EKSKLUZIVE/ “Vllaznia në rritje”, portieri i shkodranëve beson për sezonin e ri: Optimist për Europën dhe titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2022 | 13:40

EKSKLUZIVE/ “Vllaznia në rritje”, portieri i shkodranëve beson për sezonin e ri: Optimist për Europën dhe titullin

Bojan Zogoviç po bëhet gati për sezo nin e tretë radhazi me fanellën e Vllaznisë. Portieri malazez në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pohoi se në Shkodër ndihet si në shtëpinë e tij, ndaj as që e kishte menduar që të ndryshonte ambient. “Gardiani” kuqeblu pohon se Vllaznia e sezonit të ri do të jetë një ndërthurje mes lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë, si dhe me stafin profesionist që kanë do të arrijnë të bëjnë gjëra të mëdha.

ZOGOVIC

Vllazninë aktuale ai e shikon më mirë se atë të edicionit të shkuar, ndaj beson se shkodranët mund ta finalizojnë kampionatin me titull. Sa i përket aventurës europiane me rumunët e Universitateas së Krajovës, Zogoviç u shpreh se përgatitjet po ecin me ritmin e duhur. Kundërshtarin ende nuk e njohin mirë, por portieri pohoi se duke besuar në vetvete shkodranët mund t’ia dalin ndaj rumunëve, që janë një ekip me nivel të lartë.

Për ju do të jetë viti i tretë në Shkodër. Çfarë ju bindi të vazhdoni sërish punën me Vllazninë?

Në Shkodër ndihem si në shtëpinë time. Jam këtu prej dy vitesh dhe tani po vazhdoj sezonin e tretë. Nuk doja të ndryshoja asgjë, sepse ndihem mirë këtu.

Si i shihni ndryshimet e bëra nga drejtuesit nga sezoni i kaluar?

Mendoj se të gjithë lojtarët që kanë ardhur janë të mirë dhe se do të kemi një ekip të mirë në vazhdim.

Sa ndikim mund të kenë disa nga lojtarët e larguar nga Vllaznia?

Mendoj se kemi pasur një ekip të mirë edhe në sezonin e kaluar, por nuk kemi bërë gjëra të mira në kampionat.

Pas fitimit të dy trofeve radhazi të Kupës së Shqipërisë, besoni se në sezonin e ri Vllaznia mund të shpallet kampione?

Është shumë herët për të folur për këtë gjë, por do të ishte mirë që ta realizonim objektivin madhor në fund të kampionatit.

Si është situata në ekip gjatë këtyre përgatitjeve për turin e dytë të Ligës së Konferencës?

Çdo gjë është nën kontroll. Ne punojmë shumë me nga dy seanca në ditë dhe besoj se do të jemi gati për aventurën europiane.

Sa njohuri keni për kundërshtarin rumun?

Nuk dimë ende shumë për Universitatean, por kemi kohë në dispozicion dhe me siguri do t’i analizojmë mirë rumunët përpara se të përballemi në fushën e lojës.

A ka besim tek ekipi për kualifikimin e Vllaznisë?

Duhet të jemi optimistë. E dimë që kundërshtari është i një niveli të lartë, por edhe ne kemi cilësitë tona, që duhet t’i shpalosim në fushë.

Si e shikoni Vllazninë në sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore?

Mendoj se do të kemi një kombinim të mirë të lojtarëve me moshë të re dhe atyre me përvojë. Si dhe me stafin profesionist që kemi do të arrijmë rezultate të mira në sezonin e ri.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"