EKSKLUZIVE/ Vasil Shkurtaj: Gabova me Lacion, më frymëzon Ibra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2018 | 23:49

EKSKLUZIVE/ Vasil Shkurtaj: Gabova me Lacion, më frymëzon Ibra

Vasil Shkurtaj është lojtari i momentit në kampionatin shqiptar. Tre gola në katër ndeshje janë dëshmi për këtë, sidomos kur dihet që ai luan për herë të parë në Kategorinë Superiore. 25-vjeçari ka ndoshta CV-në më të pasur nga çdo sulmues në kampionat, por zgjodhi Luftëtarin për një fillim të ri në karrierën e tij.

Shkurtaj

Gjiganti, i cili qëndroi 6 muaj jashtë fushave, në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport” vjen në një version ndryshe. Ai i zbulon të gjitha, nga eksperienca te Lacio, aventura në Holandë e Portugali, si dhe njeriun që e solli te Luftëtari.

shkurtaj

Keni një CV të pasur, pasi keni luajtur me klube në Greqi, Qipro, Holandë dhe Portugali. Kush mendoni se ka qenë kulmi i karrierës suaj?

Momenti më i bukur në karrierën e deritanishme ishte eksperienca në Holandë. U aktivizova në Superligën holandeze me Roda Kerkrade në sezonin 2013-2014. Në 11 ndeshje realizova vetëm 1 gol. Natyrisht, ruaj kujtime të bukura me Kombëtaren Shpresa, ku jam aktivizuar në 13 ndeshje zyrtare dhe shënova 2 gola.

Po gabimi që keni bërë deri më tani…?

Ndërsa sa i përket gabimit që kam bërë, për të qenë i sinqertë më duhet se ishte transferimi te Lacio. Kam qenë pjesë e Olimpiakosit U-21 dhe u largova pas insistimit të klubit italian. Mirëpo, në atë periudhë, nuk e disponoja pasaportën greke dhe kjo më privoi të drejtën e aktivizimit te Lacio. Në Itali lejohej aktivizimi i vetëm tre futbollistëve të huaj jashtë vendeve të BE-së. Unë nuk bëra durim, por udhëtova drejt Italisë. Te Lacio nuk gjeta hapësirë për shkak të pasaportës, kështu që u detyrova të rikthehesha në Greqi dhe të luaja me klubin e Superligës, Panionios, për 6 muaj.

vangjel-cavo-vasil-shkurtaj-470x313

Luani për herë të parë në kampionatin shqiptar. Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje në këto katër ndeshje me fanellën e Luftëtarit?

Të jem i sinqertë, nuk e njihja mirë futbollin shqiptar më parë. Tani që jam pjesë e tij dhe i përjetoj emocionet nga fusha, me plot gojën mund të them se është një kampionat cilësor. Ardhja e disa lojtarëve të huaj, e kanë bërë më atraktiv futbollin shqiptar. Unë nuk dua të fshihem, pasi kam parë edhe lojtarë të rinj me shumë cilësi. Këtu ka talente që mund të luajnë në çdo kampionat të huaj.

Çfarë doni të arrini me Luftëtarin?

Do të jetë arritja më e mirë pjesëmarrja në Kupat e Europës. Me golat dhe asistet, dua ta ndihmoj ekipin për të arritur këtë objektiv.

Kush është idhulli juaj që ju frymëzon në futboll?

Kam shumë lojtarë, por ata që më kanë bërë për vete janë Levandovski dhe Ibrahimoviç. Mendoj se kam karakteristika të njëjta me ta. I shoh në fushë dhe nga veprimet e tyre impresionohem. Kam një stil loje, prandaj dhe mësoj nga ata.

SHKURTAJ-GOL

Me sa gola do të ishit të kënaqur ta mbyllnit këtë sezon?

Nuk e kam menduar sa gola mund të shënoj. Për mua, rëndësi ka se sa i dobishëm do të jem për ekipin. Golat do t’ua dedikoja të gjithëve, duke filluar nga lojtarët e stolit dhe deri te drejtuesit. Rezultatet pozitive për Luftëtarin janë edhe dedikim për tifozërinë.

Sa është kohëzgjatja e kontratës suaj me klubin gjirokastrit?

Me Luftëtarin kam nënshkruar për dy vjet. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Për këtë fanellë dhe të gjithë tifozëve që janë të dashuruar me lojën që bëjmë, do të jap 100% të mundë- sive për t’i nderuar.

Cili është ushqimi juaj i preferuar?

Unë kam lindur në Greqi, në ishullin e Kretës, por sigurisht që jam shqiptar. Origjinën e kam nga Vlora dhe mamaja ime i gatuan të gjitha llojet e ushqimeve. Nuk kam preferencë të veçantë, sepse jam nga ata që konsumon çdo ushqim që i serviret në tavolinë.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"