EKSKLUZIVE/ “Vllaznia gjithmonë në zemrën time”, Çinari: Titulli? Mendoj se…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2021 | 15:16

EKSKLUZIVE/ “Vllaznia gjithmonë në zemrën time”, Çinari: Titulli? Mendoj se…

Sulmuesi Erald Çinari për “Panorama Sport” është shprehur se Vllaznia është në zemrën e tij, dhe se përherë ka emocione kur luan kundër saj: “Sa herë që luaj ndaj Vllaznisë, ndiej emocione të mëdha. Vllaznia për ne shkodranët është ekipi i zemrës, për më tepër ne që kemi dalë nga ky klub. Ndërsa për ndeshjen duhet të them se ne bëmë gjithçka mirë në qarkullim topi në zotërimin e lojës, por nuk shkuam mirë në konkludim të rasteve. Mendoj se rezultati më i drejtë ishte pikërisht barazimi.

Cinari5556

Me rastet që u krijuan, të dyja ekipet bënë më të mirën e tyre”. Ndërsa sulmuesi ka folur edhe për përballjen e radhës, atë që të kuqtë kanë ndaj Bylisit. Për më tepër, Partizani ka tri sfida në shtëpi, por sipas Çinarit, të gjitha kanë rëndësinë e vet. “Nuk ka takime të lehta për ne. Duhet bërë më e mira në çdo seancë stërvitore e në çdo takim. Ne nuk duhet të shikojmë më larg se takimi i radhës. Ne duhet të marrim maksimumin në sfidën e radhës”, u shpreh sulmuesi. Ndërsa i pyetur nëse do të vijojë të jetë deciziv me golat e tij për skuadrën e kuqe, Çinari tha:

“Detyra ime është që të shënoj e të bëj maksimumin në çdo ndeshje. Unë me Partizanin e kam vërtetuar një gjë të tillë, edhe drejtuesit këtë e dinë mirë. Besoj të vazhdoj me këtë ritëm”. Në fund të prononcimit të tij, shkodrani i sulmit të kuqve shpreh dëshirën që të koleksionojë edhe një tjetër titull me këtë skuadër: “Ne jemi pa dyshim pretendentë për titull. Mendoj se i kemi mundësitë për një gjë të tillë. Dëshira ime është që ta fitoj edhe një titull tjetër me Partizanin. Nëse ne luajmë këtë futboll që po bëjmë tani dhe konkretizojmë më mirë, atëherë mund të them se e meritojmë këtë titull”, përfundoi Çinari.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"