EKSKLUZIVE/ Vllaznia mund të bëhet sërish me president, Xhaferi del hapur: Dua të marr drejtimin e klubit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2020 | 9:28

EKSKLUZIVE/ Vllaznia mund të bëhet sërish me president, Xhaferi del hapur: Dua të marr drejtimin e klubit

Pas shumë vitesh, Vllaznia mund të bëhet sërish me një president. Nëse deri dje është thënë dhe stërthënë se mungojnë të interesuarit për të marrë drejtimin e klubit më të vjetër në Shqipëri, tashmë kemi edhe një emër konkret. Ai është Alban Xhaferi, i cili aktualisht mban edhe postin e presidentit në Shoqatën e Basketbollit në Shkodër.

ALBAN XHAFERI

U bënë ditë që po lakohet si një kandidaturë e mundshme, ndaj edhe “Panorama Sport” është munduar që të zbulojë diçka më shumë rreth kësaj historie. Në një intervistë të dhënë enkas për gazetën, ai nuk e ka fshehur dëshirën për të marrë dhe menaxhuar klubin e futbollit Vllaznia sh.a. Planet i ka të qartë: nuk do që të jetë thjesht një administrator, por president me të drejta të plota. Tashmë gjithçka mbetet në dorën e Bashkisë së Shkodrës, gjë që e thekson edhe vetë Xhaferi. Ai shpjegon se mbetet në pritje të një ftese për të nisur zyrtarisht edhe bisedimet.

Xhaferi, u bënë ditë që flitet se ju keni shfaqur interes për të marrë drejtimin e klubit të futbollit Vllaznia. Sa e vërtetë është kjo?

Ka kohë që tifozët shkodranë më thonë: “Pse nuk e merr edhe futbollin…?” Kjo më ka shtyrë që ta shikoj këtë si mundësi. A ka shkodran që nuk do ta kishte një dëshirë të tillë, do të pyesja unë? Unë them se jo dhe kjo është e natyrshme. Ndaj, nuk më mbetet tjetër veçse të them hapur se është e vërtetë që kam shfaqur interes për te marre klubin e futbollit Vllaznia.

Ua keni parashtruar këtë dëshirë drejtuesve më të lartë të Bashkisë së Shkodrës, më konkretisht kryebashkiakes Voltana Ademi?

Të jem i sinqertë, mes meje dhe drejtuesve të lartë të bashkisë ka pasur vetëm gjëra spontane për këtë nismë. Për momentin kaq mund te them. Nëese ajo (kryebashkiakja) dëshiron bashkëpunim, mund te ulemi dhe te gjejme gjuhen e perbashket per menyren si do te veprojmë. Unë e kam hedhur një hap, tani e shikoj si të udhës që ata të më thërrasin, nëse kanë një projekt konkret për ta lëshuar klubin. Ndaj, jam në pritje.

Ju kërkoni që ta administroni apo keni dëshirën që të shkoni më tej?

Unë nuk jam i interesuar aspak qe te jem administrator i klubit. Dëshiroj te shkoj me tej, por janë shume gjëra për t’u diskutuar dhe sqaruar. Tashme jam ne pritje te asaj se çfarë do te ndodhe nga ana e drejtueses më të lartë të Bashkisë së Shkodrës.

Ju a keni një projekt konkret?

Modalitetet do të shikohen pastaj. Bëhet fjalë për një marrëdhënie biznesi ku do të flitet për të gjitha. Çdo gjë është në hapat e parë. E rëndësishme është që të nisin bisedimit dhe pastaj duke parë e duke bërë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"