EKSKLUZIVE/ “UEFA na dha veshje ‘Adidas’, u vodh kamioni e i hodhën në rrugë”, rrëfim unik i Agollit: S’kishim telefon, flisnim nga zyrat e Partisë Republikane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2022 | 21:20

EKSKLUZIVE/ “UEFA na dha veshje ‘Adidas’, u vodh kamioni e i hodhën në rrugë”, rrëfim unik i Agollit: S’kishim telefon, flisnim nga zyrat e Partisë Republikane

Nga UVIL ZAJMI

Uvil_Zajmi
Ka qenë korriku i vitit 1992, kur krejt papritur një njoftim i UEFA-s do të trondiste futbollin, klubet shqiptare të cilat nuk do të përfshihen në shortet për trofetë kontinentalë. Një vendim shokues nga organizmi europian i futbollit, që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. “Sezoni futbollistik 1991-1992 ka qenë i jashtëzakonshëm.

WhatsApp Image 2022-08-11 at 9.17.37 PM (1)

Nga largimi i të rinjve pas ndeshjes në Frankfurt me Gjermaninë, teleteksti klandestin për UEFA-n, refuzimi i Spanjës për të luajtur në Tiranë, ndeshjet që zhvillohen në fusha asnjanëse, eksodi futbollistik, pasiguria në stadiume, vështirësia në komunikim, – tregon Agolli ekskluzivisht për “Panorama Sport” – Mbërritëm në një pikë kur me UEFA-n flitej edhe nga zyrat e Partisë Republikane.

gazeta2

Ishte koha kur shkëputej FSHF-ja nga shteti, zhvilloheshin zgjedhjet dhe krijohej komiteti i parë ekzekutiv i federatës”. Kështu e rikthen sot për herë të parë pas tri dekadash atë vit të vështirë Kreshnik Agolli. Në atë periudhë ai ishte punonjës në FSHF, në sektorin teknik, njëkohësisht edhe anëtar i Komisionit të UEFA-s për të rinjtë.

Kreshnik, e nisim me teletekstin klandestin, i pari në ato ngjarje të atij fundviti…
Më 20 shtator, në Montre të Zvicrës mbahet Konferenca e 8-të e federatave anëtare të UEFA-s. Para fillimit të saj, në seancën plenare, ata lexuan publikisht një informacion të ardhur nga Tirana, ku me anë të një teleteksti njoftonte UEFA-n se dy përfaqësuesit shqiptarë në këtë konferencë (F. Frashëri dhe Gj. Thaka) nuk ishin përfaqësues të FSHF-së. Fatmiri, njohës, folës i mirë i anglishtes, kur u kthye më tregonte: “Një fytyrë më vinte një më shkonte”. Nuk kishim asnjë informacion kush e kishte nisur këtë teletekst dhe nga ku..?! Për më tepër që nuk ishte aspak i vërtetë. Gjithçka u konfirmua kur në buletinin e saj të ardhur në Tiranë pak më vonë, UEFA njoftonte se informacioni kishte për autor një ish-zyrtar të FSHF-së, tashmë i shkarkuar. Nisur nga ky fakt, sipas UEFA-s, Shqipëria nuk konsiderohej e përfaqësuar në konferencë. Ajo që ne konstatuam ishte se teleteksti në adresë të UEFA-s ishte transmetuar jo nga zyrat e komitetit shtetëror të sportit, por nga ATSH. Dhe kjo nuk ishte aspak serioze, madje dëmtuese për imazhin e Shqipërisë dhe me ndikim në UEFA.

WhatsApp Image 2022-08-11 at 9.17.35 PM (1)

Më pas eksodi i parë masiv që tronditi UEFA-n… Çfarë ndodhi?
Jemi pas vitit 1990 dhe atyre ndryshimeve kolosale, ku situata politike, ajo ekonomike, sociale në Shqipëri ishte e tensionuar. Kjo e reflektuar më shumë në fushat dhe stadiumet e futbollit. Veçanërisht sezoni 1991-1992, kur kampionati filloi me shumë probleme, me ndeshje që luheshin në fusha asnjanëse. Por, ngjarja që tronditi rëndë edhe UEFA-n ishte kur pas takimit RF Gjermane-Shqipëri 8-1 për 16-vjeçarët, e luajtur në Frankfurt me 7 nëntor 1991, largohen thuajse të gjithë futbollistët. Edhe sot flitet për ngjarjen. Ka qenë i pari eksod aq masiv nga një skuadër shqiptare futbolli. Ndërkohë në administratë ka ndryshime: Agim Zeka me detyrë zv/ministër në MKRS, është njëkohësisht edhe Kryetar i Komitetit të Sporteve duke zëvendësuar Ali Vukatanën. Shkarkohen të gjithë sekretarët e federatave dhe nga FSHF-ja largohet A.Tahiri e në vendin e tij vjen Fatmir Frashëri.

