EKSKLUZIVE/ Vazhdojnë spastrimet te Kukësi, nga verilindorët largohet dhe mesfushori që erdhi me bujë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2022 | 23:38

EKSKLUZIVE/ Vazhdojnë spastrimet te Kukësi, nga verilindorët largohet dhe mesfushori që erdhi me bujë

Vijojnë largimet e radhës nga Kukësi. I fundit që ka marrë “valixhet” është Eduin Giasi. Burime të besueshme të “Panorama Sport” pranë klubit pohojnë se mesfushori ganez është i larguari i radhës, duke e dërguar në shtatë numrin e të ikurve ende pa u hapur merkatoja e janarit.

GIASI

Mësohet se palët kanë arritur gjithçka me marrëveshje dhe duke parë situatën në të cilën ndodhen është gjetur zgjidhja më e mirë për të dyja palët.

31- vjeçari erdhi si një afrim i bujshëm në verë, duke parë edhe eksperiencën e tij në disa klube të ndryshme, por që në 10 takime në elitë me verilindorët nuk shënoi asnjë gol.

Në fakt, mesfushori vuajti edhe nga një dëmtim në javët e fundit, ndërsa gazeta e pati raportuar më herët se është një nga futbollistët që rrezikonte largimin në janar.

Pritet që Giasi të mos jetë i fundit i larguar, pasi bëhet fjalë edhe për dy-tre lojtarë të tjerë që janë në proces diskutimi me klubin për zgjidhjen me konsensus të marrëveshjes.

SPASTRIMET – Deri më tani Kukësi ka larguar plot shtatë lojtarë dhe vihet re një detaj i veçantë, që tregon në njëfarë mënyrë edhe planin e klubit.

Janë larguar vetëm lojtarët e afruar gjatë kësaj merkatoje vere dhe asnjë nga “të vjetrit”. Bëhet fjalë për Tarik Isiç, Ante Zivkoviç, Agnaldo Moraesh, Jorgo Meksi, Lejton Ndukvu, Tiago Ferreira dhe së fundmi Eduin Giasi.

Me pak fjalë, largimet tregojnë se drejtuesit shohin si fajtorë për mosarritjen e rezultateve lojtarët e afruar këtë merkato vere.

Nga ana tjetër, bëhet fjalë edhe për futbollistët që në njëfarë mënyre kanë qenë ndër më të paguarit në këtë ekip, duke lehtësuar klubin edhe nga një barrë jo e vogël financiare, ndonëse ka paguar fillimisht për t’i bindur të mbyllnin para kohe kontratën.

REVOLUCION – Duke parë lëvizjet që po bëhen në Kukës, mendohet se është duke u përgatitur revolucioni në këtë skuadër.

Lëvizje që zakonisht në të kaluarën kanë treguar se në muajin janar nuk janë shumë efikase, por në klub e kanë parë si zgjidhjen e vetme për të ndryshuar gjërat në favorin e tyre.

Pasi të mbyllet procesi i spastrimeve, do të nisë ai i afrimeve, ku për momentin janë piketuar disa lojtarë dhe zyrtarizimi do të bëhet vetëm me hapjen zyrtare të merkatos.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"