EKSKLUZIVE/ “Unë bëj merkato, por jo… gola”, Bizhdili: Gati edhe dy afrime për Kavajën në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2021 | 10:53

EKSKLUZIVE/ “Unë bëj merkato, por jo… gola”, Bizhdili: Gati edhe dy afrime për Kavajën në elitë

Besa ka vetëm një mision: ngjitjen. Afrimet po shoqërojnë njëra-tjetrën te kavajasit dhe kjo po ia shton bindjen presidentit se janë në rrugën e duhur. U bënë 5 sezone që verdhezinjtë enden në inferiore, ndaj rikthimi në Kategorinë Superiore po kthehet në një fiksim.

Bizhdili-2

Pasi morën Nertil Hoxhajn, Mikel Cankën, Edmond Hoxhajn, Emiliano Çelën, grupit i është bashkuar edhe Kadri Birja. E megjithatë, merkatoja nuk mund të quhet e mbyllur. Këtë e konfirmon Nexhat Bizhdili, gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”. Ai thotë se shumë shpejt do t’i befasojë tifozët me 2 afrime të tjera.

Emrat i mban të fshehtë, por rolet na i zbulon. Numri një i klubit premton se do t’i kryejë detyrimet e tij dhe të njëjtën gjë pret edhe nga stafi teknik e ekipi në fushë.

Çfarë ka ndryshuar në merkaton e këtij sezoni krahasuar me vitet e tjera?

Vitet e shkuara kam ndërtuar ekipe me dy synime: për të arritur synimet dhe promovuar të rinjtë. Sezonin që lamë pas mbi 60% e grupit ishin futbollistë 18-20-vjeçar dhe pavarësisht lojërave e rezultateve, ky fakt na penalizoi në arritjen e objektivit. Ndikim të madh pati edhe mungesa e stadiumit, megjithatë fituam futbollistë të rinj, që aktualisht luajnë në Superiore dhe në formacionin tonë.

Për këto arsye nisëm punën më herët se të gjithë, duke mos u nxituar po duke hedhur hapa të sigurt në afrimet cilësore. Në këtë merkato u përqendrova të afroj lojtarë me shumë përvojë në të tria repartet. Emrat ju i keni bërë publikë të parët dhe besoj se kam ndërtuar atë grup që tifozët kanë kohë që e duan, e presin.

E keni parë këtë cilësi të pasqyruar në 3 miqësoret e zhvilluara?

Kur afron lojtarë me cilësi, rezultatet janë të garantuara. Përtej kënaqësisë që më kanë dhënë miqësoret, mos harroni se ekipi ndodhet nën ngarkesa fizike me dy stërvitje në ditë dhe ende i paharmonizuar sikurse duhet. Dua të them se përtej rezultateve pres që grupi të rrisë nga dita në ditë akoma cilësitë e tij.

Janë futbollistë që luajnë për herë të parë me njëri-tjetrin dhe ka konkurrencë, gërshetim ideal përvojash, shkollash e talentesh të reja. Sezonin e shkuar kemi shpërdoruar pa masë gola të sigurt, sivjet besoj do të jemi shumë më efikasë e racionalë. Këtë mesazh kryesor kam marrë nga miqësoret e zhvilluara.

Me afrimin e portierit Birja, e quani merkaton tuaj të mbyllur?

Jo. Një ekip pretendent duhet të mendojë jo vetëm për formacionin, por edhe alternativat po kaq cilësore. Ky kampionat do jetë i gjatë, i vështirë dhe kemi menduar të kemi përherë një formacion fitues, pavarësisht dëmtimeve që normal ndodhin në një kampionat.

Sa më shumë alternativa e konkurrencë në grup, aq më të afërt e bën suksesin e pritshëm. Pyetjes suaj do t’i përgjigjem: Ende nuk e kam mbyllur merkaton për arsyet që citova më lart dhe po pres edhe dy afrime të tjera. Bëhet fjalë për 1 qendërmbrojtës dhe 1 mesfushor, madje njëri mund të dalë në stërvitje që sot me ekipin.

Pra, besoni se me këtë punë që është bërë objektivi Superiore mbetet më pranë se kurrë?

Në arritjen e një objektivi, secili duhet të përmbushë detyrimet e tij. Të miat si president janë të afroj lojtarë cilësorë e t’u krijoj kushte sa më komode futbollistëve në stërvitje e akomodim. Pra, unë po i mbyll detyrimet e mija më së miri. Tani i mbetet radha stafit e futbollistëve të kryejnë detyrimet që kanë.

As Bizhdili dhe asnjë president tjetër nuk bën gola dhe nuk shpëton gola. Nëse secili merr përgjegjësitë që i takojnë, atëherë nuk ka arsye të mos kemi sukses. Nga hapat që kemi hedhur së bashku deri më sot, shpreh bindjen se nuk ka asnjë arsye që Besa të mos arrijë objektivin e saj madhor, rikthimin në “shtëpinë” e saj, Superiore. Natyrisht që kjo nuk bëhet sot, por me punë të vazhdueshme dhe sakrifica.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"