EKSKLUZIVE/ Ulja e Artan Mërgjyshit në stolin e Korabit, trajneri rrëfen objektivat: Kjo është “e treta e vërteta”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2021 | 15:36

EKSKLUZIVE/ Ulja e Artan Mërgjyshit në stolin e Korabit, trajneri rrëfen objektivat: Kjo është “e treta e vërteta”

Artan Mërgjyshi do të jetë trajneri i ri i Korabit. Konfirmohet lajmi i “Panorama Sport” në numrin e së shtunës, ku paralajmërohej afrimi i kryeqytetasit te klubi dibran.

mergjyshi

Paraditen e djeshme, mes 53-vjeçarit tiranas dhe drejtuesve të Korabit është arritur akordi, duke nënshkruar marrëveshjen në opsionin 1+1. Pas dështimeve të bisedimeve me trajnerin Agim Canaj, klubi dibran nuk ka humbur kohë dhe i ka besuar përvojës së Mërgjyshit, i cili e njeh mirë Korabin.

Ai ka qenë futbollist i kësaj skuadre në periudhën 1988-1990, ndërsa si trajner në vitin 2016. Ish-trajneri i Dinamos, Kastriotit, Besës, Bylisit, Laçit dhe Apolonisë, rikthehet tashmë pas 5 vjetësh në krye të pankinës së Korabit, me një projekt të ri dhe me objektiva madhorë për ngjitjen e skuadrës në Superligë. Ekskluzivisht për gazetën, trajneri Mërgjyshi është shprehur optimist për sfidën e re që e pret në krye të klubit dibran.

“Korabi është një njohje e vjetër për mua. Është hera e tretë që kthehem aty, një herë si lojtar dhe dy herë si trajner dhe shpresoj që të jetë ‘e treta, e vërteta’. Unë e njoh ambientin, më do ky ambient, kam respekt dhe themi që me mbështetjen e klubit, gjërat do të shkojnë mbarë”, deklaroi fillimisht trajneri i ri i Korabit. Në lidhje me garën dhe synimet e klubit, Mërgjyshi nuk i fsheh. Ai nuk u trembet objektivave që do të ndërmarrë bashkë me skuadrën.

“Patjetër që ndryshimi i formulës na bën më të ndërgjegjshëm për vështirësitë që do të kemi. E dimë që do të ketë shumë vështirësi dhe konkurrencë. Unë sapo kam nënshkruar dhe nuk e njoh akoma mirë skuadrën, por dihet që synimet e Korabit do të jenë madhore, sepse është një ekip me traditë dhe që meriton të pretendojë për të luajtur në nivele më të larta. Janë larguar disa lojtarë, por fillimisht do të shoh mirë të gjitha repartet dhe më pas do të flas me drejtuesit për përforcimet”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"