EKSKLUZIVE/ Ushtar, kuzhinier dhe bomber, Telushi tregon sekretet: Ja si Partizani e fiton titullin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2020 | 22:08

EKSKLUZIVE/ Ushtar, kuzhinier dhe bomber, Telushi tregon sekretet: Ja si Partizani e fiton titullin (E PLOTË)

Bruno Telushi po kalon një moment super te Partizani, ku në javën e shkuar shënoi 5 gola për kampionët. Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport” pas fitores në Laç, mesfushori vlonjat tregon momentin e tij dhe të skuadrës, përmirësimin e situatës me ardhjen e trajnerit Adolfo Sormani, synimet, por edhe pasionet dhe hobet e tij për futbollin, muzikën dhe ushqimet. Telushi është një adhurues i Kristiano Ronaldos dhe kjo e ka bërë që ai të “tradhtojë” edhe Interin për të mbështetur Juvetusin. Vlonjati gjithashtu tregoi se pasion ka edhe gatimin dhe e bën me qejf kuzhinierin. Sa i përket muzikës, Telushi pohoi se rrepi dhe hip-hopi e karikon. telushi

Ai dëshiron që fëmijët e tij të ndjekin rrugën e tij si futbollist dhe nëse do të ndodhte, do të ndihej krenar. Në rrëfimin e tij, vlonjati u tregua modest, pasi tre golat e shënuar ndaj Besëlidhjes i shumëzon me zero, gjersa ekipi nuk arriti të kualifikohet. Gjithsesi, ai vlerëson momentin e tij, si dhe tregon se çfarë po ndodh me sulmuesit e ekipit që nuk po shënojnë. Sipas tij, te situata negative nuk ndikoi derbi, por shpreson që derbi i radhës të jetë sërish i kuq. Telushi vlerëson shumë trajnerin Sormani, që sipas tij po tregon se është një njeri me zemër të madhe. 29-vjeçari tregon se si Partizani fiton titullin, duke lënë të kuptojë se nëse “demat” janë në 100%, Kukësi dhe Tirana nuk e shqetësojnë.

Keni shënuar 5 gola për 4 ditë, çfarë do të thotë ky fakt për ju, duke ditur se jeni edhe mesfushor shkatërrues?

Pjesa e golave të shënuar, të motivon shumë, por më vjen mirë me veten se po kap formën dhe po jap maksimumin për shokët dhe ekipin. Kjo është më e rëndësishmja.

Kur shënojnë mesfushorët, diçka nuk shkon me sulmin. Realisht çfarë po ndodh me sulmuesit e Partizanit që nuk po e gjejnë golin?

Për mua është edhe çështje fati dhe kohe. Me sulmuesit po punohet për ditë në stërvitje. Trajneri po punon me ata edhe psikologjikisht. Shpresoj që ata të vijnë në maksimumin e tyre dhe të japin kontributin për skuadrën.

Trajneri nuk i vë nën presion, por i mbron edhe kur nuk shënojnë, pasi për Sormanin rëndësi ka që ekipi të bëjë gol, pa u bazuar tek emri…

Kjo është e vërtetë dhe gjersa luajmë 11 në fushë. Kjo është gjëja më e mirë për trajnerin që nuk i intereson kush e bën golin, por që të vijë goli. Unë besoj se do të vijë edhe dita e sulmuesve dhe do të na ndihmojnë në vijim, madje duke nisur nga ndeshja e radhës me Bylisin.

Një javë e kalibruar për ju, me 5 gola. Keni pasur më herët një sukses kaq të madh nga goditjet standarde?

Me thënë të drejtën, përveç ndeshjes në Laç, që ishte një takim shumë i mirë, plus dhe golave, “tripletën” e Kupës i zerova me veten time, për shkak se nuk u kualifikuam. Ata mbeten tri gola që nuk i shërbyen skuadrës. Nuk e mohoj se ka qenë një javë shumë e mirë për mua, që më ka ndihmuar shumë dhe shpresoj të vazhdoj kështu.

Përmendët Kupën, sa i hidhur ka qenë ai eliminim dhe a është dështim?

Eliminimi ka qenë shumë i hidhur. Gjithçka buroi nga ndeshja shumë e keqe që bëmë në Lezhë. Në ndeshjen e kthimit, patëm ca probleme, por u munduam të marrim maksimumin. Gjithsesi, takimi në Lezhë na bëri që të mos dinim çfarë të thoshim.

Telushi Kombetarja

Por nga ajo disfatë e Lezhës keni reaguar, duke marrë 4 fitore radhazi. Çfarë ka sjellë ndryshe trajneri Sormani, që po merrni aktualisht frytet, si në aspektin taktik apo edhe psikologjik? 

