EKSKLUZIVE/ “Vllaznia, mos dëgjo trajnerët”, ish-kapiteni Gilman Lika: Ju tregoj 2 lojtarët e skuadrës shkodrane që janë për Kombëtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2021 | 20:07

EKSKLUZIVE/ “Vllaznia, mos dëgjo trajnerët”, ish-kapiteni Gilman Lika: Ju tregoj 2 lojtarët e skuadrës shkodrane që janë për Kombëtare

Gilman Lika është një futbollist që ka fituar shumë trofe dhe e di mirë se çfarë do të thotë të ruash vendin e parë në kampionat.

Vllaznia festa e golit Gilman Lika

Ish-kapiteni i Vllaznisë, i cili që prej verës së vitit të kaluar është pa skuadër, në një intervistë për “Panorama Sport”, bën thirrje se te shkodranët nuk duhet të merren me deklaratat që japin trajnerët e ekipeve rivale, pasi, sipas tij, çdo gjë e bëjnë me qëllim për të dështuar skuadra kuqeblu këtë sezon.

Ndoshta mesfushori mund ta ketë me thënien e trajnerit të Laçit, Shpëtim Duro, pak javë më parë se Vllaznia është 99% kampione, por gjithsesi Gilman nuk përmend emra. Lika vlerëson së tepërmi mbrojtësit Gurishta dhe Adili.

Gilman, si e keni parë kampionatin deri më tani? Mendoni se renditja pas dy fazave të para konfirmon atë që skuadrat kanë dhënë në fushë?

Mendoj se renditja është e saktë për atë që skuadrat kanë paraqitur deri më tani. Çdo ekip ndodhet aty për aq sa ka dhënë në fushën e lojës për këto dy faza. Ju ka befasuar ecuria e Vllaznisë? Po, më ka befasuar. Çdo shkodran mendoj se është befasuar nga kjo paraqitje e Vllaznisë këtë sezon. Shpresoj të vazhdojë kështu, duke më befasuar deri në fund.

Cilat ekipet mendoni se janë larg pritshmërive këtë kampionat?

Ekipet si Laçi, Teuta, Kukësi apo Tirana, jo se më kanë zhgënjyer, por me kontigjentin që kanë duhet të jepnin më shumë. Kështu e gjykoj unë, duke parë edhe përbërjet që kanë.

Vllaznia ka një diferencë prej 6 pikësh nga ndjekësi më i afërt, Partizani. Cili ekip mendon se rrezikon më shumë shkodranët në luftën për titull?

Partizani, Laçi dhe Teuta për momentin janë më afër. Të tria besoj se do ta rrezikojnë Vllazninë.

Humbja me Laçin sa e ndërlikon situatën dhe çfarë i duhet tani skuadrës për të qenë e sigurt drejt titullit?

Nëse ndeshja me Laçin do të ishte fituar, sot do të flisnim për një Vllazni që kishte bërë një hap shumë të madh drejt titullit kampion. Megjithatë, nuk duhet ta bëjnë dramë këtë humbje. Thjesht duhet të përqendrohen që mos të gabojnë në vazhdimësi dhe sidomos në këto dy ndeshjet e radhës ndaj Apolonisë dhe Skënderbeut. Duhet të fitojnë patjetër të dyja takimet.

Çfarë i druheni më shumë tek ekipi shkodran në luftën për të mbajtur vendin e parë deri në fund?

Thjesht, nuk duhet të merren me çfarë deklaratash bën një trajner apo një tjetër, sepse jam i bindur se ata e kanë bërë me qëllim për të dështuar Vllaznia. Është gabim i madh nëse dikush mendon se Vllaznia ka siguruar titullin, kështu që ndeshjet duhet t’i marrë dhe t’i vlerësojë sipas radhës. Duhet t’i konsiderojë të gjitha finale nëse e do titullin.

Cili lojtar mendoni se po bën liderin e ekipit këtë sezon?

Gurishta dhe Adili janë përmirësuar shumë dhe e kanë rritur nivelin e tyre. Shpresoj dhe mendoj se të dy e meritojnë një ftesë në Kombëtare.

Çfarë plane keni për të ardhmen?

As vetë nuk e di deri tani, sepse s’më ka dalë ndonjë gjë që ia vlen.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"