EKSKLUZIVE/ Vllaznia merr mbrojtësin që ndali Salahun, Godfrej: Shkodra si trampolinë, ma sugjeroi… Ze Maria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2019 | 20:16

EKSKLUZIVE/ Vllaznia merr mbrojtësin që ndali Salahun, Godfrej: Shkodra si trampolinë, ma sugjeroi… Ze Maria

Ualusimbi Godfrej është bashkuar dje me ekipin e Vllaznisë. Pas disa javësh pritjesh, ugandezi që ka mbi supe mbi 103 ndeshje me ekipin kombëtar të vendit të tij, dje është bashkuar në stërvitjen e pasdites me skuadrën shkodrane.

Vllaznia futbollisti (1)

Ka qenë vetë trajneri Jonuz që ka prezantuar para ekipit lojtarin me të cilin disa minuta ka bashkëbiseduar për formën e tij. Ai për më shumë se një javë ka qëndruar në Egjipt për t’u pajisur me vizën shqiptare dhe më pas ka arritur që të bashkohet me kuqeblutë. Ai do të jetë deri në fund të këtij sezoni me Vllazninë.

Pavarësisht 30 viteve që ka mbi supe, ugandezi në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, është shprehur se Vllazninë kërkon ta shfrytëzojë si trampolinë për të treguar vlerat e tij. Po ashtu, ai synon që të shkojë me këtë skuadër sa më lart. Ai ka folur edhe për emocionet që ka ndierë kur përballë ka pasur emra të mëdhenj si Mohamed Salah, të cilin e ka mundur 1-0 me kombëtaren e Ugandës në kualifikueset e Botërorit 2018.

Duke ju uruar mirëseardhjen, doja t’ju pyesja pse zgjodhët pikërisht Vllazninë për të vijuar karrierën tuaj?

Kam menduar se është një ekip shumë i mirë. Kam dëgjuar shumë për këtë skuadër dhe kam menduar se prej këtu mund të ekspozohem në klube të rëndësishme europiane. Pra, mund të jetë një mundësi e mirë për të pasur oferta edhe më të mira për të ardhmen.

godfrej (1)

U bë kohë që ju presin në Shkodër, kaq e vështirë ishte të merrnit një vizë?

Më është dashur që të pres gjatë. Nuk di sesi janë gjërat, por mua më kanë vonuar për këtë gjë.

Çfarë dini për Vllazninë?

Unë e kam dëgjuar disa vite më parë emrin e Vllaznisë. Më ka folur ish-trajneri im, Ze Maria, si për Tiranën, e po ashtu edhe për ekipin e Vllaznisë. Më ka folur shpesh për të dyja klubet. Kam marrë vesh se janë dy skuadrat më me traditë dhe me shumë ambicie.

Dikur ju ka dashur Ze Maria te Tirana, pse nuk u bë ky transferim?

Kam pasur një kontratë të gabuar te klubi i mëparshëm. Kisha firmosur gabim. Për Tiranën ishte e pamundur të përballonte kushtet që kishte ajo kontratë, prandaj nuk arrita që të isha pjesë e saj.

SALAH2

E keni ndjekur ekipin në këto 5 javë dhe çfarë pretendimesh keni nga kjo aventurë?

Nuk e kam ndjekur vizualisht, por kam mësuar se ecurinë nuk e ka të keqe, paçka se jo të gjithë gjërat mund të jenë në rregull. Unë mendoj se nëse skuadra do të tregojë shpirt në lojë dhe do të luajë fort, ne në fund të sezonit do ta shikojmë Vllazninë në vendet e kreut të tabelës. Drejtuesit më kanë informuar për këtë gjë.

Në Shkodër presin shumë prej jush, aq sa përmendet vazhdimisht që keni luajtur 93 ndeshje me kombëtaren e Ugandës…

Ju vendos nën presion kjo gjë? Unë kam ardhur që të bëj më të mirën time këtu, për ekipin, por edhe për vete. Shpresoj që të justifikoj besimin dhe atë që presin prej meje.

Capture

Para kësaj stërvitjeje, ju keni kontaktuar me trajnerin Jonuz. Jeni i gatshëm për të luajtur kundër Skënderbeut, apo u keni kërkuar edhe pak më shumë kohë?

E vërtetë, kemi folur për gjendjen time, por duke qenë se kam mbërritur vetëm pak orë më parë, i kam kërkuar trajnerit që të mos jem për këtë takim. Mendoj se më nevojitet të punoj një javë me ekipin dhe të shikoj edhe lojën e të përshtatem sadopak me skuadrën.

Kur kërkon në internet për Godfrej, del një foto që jeni në dyluftim me Mohamed Salah… Na tregoni pak për ndeshjen kundër Egjiptit dhe për duelin me sulmuesin e Liverpulit…

Mua më ka qëlluar që të luaj shumë ndeshje me kombëtaren e vendit tim. Të luash kundër Salah, apo emrave të tjerë që ka Afrika, është përherë një kënaqësi e madhe. Përballja me Egjptin, e sidomos dueli me Salah ishte me të vërtetë mbresëlënës. Kam kërkuar që të bëj më të mirën në atë ndeshje. Ka vite dhe kujtimet nuk janë si më parë, por ka qenë ndër sfidat me të bukura përballë një ylli të futbollit afrikan.

Është Salah sulmuesi më i rrezikshëm që keni hasur apo…?

Mund të them me plot gojën “po”. Nuk mendoj se është më i madhi i futbollit botëror në këto momente, pasi janë Mesi dhe Ronaldo, por ai renditet mes më të mëdhenjve. Dhe pa dyshim është më i madhi me të cilin unë jam përballur.

Këtu kanë luajtur shumë afrikanë dhe ugandezë më konkretisht… keni folur me ndonjë para se të vinit?

Jo, nuk kam kontaktuar me asnjërin prej tyre. I vetmi që më ka bërë ta njoh këtë vend, Tiranën e Vllazninë ka qenë trajneri Ze Maria.

ADMIR URUÇI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"