Trajneri ka punuar dhe po punon shumë. Fillimisht nisi me aspektin psikologjik, pasi kishim një ngërç, por edhe në anën taktike kemi punuar shumë. Ai është një person që kurrë nuk hedh poshtë lojtarët, apo ta gjejë fajin te ne. Madje edhe në humbjen që pësuam në Lezhë, ishte trajneri ai që mori përsipër përgjegjësitë, sikur e pati ai fajin.

Ky është një plus shumë i madh për një trajner. Ai ka një zemër të madhe që na e transmeton edhe ne lojtarëve. Ndaj, edhe ne këtë mundohemi të bëjmë në fushë.

 Moduli i ri, mesfusha rreshtohet në formë rombi dhe ju jeni pika fundore. A po ju përshtatet mirë? 

Kjo është një skemë që ne e kemi provuar që gjatë fazës përgatitore në Turqi, por duke luajtur sa më shumë ndeshje kemi ardhur duke përvetësuar edhe më mirë. Po ia marrim dorën. Është një skemë e mirë.

A u kushtëzua kjo skemë nga largimi i Asanit dhe çështja “Mala” dhe ai vuan Partizani këta dy lojtarë?

Sa i përket skemës që po përdorim, nuk mendoj se ka ardhur prej këtyre lojtarëve. Trajneri e kishte si ide që kur erdhi këtë skemë dhe e praktikoi direkt. Sa i përket largimeve, Asani ishte një lojtar që dihet kontributi i tij, por po e zëvendësojmë me lojtarët e tjerë që po luajnë tani. Ndërsa për Malën, është një çështje që po ndodh mes klubit dhe lojtarit dhe nuk di çfarë të them. Sigurisht edhe Mala është një lojtar shumë i rëndësishëm dhe po ta kishim në ekip, do të na bënte shumë punë.

Mund ta dimë se kush është trajneri italian që ta ka mësuar mënyrën e ekzekutimit të goditjes standarde që aplikuat në Laç, goli i fundit? 

Është trajneri Ramela, që erdhi te Flamurtari pas largimit të Ernest Gjokës. Ky ka qenë trajneri që e ka aplikuar për herë të parë me ne dhe është një skemë që mua më ka nxjerrë te goli në tri raste.

Keni nisur të marrni përsipër edhe gjuajtjen e goditjeve të këndit… 

Trajneri Sormani më ka dhënë besimin për këtë gjë. Ai e pa tek unë që mund t’i gjuaj kornet shumë mirë nga krahu i majtë dhe ma vuri si detyrë. Fatmirësisht, funksionoi në Laç edhe kjo gjë.
telushi ushtar

Cili është goli më i rëndësishëm që keni shënuar në karrierë?

Nuk mund ta zgjedh dot një gol të tillë. Por për mua golat më të rëndësishëm janë ata që i kanë dhënë trepikëshin ekipit. Vjet kam shënuar shumë gola me vlerë trepikëshe dhe besoj që të shënoj edhe këtë vit. Edhe në Vlorë kam shënuar gola të tillë.

Po goli më i bukur?

Të them të drejtën, kam shumë gola të bukur. Sërish nuk zgjedh dot.

Kaq shumë e vuajtët humbjen në derbi sa u desh të vinit deri te disfta në Lezhë për Kupë? 

Nuk mendoj se ka qenë derbi. Ndoshta diçka e momentit, pasi të tilla situata kalojnë edhe ekipet me famë botërore. Mbase edhe ne e patëm atë ngërçin tonë psikologjik dhe mendoj se e kaluam, por nuk ka qenë shkak humbja në derbi. Ajo është thjesht një ndeshje që mundohet të japësh dhe marrësh maksimumin, por rezultati vendoset edhe nga fati.

Në derbin e fundit ju munguat, mendoni se në derbin e radhës do të arrini të ktheheni te suksesi dhe të largoni të gjitha vuajtjet?

Kam munguar në atë derbi dhe e kam ndier shumë. Shpresoj që në derbin e radhës të jem prezent dhe të jap maksimumin tim e të kthehemi ata që kemi qenë

Çfarë ka Partizani më shumë se Tirana dhe Kukësi që të besojë sërish se mund të fitojë titullin?

Ne kemi qenë për disa javë në vend të parë dhe ata që kanë qenë poshtë nesh na kanë kapur dhe kaluar. Tani të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe Partizani. Fillimisht të mundohemi që të kapim kryesuesit, pastaj për titullin të shikojmë deri në fund.

Nga dy kryesuesit, Kukësi apo Tirana ju shqetëson më shumë?

Mua më shqetëson më shumë Partizani. Nëse Partizani është në formën e tij më të mirë, atëherë mua nuk më shqetëson asgjë tjetër.

Në fazën e parë Bylisi ju ka marrë pikë, shpresoni që kësaj radhe nduk të bëni të njëjtin gabim? 

