EKSKLUZIVE/ Vllaznia padit Bylisin për 120 milionë lekë, shkak bëhet lojtari i ballshiotëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2020 | 17:40

EKSKLUZIVE/ Vllaznia padit Bylisin për 120 milionë lekë, shkak bëhet lojtari i ballshiotëve

E bujshme! Vllaznia hedh në gjyq klubin e Bylisit për lojtarin Eridon Qardaku. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se drejtuesit shkodranë kanë depozituar pak ditë më parë në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF kërkesën për ta detyruar Bylisin që të paguajë vlerën e kompensimit për trajnim te Vllaznia për futbollistin Qardaku.vllaznia bylis marku

Në bazë të dokumentacionit zyrtar që klubi ka dërguar në FSHF, rezulton se prej vitit 2014 dhe deri në 2019-ën, i riu shkodran ka qenë pjesë e ekipeve të grupmoshave të Vllaznisë, duke filluar nga U-15, U-17 dhe U19. Në verën e 2019-ës, Qardaku u transferua te Bylisi si lojtar i lirë, duke qenë se ishte viti i tij i fundit me të rinjtë e Vllaznisë. Ai firmosi një kontratë afatgjatë me ballshiotët, por në shtator 2019, një vendim i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së bëri që të futeshin në lojë shkodranët. FSHF përcaktoi vlerat e kompensimit për trajnim dhe kategorizimin e klubeve.

Në këto kushte, drejtuesit e Vllaznisë, pasi e menduan mirë situatën me Qardakun, vendosën të hapnin gjyq ndaj Bylisit, me idenë për të marrë atë që u takon nga formimi i lojtarit në akademinë shkodrane. Në bazë të rregullores së FSHF-së, kostoja vjetore e trajnimit sa i përket një klubi që militon në Superiore është 30 milionë lekë të vjetër. Me një llogari të thjeshtë, Vllaznia tashmë do të kërkojë 120 milionë lekë të vjetër dëmshpërblim nga Bylisi, duke qenë se për katër vite me radhë ka përgatitur në akademinë e saj një lojtar si Qardaku.qardaku bylis

Burime të sigurta i treguan dje gazetës se Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve ka vendosur që gjyqi të bëhet më 21 janar, pikërisht të martën, në ambientet e FSHF-së. Nuk është çudi që klubet të gjejnë edhe një marrëveshje mes tyre për një shumë që ndoshta s’ka lidhje me atë që përcakton rregullorja. Megjithatë, edhe sikur një vit të ketë qenë pjesë e akademisë, klubi që merr lojtarin duhet të paguajë 30 milionë lekë të vjetër.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"