EKSKLUZIVE/ Vjedhjet te Tirana, Osmani reagon pas intervistës së Nallbanit: “Tata” u vjen hakut hajdutëve me çizme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2019 | 23:35

EKSKLUZIVE/ Vjedhjet te Tirana, Osmani reagon pas intervistës së Nallbanit: “Tata” u vjen hakut hajdutëve me çizme

Tefik Osmani është i bindur që Tiranën e vjedhin dhe se shpeshherë ose është rrethuar, ose i ka në gjirin e saj ata që ai i konsideron “hajdutë me çizme”. 

tefik osmani

Më 24 tetor ai pati lëshuar akuza të ashpra, duke pohuar se klubit 24 herë kampion i kanë vjedhur edhe pianon. Nuk përmendi emra, por u mjaftua me “ish-trajnerë” dhe gazetarë që bëjnë rolin e menaxherit.

“Unë si fillim i kërkoj falje çdo tifozi që e ndien Tiranën me shpirt, për këto rezultate (ndjesë). Meqë kërkojnë ta dinë se ku jam unë, unë jam duke ju ndjekur juve çdo javë se çfarë shkruani dhe se çfarë thoni. Po ju ku jeni? Keni vite që po e shkatërroni këtë klub dhe arritët deri aty aq sa e rrëzuat nga Superiorja. Si ju gazetarë që po bëni menaxherin që çdo lojtar që ka ardhur në klub i keni marrë 1 apo 2 rroga. Si ju ish-trajnerë që jeni hajdutë me çizme që keni marrë nga klubi edhe pianot dhe i keni çuar në shtëpi. Por mos u mërzisni se do të vijë dita që do t’jua them të gjitha në sy”, shkruante Osmani më 24 tetor. Po sot? Mbrojtësi veteran i bardhebluve vazhdon të ketë të njëjtin mendim: Tirana është e rrethuar nga hajdutë…

tefik osmani

REAGIMI – Intervista e djeshme e ish-kapitenit Blendi Nallbani për gazetën “Panorama Sport” ka zgjuar edhe një herë reagimin e Osmanit.

“Vetëm ‘Tata’ (Nallbani) u vjen hakut hajdutëve me çizme”, ka thënë Osmani për “Panorama Sport”. Kur u pyet se kujt ia adresonte këtë mesazh dhe cilët janë hajdutët që vjedhin apo duan të vjedhin Tiranën, mbrojtësi preferoi të bënte misteriozin. “Kaq kam për të thënë pas intervistës që ka dhënë Nallbani. E dinë vetë mirë se kush janë hajdutët me çizme…”, deklaroi futbollisti i bardhebluve. Në deklaratën e tij Nallbani thoshte se ka biseduar me Halilin dhe Osmanin për gjendjen e Tiranës.

Ka kritikuar Bedri Omurin që të mos bëjë trajnerin nga distanca, por ta marrë ekipin dhe të tregojë veten, por ish-portieri i ka bërë apel Halilit të kërkojë më shumë llogari në skuadër, sepse investimet nuk po përligjen. Osmani nuk ka dashur të specifikojë askënd, por duke qenë se është në të njëjtën linjë me Nallbanin dhe duke qenë se kritikat më të ashpra “Tata” i ka bërë për Omurin, nuk përjashtohet mundësia që mesazhi i tij të jetë edhe për ish-trajnerët apo ndonjë ish-zyrtar të Tiranës.

DËMTIMI – Tefik Osmani do të mungojë në ndeshjen me Kukësin, për shkak të një dëmtimi, por ai rrezikon seriozisht edhe derbin me Partizanin. Mbrojtësi po përpiqet me të gjitha mënyrat që të jetë i gatshëm për derbin, por ka pak shanse që t’ia dalë, pasi rikuperimi i tij kërkon rreth 10 ditë kohë.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"