EKSKLUZIVE/ “Vllazni, kështu je për titull”, ish-kapiteni Gilman Lika karikon shkodranët: Afrimi i Balajt të ngroh, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2023 | 21:04

EKSKLUZIVE/ “Vllazni, kështu je për titull”, ish-kapiteni Gilman Lika karikon shkodranët: Afrimi i Balajt të ngroh, por…

Ish-kapiteni i Vllaznisë dhe trajneri aktual i 17- vjeçarëve të akademisë shkodrane, Gilman Lika, foli dje për “Panorama Sport”. Ai komentoi fitoren e kuqebluve ndaj Partizanit duke vlerësuar ndeshjen e shkodranëve si një nga më të mirat e zhvilluara në këto 16 javë. Sipas tij skuadra tregoi grintë dhe karakter gjë që e paraqiti edhe te takimi i Kupës.

Gilman Lika

Ai vlerësoi atë që skuadra dha dhe e quan të pajustifikueshme qoftë për stafin dhe për vetë ekipin që të përmenden apo të shikohen si alibi mungesat. Megjithatë, Lika theksoi se tashmë gjithçka varet nga futbollistët dhe atë që do të tregojnë sa vlejnë në fushë. Për të dyja përballjet e fundit kanë treguar një Vllazni në rritje, por kjo nuk do të kishte aspak vlerë nëse skuadra nuk do të krijonte një vazhdimësi në rezultate.

Një fillimviti i mbarë për Vllazninë?

Mund të them me plot gojën që po. Më pëlqeu gjithçka ndaj Partizanit, jo vetëm fitorja, e cila patjetër është më e rëndësishmja. Por më pëlqeu edhe loja, grinta dhe karakteri që tregoi ekipi i Vllaznisë. Por po ashtu edhe fitorja ndaj Bylisit. Skuadra tregoi një lojë të mirë.

Janë diskutuar mungesat?

Këto dy takime, e sidomos ai ndaj Partizanit, që për mua ishte më i miri i zhvilluar në këtë javë në të gjitha aspektet, treguan që ekipi ka forcë që të përballet me cilëndo skuadër. Për mua nuk ka alibi, jo mungon ky lojtar apo ai lojtar. Pasi ata që ishin në fushë treguan se kanë vlera dhe dinë të luajnë futboll. Prandaj nuk ka më justifikime për futbollistët kuqeblu. Por ata duhet ta tregojnë veten në çdo javë.

Mendoni se fitorja ndaj Partizanit e futi realisht Vllazninë në luftë për titull?

Unë e shihja këtë ndeshje si trenin e fundit të Vllaznisë për pretendimet e saj, sepse çdo rezultat tjetër do ta kishte nxjerrë atë me 99 % jashtë pretendimeve për titull. Unë mendoj se Vllaznia bëri një ndeshje të madhe ndaj Partizanit. Ka qenë krejt ndryshe prej shumë ndeshjeve të tjera, ku ka pasur uljet dhe ngritjet e saj. Nëse gjithmonë vazhdohet kështu, Vllazninë e shikoj deri në fund rival të denjë për titull.

Të shtunën do të ketë përballë Laçin?

Do të jetë një përballje e vështirë, por mendoj se nëse luhet si me Partizanin Vllaznia do të arrijë te fitorja. Duke filluar që nga Laçi këtë javë duhet që të arrihet maksimumi. Kjo për të krijuar edhe vazhdimësinë që ka munguar këtë sezon. Por ky vit i ri duket se ka ardhur me mentalitet dhe grintë tjetër, e kjo patjetër jep pozitivitet. Futbollistet e Vllaznisë, por sidomos stafi teknik dhe trajneri Josa, duhet ta kenë të qartë se nuk mjafton një fitore ndaj Partizanit për të qenë në pretendimet që ka klubi. Prandaj duhet krijuar vazhdimësia dhe kjo do të jetë që në takimin me Laçin.

Me ekipi tani është bashkuar edhe Balaj, një lojtar që keni luajtur te Tirana së bashku?

Është një afrim që ngroh shumë. Pasi vjen një lojtar me shumë eksperiencë dhe me peshë. Që ka një personalitet dhe cilësi për të cilat i njohin të gjithë. Uroj të bëjë sa më mirë që fillimisht për skuadrën dhe objektivat që ka, por edhe anën e tij personale. Pasi sulmuesit dihet që në futboll maten me gola dhe uroj që Balaj të shënojë sa më shumë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"