitet në Shkodër dhe të firmosë edhe zyrtarisht kontratën e re.

Në klubin kuqeblu janë të bindur se pavarësisht sezonit jo të mirë të skuadrës, reparti i portës nuk duhet të ndryshohet, pasi krahas Zogoviçit, i gatshëm për një fanellë titullari është edhe i riu shkodran, Kristi Qarri, i cili sa herë është aktivizuar ka bërë mirë në takimet e Kupës së Shqipërisë.

SULMUESI – Ildi Gruda pritet të jetë goditja e parë e Vllaznisë në merkaton e verës. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht nga burime në klubin shkodran, se sulmuesi që mbylli sezonin te Teuta, ka pasur bisedime intensive së fundmi me drejtuesit kuqeblu dhe në parim ka gjetur akordin.

gruda

Gruda është larguar nga durrsakët dhe do të firmosë te shkodranët vetëm pasi të marrë letrat zyrtarisht nga Teuta. 23-vjeçari me origjinë nga Lezha ka qenë pjesë e akademisë Vllaznia, duke shkëlqyer me skuadrën U-19.

Më pas u transferua në Maltë te Valleta, ndërsa në sezonin 2019-2020 luajti në Kategorinë e Parë me Shënkollin. Në katër vitet e fundit Gruda ka qenë pjesë e Teutës, ku fitoi titullin, Kupën dhe Superkupën.

Ai u aktivizua në 95 ndeshje në Superiore me fanellën e durrsakëve, ndërsa arriti të shënojë 7 gola. Gruda është preferuar shumë nga trajneri Edi Martini, i cili tashmë është kandidat për të marrë drejtimin e Vllaznisë.

“Dua t’iu njoftoj se aventura te skuadra e Teutës mbaron këtu. Ajo çfarë ndiej është mirënjohje dhe falënderime pafund për këtë familje të madhe që më hapi dyert plot dashuri dhe më mori pranë gjirit të saj, duke më dhënë mundësinë të përjetoj 3 vite e gjysmë plot emocion, sfida dhe trofe. Dua të falënderoj presidentin Edmond Hasanbelliu për përkrahjen, trajnerin Edi Martini që besoi tek unë, të gjithë stafin me të cilët punova këto vite, shokët e skuadrës që kaluam çdo gjë bashkë dhe tifozërinë durrsake që na mbështeti në çdo moment të mirë e të keq”, ka shkruar Gruda në rrjetet sociale për largimin nga Teuta.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"