EKSKLUZIVE/ “Unë, mbrojtësi që kam idhull Ibrën”, gjiganti i Kastriotit tregon si u transferua në kampionatin shqiptar: Më solli Rudi Vata
Damir Gërgiç është njëri nga lojtarët e afruar në merkaton e verës te Kastrioti. Shtatlarti kroat (1.93 metra i gjatë) ka luajtur rregullisht në këto javë të para dhe tashmë është përshtatur mjaft mirë me skuadrën dhe lojën që e karakterizon Kastriotin. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, mbrojtësi 29-vjeçar flet për ardhjen në Shqipëri, ambientimin, mënyrën e komunikimit me lojtarët dhe gjithçka që i ka bërë përshtypje.
Gërgiç tregon se do dëshironte të luante disa vite në Shqipëri, ndërsa vjen pas eksperiencave në Austri me Klagenfurtin, Rudarin dhe Aluminij në Slloveni, Pune Sity në Indi, si dhe Inter Zapresiç në Kroaci. “Rudi Vata më solli këtu. Ai është miku im për disa vite”, tregon ndër të tjera qendërmbrojtësi duke iu referuar ishkapitenit të Kombëtares shqiptare.
Damir, si jeni pritur nga ekipi dhe sa jeni përshtatur me grupin?
Që nga dita e parë ndihem sikur të jem këtu prej disa vitesh. Lojtarët më pranuan shumë mirë.
Çfarë mund të arrini këtë sezon me Kastriotin?
Ne duhet të punojmë shumë çdo ditë, çdo javë dhe të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës. Duhet të qëndrojmë të qetë, të fokusuar te ndeshjet dhe të bashkuar në momentet e këqija dhe të mira.
Si ju duket kampionati shqiptar në krahasim me atë kroat?
Kampionati kroat është një hap para futbollit shqiptar. Në Kroaci punohet më shumë me taktikën dhe është pak më i shpejtë si futboll.
Në pesë javë skuadra ka grumbulluar 4 pikë. A janë të mjaftueshme?
Sipas mendimit tim, 4 pikë nuk janë të mjaftueshme. Në ndeshjen kundër Egnatias dhe Tiranës mund të kishim marrë diçka më shumë. Nuk më pëlqen kur pësojmë gola nga goditje standarde, siç ndodhi në këto dy ndeshje.
Prisni një kundërshtar të fortë në fundjavë, i cili vitet e fundit ka qenë gjithmonë pretendent dhe ka bërë mirë edhe në Evropë. Sa e njihni Laçin?
Kjo është e drejtë. Laçi është një ekip i fortë dhe situata aktuale në tabelë nuk është reale. Ata luajnë futboll të mirë dhe kanë disa individë cilësorë, por ndoshta nuk kanë pasur fat. Më pëlqejnë shumë si ekip, pasi luajnë futboll sulmues. Ndaj ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm të shtunën.
Si merreni vesh me ekipin apo me trajnerin Ndreun?
Keni filluar të mësoni shqip…? Shumica e lojtarëve flasin anglisht. Pra, nuk është problem, pasi ka gjithmonë dikush që më përkthen nëse trajneri dëshiron diçka të më thotë.
Cila ka qenë pika juaj më e lartë në karrierë?
Thuajse kam shëtitur gjithë botën duke ndryshuar shumë klube dhe vende. Por për mua numri një ka qenë eksperienca në Indi me klubin Pune City.
A ka një mbrojtës nga i cili jeni frymëzuar?
Nuk ka asnjë në pozicionin e qendërmbrojtësit që më frymëzon. Por, për mua është Zlatan Ibrahimoviç futbollisti që adhuroj.
Çfarë ju pëlqen në futbollin që luhet në Shqipëri?
Më së shumti ajo që më pëlqen këtu është se si njerëzit përreth klubit dhe lojtarët janë të motivuar për çdo lojë. Futbolli këtu është shumë agresiv, pasi edhe lojtarët vrapojnë shumë.
Po ushqimet në Shqipëri, i pëlqeni?
Ushqimi në Shqipëri është i ngjashëm me ushqimin kroat. Këtu ka më shumë ëmbëlsira, ajo që është shumë e rrezikshme për ne (qesh).
Cili është shoku juaj më i mirë te Kastrioti?
Nuk mund të veçoj askënd, kam marrëdhënie të mira me të gjithë lojtarët. Unë qëndroj shumë me lojtarë më të rinj në moshë, kështu që mund të ndihem edhe i ri.
A është e vështirë t’i kuptoni miqtë dhe trajnerin tuaj?
Jo, nuk është e vështirë t’i kuptosh ata. Unë jam këtu tani prej 2 muajsh, kështu që e di se çfarë kërkon trajneri nga unë. Na kuptojnë shumë mirë.
Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje në Shqipëri dhe a ka pasur ndonjë gjë që ju ka surprizuar së fundmi?
Para se të vija në Shqipëri isha në kontakt me Rudi Vatën, i cili më solli këtu. Ai është miku im për disa vite, por dhe Besnik Prenga, i cili më jep të gjithë informacionin për jetën këtu, për klubin dhe të gjitha gjërat. Kështu që nuk kishte asgjë që më befasoi. Unë kam vetëm gjëra pozitive për të thënë për njerëzit këtu dhe për vendin. Uroj të qëndroj disa vjet në Shqipëri.
BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"