EKSKLUZIVE/ “Vllaznia do jetë në Europë”, Voltana Ademi del garant: Borxhet? Ju tregoj rrugën e ndjekur për zgjidhjen e ngërçit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2021 | 23:47


EKSKLUZIVE/ “Vllaznia do jetë në Europë”, Voltana Ademi del garant: Borxhet? Ju tregoj rrugën e ndjekur për zgjidhjen e ngërçit (E PLOTË)

Bashkia e Shkodrës është aksionerja e vetme e klu bit të futbollit Vllaznia sh.a. Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, në emër të institucionit që ajo drejton, ka shprehur gjithë gatishmërinë e saj për të bërë të mundur licencimin e klubit të futbollit për pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

alban-xhaferi-voltana-ademi

Sipas kryebashkiakes, po punon një grup ekspertësh, sidomos ata të ekonomisë, me kontabilistë të pavarur që të bëjnë të mundur saktësimin e bilanceve dhe të shumave të mbetura të borxheve dhe më pas të gjendet edhe gjuha e përbashkët me Drejtorinë e Tatimeve për të likuiduar borxhet që klubi i futbollit Vllaznia sh.a ka ndaj saj.

Për Ademin janë edhe disa pika të tjera që duhen përmbushur, në mënyrë që të bëhet i mundur licencimi i Vllaznisë për në Europë. Por, më kryesorja që shprehet prej saj është fakti që nga ana e bashkisë ekziston një frymë optimiste që deri në afatet e përcaktuara nga UEFA, shkodranët do t’i kenë plotësuar tërësisht kushtet e tyre.

“Ne si klub po bëjmë gjithçka gati që deri në afatin e caktuar nga FIFA e UEFA klubi do të jetë i licencuar. Ne nuk po punojmë vetëm në një krah, por në të gjitha drejtimet që duhet të plotësojmë disa kushte të vëna për të bërë të mundur licencimin e klubit. Deri në datën e lejuar si afat ne si klub do të përmbushim çdo detyrim tonin. Ne do të bëjmë atë që kanë bërë të gjitha klubet më përpara.

Ato ndoshta kanë pasur të tjera kushte, ne kemi të tjera, por e rëndësishme është që ne kemi gjithë vullnetin për të plotësuar këto kushte dhe të kryejmë procedurën e licencimit brenda gjithë afateve. Nga ana jonë impenjimi është total në të gjitha drejtimet. Ne po punojmë me ekspertët tanë për të bërë të mundur që bilancet të jenë gati dhe më pas të nxjerrim edhe një shumë ekzakte për sa i përket edhe borxhit që kemi. Ne kemi paguar pranë Tatimeve dhe e theksova ekspertët tanë kontabël do të përcaktojnë edhe shumën që do të kemi për të paguar pranë Tatimeve. A do të jetë 320 milionë apo 100, kjo do të mësohet më vonë.

Voltana Ademi

Kjo nuk më duket me shumë rëndësi në këto momente. I rëndësishëm është fakti që ne do të plotësojmë deri në momentin e vënë çdo pikë që ka lidhje me licencimin. Shumëkush mund ta quajë pa shumë vlerë, por qoftë edhe ajo bombola e oksigjenit që  kërkohet në stadium për të bërë të mundur licencimin, ka vlerën e vet. Ne do ta bëjmë licencimin e klubit në Europë. Kjo ka më shumë rëndësi për të gjithë në këto momente”, u shpreh ekskluzivisht për “Panorama Sport” kryebashkiakja e Shkodrës.

EKIPI – Numri një i Shkodrës, por edhe i klubit të futbollit ka folur edhe për mbështetjen që i duhet dhënë në këto momente ekipit të Vllaznisë. Situata në pesë takimet e fundit për kuqeblutë nuk ka qenë ajo e fillimit, por gjithsesi vendi në të cilin ndodhet, dhe për më tepër diferenca me ekipet ndjekëse, të lënë sërish të shpresosh te kjo skuadër. Këtë gjë e shprehu edhe vetë presidentja “de jure” e klubit të futbollit Vllaznia sh.a., Voltana Ademi. “Ne po bëjmë maksimumin tonë që ekipit të mos i mungojë asgjë në çdo aspekt. Ata do të jenë të qetë në punën e vet. Ata kanë bërë më të mirën deri tani, pavarësisht luhatjeve. Unë kam besim tek ekipi, që do të paraqesin më të mirën e tyre deri në fund. Ne të gjithë duhet të besojmë te kjo Vllazni”, deklaroi në fund për gazetën Voltana Ademi.

ADMIR URUÇI -PANORAMASPORT.AL

EKSKLUZIVE/ Vllaznia në hall, duhen 320 milionë lekë për të shpëtuar sezonin. Zbulohen prapaskenat për borxhin (E PLOTË)




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/