EKSKLUZIVE/ Vllaznia me serum, mjeku: E bëmë hotelin si… spital

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2021 | 18:17

EKSKLUZIVE/ Vllaznia me serum, mjeku: E bëmë hotelin si… spital

Stafi mjekësor i Vllaznisë ka përballuar një situatë të papritur para ndeshjes me AEL Limasolin në Qipro. Disa lojtarë shfaqën probleme shëndetësore dhe pati një alarm të madh për orë të tëra.

pjimage (4)

Mjeku i Vllaznisë, Ilirjan Haxhaja, në një bisedë për “Panorama Sport” sqaroi situatën në të cilën u gjenden lojtarët e ekipit kuqeblu para ndeshjes me AEL-in.

Sipas tij, gjithçka ka qenë një virozë e stinës, ndërsa zbulon se lojtarët nuk mund të shkonin dot në spital, për vetë situatën jo të mirë në Qipro prej COVID-19.

Edhe pse një prej tyre, Liridon Latifi, arriti të kontrollohej në një nga spitalet e Limasolit, ka qenë e pamundur për të tjerët që të merrnin ndihmë më të specializuar, por Haxhaja dhe pjesëtarët e tjerë të stafit mjekësor të Vllaznisë, të kryesuar nga mjeku i njohur, Zyhdi Çoba, e kthyen hotelin si spital të enjten paradite.

“Së pari, më duhet të falënderoj djemtë, që luajtën me zemër në një situatë të vështirë shëndetësore. Më saktë kishim të bënim me një virozë të stinës. Kjo lloj viroze godet aparatin e tretjes dhe kalon në një gjendje helmimi, që shoqërohet edhe me temperaturë. Patëm gati gjysmën e ekipit sëmurë, ku improvizuam spitalin në kushtet e hotelit për ndihmë mjekësore. Autoritetet shëndetësore në Limasol na vendosën në dispozicion atë që ne kërkuam dhe në kushte të tilla, improvizuam gjithçka.

Por, dua të theksoj se ishte virozë. Nuk ka pasur të bëjë fare me atë që përflitet të ndonjë helmimi të lojtarëve në hotel prej ushqimit”, ka sqaruar Haxhaja për gazetën, në një kohë që vetë fizioterapisti i kuqebluve ka publikuar në rrjetet sociale një foto me Fjoart Jonuzin, që merrte serum.

Kujtojmë që përveç Jonuzit dhe Latifit, shfaqën shenja viroze dhe Ardit Krymi, Mevlan Adili dhe Ardit Hoxhaj. Ky i fundit nuk arriti të përmirësohej pak orë para ndeshjes dhe qëndroi në hotel. Gjendja shëndetësore nuk ka qenë e mirë për vlonjatin, i cili paçka se ishte shënuar në protokollin zyrtar të takimit, nuk u aktivizua fare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"