EKSKLUZIVE/ Uzuni ambicioz: Jam i uritur për suksese, janë interesuar për mua klubet nga Seria A dhe La Liga

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2020 | 0:08

EKSKLUZIVE/ Uzuni ambicioz: Jam i uritur për suksese, janë interesuar për mua klubet nga Seria A dhe La Liga

Kroacia do të rinisë futbollin më 30 maj me ndeshjet e fazës gjysmëfinale të Kupës. Myrto Uzuni është një prej shumë shqiptarëve të Kombëtares që po bëhet gati për t’u rikthyer në fushë. Sulmuesi kuqezi për “Panorama Sport” tregon edhe përgjigjet e testeve, përveç masave me të cilat ai dhe skuadra e tij kanë rinisur stërvitjen.
uzuni4
Myrto, si jeni dhe si po shkojnë stërvitjet për rifillimin e futbollit?
Fatmirësisht jam mirë. Sa u përket përgatitjeve, jemi duke u stërvitur me dy seanca stërvitore në ditë. Kjo bën që të jemi pak të ngarkuar, mirëpo duke parë që koha deri në ndeshjen e parë nuk pret, atëherë na duhet që të jemi gati. Për këtë mendoj se jemi në rrugën e duhur. Tani mendojmë për datën 30 maj kur do të luajmë gjysmëfinalen e Kupës.

A ju bënë teste para rifillimit të stërvitjeve?
Shikoni, ne kontrollohemi çdo ditë. Para se unë të zbres në fushë, pres në makinë dhe doktori vjen për të më matur temperaturën. Nëse ndonjëri nga ne ka temperaturë më të lartë sesa normalja, atëherë nuk zbret nga makina dhe nuk stërvitet, por kthehet në shtëpi. Por, për fat, shyqyr Zotit, asnjë deri më tani nuk ka pasur probleme. Meqë më pyetet për testet, jua shpjegova këtë procedurë. Po, kemi bërë edhe testet dhe dola negativ. E kemi bërë para dy javës testin dhe e përsëritëm edhe dje.

U testuat personalisht apo nga klubi?
Po, nga klubi. U testuam të gjithë lojtarët dhe rezultuam negativë para dy javësh. Gjatë ditës s’kemi pasur probleme dhe uroj e besoj se do të dalim negativë edhe herën e dytë.

Çfarë masash keni çdo ditë për stërvitjen?
Për ta nisur nga uji, duhet ta marrë secili nga shtëpia. Në stërvitje shkojmë të veshur, gati për stërvitje. Dushe nuk bëjmë në ambientet stërvitore, por lahemi në shtëpi. Gjithashtu, para se të nisim stërvitje dhe kur mbarojmë stërvitjen, bëjmë dezinfektimin e duarve.

Shënoni rregullisht, si do t’ia bëni kur të bëni gol dhe nuk mund të festoni me shokët?
Nuk e kam menduar në fakt si do të festoj pas golave (qesh…). Realisht, kryesorja është që të rikthehem aty ku e lashë pasi isha në formën time më të mirë. Isha duke shënuar çdo ndeshje dhe duke ndihmuar ekipin me gola dhe asiste. Tani më duhet të përgatitem mirë dhe më pas do të mendoj diçka edhe për një festë të tillë veçmas.

Uzuni, a keni realisht frikë ju dhe shokët tuaj nga virusi?
Normalisht që po, pasi shëndeti është gjëja kryesore.

Sa ditë kohë në dispozicion patët dhe keni nga dita e parë e stërvitjes deri në momentin kur do të rinisni të luani?
Për të mos qenë i gabuar, po them të paktën 30 ditë. Mbase deri në 35 ditë. Një periudhë e tillë, përafërsisht, në dispozicion.
lokomotiva zagreb
Në të gjithë Europën është diskutuar ulja e pagës për futbollistët. Po ekipi juaj si e ka zgjidhur në këtë situatë?
Normalisht që edhe në Kroaci është diskutuar kjo gjë. Edhe ne kemi pranuar dhe kemi rënë dakord me klubin që të reduktohet 30% e pagës.

Çfarë problemi keni hasur në ditët e para të stërvitjeve?
Sigurisht që kemi hasur disa probleme me vrapimet. Dhimbje, sepse në kushte shtëpie mund të bësh shumë ushtrime, por nuk është e njëjta gjë. Është krejtësisht ndryshe kur del të stërvitesh në fushë.

A keni pasur probleme me peshën, ju ose ndonjë nga shokët?
Jo, realisht as unë dhe asnjë nuk kemi pasur shtim peshe.
uzuni
A e konsideroni këtë pjesë të mbetur të ndeshjeve si “finishin” e artë në Kroaci për të bërë më pas kalimin në një ligë më të rëndësishme?
Në fakt, po. Synimi im është që të eci sa më lart. Jam i uritur shumë për suksese. Në klub ka pasur disa interesime dhe unë uroj që vërtet këtë vit të jetë sprinti final.

Cilat ekipe janë interesuar për ju?
Mund t’ju them që ka pasur interesime nga klube të Serisë A dhe La Liga. Mirëpo, asgjë më tepër pasi unë jam i fokusuar tek ekipi dhe pres që të rifillojë futbolli dhe të kem formën time më të mirë. më pas do të sqarohet gjithçka.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"