EKSKLUZIVE/ “Vllaznia nuk shkon në play-out”, ish-futbollisti shkodran: Lojtarët nuk komunikojnë me njëri-tjetrin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2020 | 11:16

EKSKLUZIVE/ “Vllaznia nuk shkon në play-out”, ish-futbollisti shkodran: Lojtarët nuk komunikojnë me njëri-tjetrin

Edmond Doçi e shikon të rëndë situatën te Vl laznia. Ish-mesfushori i shkodranëve mendon se ekipi po vuan jo vetëm mungesën e përgatitjes fizike, por edhe harmonizimin në lojë. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” 39-vjeçari evidenton se lojtarët nuk komunikojnë me njëri-tjetrin në fushë dhe gjithsecili luan për vete. Nuk e koncepton dot as faktin që klubi s’u licencua në Kupat e Europës, në një kohë që kuqeblutë historikisht luftonin për trofe.
edmond doci

E nisën sezonin me premtime të mëdha dhe tani po rrezikojnë “play out”-in. Si e shikon Doçi situatën te Vllaznia?
Situata nuk është e mirë dhe kjo është e qartë. Ndeshjet e fundit kanë ndërlikuar shumë edhe pozitat në tabelën e klasifikimit. Çfarë ndodhi që u përmbys gjendja? Për përkeqësimin e kësaj situate kanë ndikuar shumë faktorë, por më kryesorja është mungesa e përgatitjeve. Nëse tek ekipet e tjera pandemia nuk influencoi shumë, shkodranët i zuri më ngushtë. U gjetën të papërgatitur nga izolimi, por nuk më duket as normale që kur rifilloi futbolli ata e fundosën veten me këmbët e veta.

Pse e thoni këtë?
Ishte koha ku asnjë ekip nuk duhet të bënte stërvitje. E megjithatë, ajo që ndodhi më pas ishte shkatërruese për Vllazninë. Ata vazhduan të mos stërviteshin për arsye që tashmë i dinë të gjithë. Dhe sot shohim këto diferenca në aspektin fizik. Një anë tjetër që po bën të vetën, është edhe harmonia e munguar mes lojtarëve.

Doni të thoni që ka probleme brenda grupit?
Gjatë ndeshjes nuk ka komunikim. Duket sikur çdokush luan për veten dhe jo për ekipin.
VLLAZNIA BOJKOT (1)
A mendoni se Vllaznia do t’i largohet vendit të 8- të?
Në “play out” nuk do të shkojnë, megjithatë këto 5 javë që kanë mbetur do t’i kenë të vështira dhe do të jenë në stres. Rënien nga kategoria nuk e mendoj, se ekipi është shumë më i mirë. Madje, nuk kanë marrë aq sa duhet nga ky kampionat kur sheh cilësinë. Por, kanë qenë faktorët ata që e çuan në këtë pikë. Dhe kjo nuk është se po ndodh vetëm këtë vit, pasi u bënë 5 vite që po e mundojnë.

Vllaznia zyrtarisht nuk është licencuar nga UEFA dhe kjo pasi klubi nuk ndërmori hapin më të vogël për të plotësuar kriteret. Çfarë emri i vendosni kësaj situate?
Është për të ardhur keq që ekipi nuk u licencua. Vllaznia nuk është mësuar të luftojë për rënien nga kategoria, por për të marrë trofe.

Shihni shpresë për të ardhmen. Si mund të ndryshojë Vllaznia?
Vllaznia mund të ndryshojë vetëm me ardhjen e një presidenti, i cili jo vetëm duhet të ketë të ardhura dhe ta njohë mirë futbollin, por mbi të gjitha të jetë edhe një tifoz i mirë për ekipin.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"