EKSKLUZIVE/ Vllaznia ngre stekën, shkodranët duan Bregun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2020 | 23:00

EKSKLUZIVE/ Vllaznia ngre stekën, shkodranët duan Bregun

Ish-lojtari i kombëtares gjermane, Tomas Brdariç, mbërrin sot në Shkodër dhe me shumë mundësi do të jetë ai trajneri i ri i Vllaznisë. “Po, është e vërtetë që Brdariç do të vijë në Shkodër të enjten. Do të diskutojmë dhe më pas do të vendosim”, ka konfirmuar për “Panorama Sport” sponsori i Vllaznisë, Alban Xhaferi. Fillimisht u mendua se pas mbylljes së sezonit me Hysen Dedjen në pankinë, gjasat më të mëdha për stolin kuqeblu i kishte Auron Miloti. Mirëpo, pas shumë diskutimeve dhe faktit që Vllaznia ka tashmë një bashkëpunim me Rijekën në Kroaci, në “pole position” për stolin është Brdariç.
brdaric
45-vjeçari ka kombësi kroate, por ka lindur në Gjermani dhe karriera e tij është zhvilluar pikërisht në këtë vend. Ish-sulmuesi i Shtutgartit, Bajern Leverkusenit dhe Hanoverit, ka drejtuar për herë të fundit ekipin e Ligës së Tretë gjermane, FC Rot-Veis Erfurt. Gjithashtu ish-sulmuesi i kombëtares gjermane ka qenë për një periudhë të shkurtër në krye të Shkëndijës së Tetovës në vitin 2017. CV-ja e tij si trajner është modeste, ndërsa ka punuar edhe si drejtor sportiv te Dinamo Minsk në Bjellorusi dhe FC Bunyodkor në Uzbekistan.

OFERTË BREGUT
Vllaznia do të ndërhyjë fuqishëm në merkato dhe lëvizjet e ditëve të fundit po e konfirmojnë. “Panorama Sport” ka zbuluar nga burime të sigurta në klubin shkodran se drejtuesit e rinj i kanë bërë një ofertë tunduese yllit të Skënderbeut, Dejvi Bregu. Lojtari vlonjat ka dalë i lirë pas përfundimit të sezonit, pasi i ka skaduar kontrata me bardhekuqtë. Mësohet se persona të autorizuar nga donatori Alban Xhaferi kanë bërë një takim me vlonjatin dhe i kanë paraqitur ofertën në tavolinë.
dejvi bregu
Gjithsesi, është herët për të thënë nëse Bregu do të pranojë, pasi me sa duket, ka plane të tjera për të ardhur. Së fundmi vlonjati ka pritur një sinjal nga Kroacia, aty ku menaxherët e tij po punojnë për ta transferuar. Megjithatë, oferta e Vllaznisë është zyrtare dhe në rast se Bregu nuk gjen një skuadër jashtë Shqipërisë që të plotësojë kërkesat e tij, atëherë opsioni për t’u transferuar në Shkodër është i mundshëm. Ndërkohë, edhe nga ekipet e kryeqytetit, Partizani e Tirana, ka interesim konkret, por kjo mbetet për t’u parë. E sigurt është që Vllaznia, me afrimin e donatorit Xhaferi, si dhe pas emërimit të drejtorit sportiv, Matko Djarmati, po mundohet të mbyllë sa më shpejt kontratat me lojtarët që synon të afrojë. Objektivi është i qartë: ndërtimi i një skuadre pretendente për Kupat e Europës. Kësisoj, do të tentohet afrimi i lojtarëve më të spikatur të kampionatit, duke pretenduar se do të bëhet diferenca në aspektin financiar.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"