EKSKLUZIVE/ “Vllaznia me hap kampioni”, Zmijani: Kemi 20 vite që presim, ju tregoj meritat e Brdariçit dhe Xhaferit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2020 | 15:15

EKSKLUZIVE/ “Vllaznia me hap kampioni”, Zmijani: Kemi 20 vite që presim, ju tregoj meritat e Brdariçit dhe Xhaferit

Luan Zmijani, pjesa e ekipit të fundit kampi on me Vllazninë, shpreson dhe dëshiron që skuadra e këtij sezoni të kthejë titullin pas 20 vitesh në Shkodër. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” Zmijani pohoi se as vetë s’e kishte menduar këtë start të Vllaznisë, por me këtë ecuri ai shpreson që ekipi të shikojë tani edhe për më lart.

Zmijani Vllaznia

Zmijani, si e vlerësoni këtë nisje të Vllaznisë?

E vlerësoj shumë pozitive. Nuk ka si bëhet më mirë për Vllazninë dhe kështu duhet të vazhdojnë.

Ishte një tregues fitorja me Tiranën për forcën e këtij ekipi?

Të fitosh me kampionen në fuqi është tregues mjaft pozitiv. Për më tepër të tregon që skuadra, kur beson në fitore, atë mund ta arrijë edhe në sekondat e fundit.

E kishit menduar më parë një start të tillë nga Vllaznia?

Të them të drejtën as që e kam menduar. Është një start shumë pozitiv dhe shpresoj të ecin kështu me rezultate të mira.

Keni ndonjë ide se deri ku mund të shkojë skuadra aktuale?

Të dalësh me një mendim është herët, por me këtë nisje do Zoti dhe na kthejnë mbrapa në kohë, kur në sezonin 2000-2001 shpalleshim kampion. Me të vërtet nisje është prej kampionësh, por sesa do të kenë këllqe për të ecur, kjo është për t’u parë.

Kujtuat sezonin 2000-2001 kur ju dhe ekipi u fituat titullin e fundit. Shpresoni se tani ka ardhur koha për titullin e 10-të?

Është shumë herët të mendosh ose të japësh një mendim për fitimin e titullit, por nisja është shumë premtuese. Do të ishte një mrekulli që të ndodhë sepse ky popull është i etur për këtë trofe. 20 vite pritje kohë e shumë e gjatë për tifozët e qytetin të Shkodrës.

Ku e shikoni forcën e kësaj skuadre?

Vrapojnë të gjithë dhe skuadra shikon përpara.

Nga afrimet, keni ndonjë lojtarë që ju bind dhe bën diferencën?

Me pëlqen portieri, pavarësisht se gaboi me Tiranën, si Da Silva me Isaevskin. Pjesa tjetër që janë afruar, ndoshta u duhet kohë më tepër për t’u përshtatur.

A ndihet puna e trajnerit tek ekipi?

Pa diskutim që është ai që ka meritën kryesore për këtë ecuri të mirë. Po afrimi i sponsorit çfarë merite ka? Në qoftë se ka trajneri meritën kryesore për anën teknike, atëherë pa diskutim që sponsori është ai që bëri të mundur afrimin e të gjithë stafit që po punojnë aty. Pra, ardhja e Xhaferit është një mbështetje dhe siguri për të ardhmen.

Si e shikoni ndeshjen e radhës ndaj Teutës?

Tepër të vështirë. Teuta ka bërë merkaton më cilësore, së bashku me Laçin, që kanë trajner tepër cilëso e të përgatitur, të dy shkodranë. Teuta është e përgatitur mirë dhe me objektiva madhorë. Këtu do ta shohim me të vërtet forcën e skuadrës tonë.

Te Teuta është Martini, një trajner shkodran, sa mund të ndikojë kjo te kjo përballje?

Nuk mendoj se do të ndikojë sepse pjesa më e madhe e skuadrës janë të huaj dhe nuk ka pse të ndikohen nga ky faktor.

Akademia Vllaznia vazhdon të prodhojë rezultate dhe lojtarë cilësorë, çfarë pritet në vijim?

Po është e vërtetë që kemi rezultate të mira, po punojmë çdo ditë bashkë me stafin, që të përmirësohemi dhe të kemi vazhdimësi në rezultate. Por më e rëndësishme është që ne të prodhojmë sa më shumë lojtarë cilësor, siç kemi bërë edhe në vitet tjera sepse ky është objektivi kryesor i akademisë.

ADMIR URUÇI  – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"