EKSKLUZIVE/ Vendosi fitoren me Skënderbeun, flet braziliani i Kukësit: Të mundim edhe Tiranën, ja pse u mërzita

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2022 | 21:52

EKSKLUZIVE/ Vendosi fitoren me Skënderbeun, flet braziliani i Kukësit: Të mundim edhe Tiranën, ja pse u mërzita

Goli i Vitor Feizha os ndaj Skënder beut mbajti në lojë Kukësin për një vend në Europë. Sulmuesi brazilian ka shkuar në kuotën e gjashtë golave këtë kampionat me verilindorët, po aq sa ka shënuar edhe kapiteni Gjelbrim Taipi. Braziliani tani shpreson që të arrijnë objektivin e klubit, edhe pse jo gjithçka është në dorën e tyre. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, 25-vjeçari flet edhe për momentin e mërzitjes pas zëvendësimit, si dhe të ardhmen e tij.

feizhao

“Jam shumë i lumtur për këtë gol, por edhe për faktin se erdhi në një moment që na nevojitej shumë. Ishte i veçantë për mua, pasi shënova golin tim të parë në stadiumin e ri”, ka thënë fillimisht Feizhao.

Braziliani u pa i nervozuar gjatë zëvendësimit, ku u ul në pankinë i mërzitur, ndërkohë që pak sekonda më parë pati edhe një ndërhyrje ndaj tij në fushë. Vetë lojtari sqaron edhe këtë moment.

“Gjatë lojës përfundova duke u goditur nga pas në këmbë, por gjithsesi doja të vazhdoja të luaja ende, ndaj u mërzita. Megjithatë, ndeshja tjetër kundër Tiranës është shumë e rëndësishme, ndaj edhe për këtë arsye u zëvendësova që të mos rrezikoja”, tregon Feizhao.

TIRANA – Ndaj kampionëve të vendit, 25-vjeçari shpreson te një tjetër ndeshje pozitive, ku të marrin tri pikët për të shpresuar më pas edhe për Europën. Me shumë mundësi Kukësi do të mësojë nëse do të jetë apo jo pjesë e Ligës së Konferencës pas finales së Kupës së Shqipërisë mes Laçit dhe Vllaznisë, ku në rast triumfi të kurbinasve, futet në lojë edhe vendi i katërt. “Shpresojmë të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të vazhdojmë të fitojnë edhe sfidën e fundit. Synimi ynë është që të shkojmë në Europë dhe do të bëjmë maksimumin tonë. Dua të jap edhe një përqafim për të gjithë tifozët e Kukësit. Zoti na bekoftë”, u shpreh më tej braziliani, i cili luan sezonin e tij të parë në Shqipëri.

KONTRATA – Edhe pse jemi në përfundim të sezonit dhe shumë lojtarë janë në merkato dhe mund të lëvizin, Feizhao pohon se është me Kukësin deri në vitin 2023, duke konfirmuar në njëfarë mënyre se për momentin vetëm kjo skuadër është në mendjen e tij. “Unë kam kontratë deri në vitin 2023 me Kukësin. Megjithatë, për momentin gjëja më e rëndësishme është të mendoj për ndeshjen e radhës me Tiranën”, përfundoi autori i golit të fitores ndaj Skënderbeut, që e mbajti Kukësin në vendin e katërt.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"