Ndeshjet me ekipet e ashtuquajtura të vogla, pasi nuk ka më të tilla, në letër shikohen si takime që kalohen lehtë. Por në fushë, të gjitha ekipet mendohen mirë kur luajnë ndaj Partizanit dhe japin më të mirën e tyre. Këtë duhet të bëjmë edhe ne, të japim maksimumin.

 Nisur nga eksperienca, “gjeneralët” e treguan veten në Laç, ndonëse ju preferoni të quheni ushtarë. A do të bazohet Partizani te ky grup në vazhdim për t’u kthyer aty ku ju presin dashamirësit? 

Unë dua të qëndroj akoma ushtar, pasi kjo gjë më është përshtatur më mirë. Për pjesën e udhëheqjes, më pëlqen ta udhëheq grupin. Te Partizani këtë gjë po mundohemi të bëjmë tani dhe po funksionon.

telushi

Ekziston një perceptim se te Partizani nuk ka harmoni dhe ndaj ka vuajtur ekipi. A ekzistojnë ndarje,apo grupime brenda skuadrës? 

Unë flas për momentin, apo nga dhjetori e në vazhdim, Partizani me ardhjen e trajnerit Sormani ka një grup shumë të mirë. Jemi solid dhe harmonik, ndaj situata është shumë e mirë.

Po para dhjetorit keni pasur probleme?

Çfarë të them. Problemet që kemi pasur, 100% kanë dalë edhe në media dhe është kot të shtoj apo fsheh diçka. Gjithçka ka dalë.

Nga lojtarët me të cilët ke bashkëpunuar te Partizani, kë shikoni si mungesën më të madhe? 

Personalisht mund të them se Hila do të më ndihmonte shumë. Ndaj këtë largim e ndiej pak. Ndërsa për pjesën tjetër, është politikë dhe vendim i klubit dhe nuk kam çfarë them më shumë.

Cili është apeli apo premtimi i Telushit për tifozët e Partizanit?

Tifozët e Partizanit, kryesisht grupimi “Guerrils” që na mbështet kudo, të japin edhe ata maksimumin e tyre. Shpresoj që edhe ne këtë lodhje dhe sakrificë të tyre t’ua kthejmë mbrapsht me rezultate

Cili është numri i këmbës dhe a jeni supersticioz për këpucët e lojës?

Numri i këmbës është 42. Për këpucët vërtetë jam supersticioz. Madje, kur futem në fushë, mundohem t’i harroj disa gjëra, t’i anashkaloj, pasi fiksohem shumë te detajet. Por këpucët nuk i harroj.

Keni një ushqim të preferuar?

Mundohem të bazohem tek ushqimet që kanë kaloritë e duhura, që i vijë në ndihmë një futbollisti. Meqë jam nga vendi i deti, po zgjedh karkalecat krudo.bruno telushi

Nga postimet në rrjete sociale, kemi vënë re se edhe gatuan…

Po, është e vërtetë. Më pëlqen gatimi dhe shpesh gatuaj në shtëpi për vete apo familjen time. Është diçka që e bëj me qejf.

Fëmijëve do t’ua injektosh pasionin për futbollin?

E para, shpresoj që ata të jenë për futbollin. Të rriten edhe pas nëse ato me aftësitë e tyre do më mbushin syrin dhe mendjen, unë do të punoj shumë me ata personalisht. Do të doja shumë që ata të ndjekin hapat e mi, madje do të isha shumë krenar për këtë gjë.

Për cilin klub dhe kombëtare të huaj bëni tifozllëk?

Ndoshta nga Kristiano Ronaldo jam bërë pak tifoz me Portugalinë. Me klube kam qenë me Interin, por pasi ka shkuar Ronaldo te Juve, tani më shumë përkrah Juventusin. Nuk jam një tifoz fanatik, që të mbështes një klub të veçantë. Jam një tifoz i thjesht.telushi

Pra, jeni një tifoz i Kristiano Ronaldos dhe shkoni pas tij…

Po, është e vërtetë, Ronaldon e ndjek shumë, pasi është një njeri që të inspiron shumë si futbollist. Shikon shumë gjëra që ia vlen t’i ndjekësh dhe praktikosh si futbollist. Pra, vlerësoj pjesën e profesionalizmit që ai ka.

Cili është këngëtari juaj i preferuar?

Këngëtar të preferuar nuk kam. Më pëlqen muzika rrep apo hip-hop. Dhe te këto zhanre muzikore e karikoj më shumë veten. E mbyllim me futboll.

 Besoni se Partizani del kampion edhe këtë sezon? 

E thashë edhe më sipër, ne na del për detyrë si ekip që të japim maksimumin dhe rezultatet do të shikohen në fund të kampionatit të jemi të motivuar 100% në fushë dhe në fund do të bëjmë llogaritë tona.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"