Kur lindën mosmarrëveshjet e para me UEFA-n dhe si e vodhën kamionin me veshje “Adidas”?
Duke parë që UEFA mbështeste fuqimisht të rinjtë deri në 21 vjeç dhe si anëtar i Komitetit tësaj për këtë moshë, i kërkova ndihmë konkrete. Fillimisht ata mbështetën nga ana financiare udhëtimet vajtje-ardhje, akomodimet dhe veshjet, duke rekomanduar “Adidas”-in në këtë rast. Përfaqësuesit e tij na garantuan logon në fanellat kombëtare të moshave, duke asistuar si një sponsor falas, duke na bërë dhuratë veshjet, tuta, topa, gjithçka. Kjo u realizua kur në Frankfurt luajti ekipi kombëtar për të cilin fola me sipër. Pavarësisht çfarë ndodhi, eksodin masiv pra, ata organizuan transportin me anije. Dhe kur kamioni erdhi në Durrës, gjatë rrugës për në Tiranë, ai u hap dhe nga keqbërës u vodh thuajse i gjithi. Ishte dramë të shikoje arkat me materiale që hidheshin në rrugë me kamionin në ecje. Mbetën pak gjëra që u magazinuan. Ishin materiale të një cilësie të lartë, se u morën direkt nga “Adidas”-i gjerman. Sigurisht që edhe kjo ngjarje ndikoi te zyrtarët e UEFA-s.

WhatsApp Image 2022-08-11 at 9.18.13 PM (1)

Ç’mund të na thoni për refuzimin e Spanjës për të luajtur në Shqipëri?
Luhej për eliminatoret e Kampionatit Europian dhe Shqipëria ishte në grup me Spanjën, Islandën, Francën, Çekosllovakinë. Viti 1991, zhvillojmë dy ndeshje në “Qemal Stafa”; 0-2 me Çekosllovakinë dhe fitojmë 1-0 me Islandën, me gol të Abazit. Pastaj ndeshja me Spanjën, fundvit, që krejt papritur pas një urdhri të UEFA-s lidhur me pasigurinë në vend, Spanja nuk vjen në Tiranë duke marrë aforfe ndeshjen. Edhe ky ishte një sinjal. Kujtoj që në Stadiumin Kombëtar tonin për Kupën UEFA, pak më parë ishte zhvilluar Partizani- Fejnord. Një vit më parë kishte luajtur edhe Franca.

Kontrata televizive, një tjetër motiv shqetësues pas së cilës ikën edhe Frashëri apo jo?
Bëhet fjalë për një kontratë për të drejtat televizive, e para në histori për FSHF-në. Bashkë me reklamat, si sponsor për ekipin kombëtar, ndeshjet e saj, ishte një kompani prestigjioze holandeze, “Inter-futboll”, me të cilën nënshkruam. Dhe, kur gjithçka ishte gati, Komiteti Shtetëror bëri një kontratë tjetër me një kompani greke, duke mos e marrë parasysh atë me holandezët. Ishte edhe ky një motiv që e largoi Frashërin, i cili dha dorëheqjen në dhjetor, por në janar u largua zyrtarisht si sekretar i FSHF-së.

Situatë e vështirë në start të 1992-shit, pse?
Eksodi masiv i lojtarëve të rinj, atyre Shpresa, trajtimi ekonomik e financiar i futbollistëve, rrogat, pagesat e tyre, klubet në vështirësi financiare, udhëtimet e skuadrave, po kështu edhe për arbitrat në pagesat e tyre. Një situatë katastrofike në infrastrukturën sportive. Pikërisht në këtë kohë, pas largimit të Frashërit, në vendin e tij, Zeka komandon Eduard Dervishin.

Në Tiranë mbërrin UEFA dhe ju ishit i pranishëm në takimin me krerët e saj. Çfarë ndodhi?
Në Tiranë vjen një delegacion i UEFA-s, i kryesuar nga Senes Erzig, zv/President, bashkë me një funksionar të administratës, Vitorio Yeni. Takuan A. Zekën duke i treguar se qëllimi kryesor i vizitës ishte ai i shkëputjes së FSHF-së nga shteti. Erzig, njëkohësisht edhe president i Federatës Turke, me shaka i thotë Zekës, se deri më 1988 ishte shteti që tallej me federatën, por pas shkëputjes jemi ne që kemi katër vjet që tallemi me të. Zeka ishte dakord për një ndryshim të tillë edhe në Shqipëri.

Vjen Eduard Dervishi, një i ri në drejtim të FSHF-së… Ç’mendim keni për të?
Dhe unë kam qenë një ndër iniciatorët, mbështetësit te Agim Zeka për ardhjen e tij si sekretar i FSHF-së. Me Edin kisha njohje, miqësi dhe vlerësim. Pas specializimit në Koverçano të Italisë, jepja leksione në ILKF duke komunikuar edhe me Edin, që ishte pedagog aty. Djalë i përgatitur, fliste gjermanisht, anglisht dhe spanjisht. I përkiste një brezi të ri, me një mentalitet modern për kohën.

Nisën aktivitetet, po pse sërish në fusha asnjanëse?
Në shkurt nisi Kupa, pastaj faza e dytë e kampionatit, por kishte probleme, tension dhe dhunë ndaj arbitrave. Për këtë arsye, ndeshjet luhen në fusha asnjanëse. Një zgjedhje e detyruar, e vështirë edhe në raport me UEFA-n, FIFA-n dhe me pasoja. Ndërkohë në “Qemal Stafa” zhvillohet miqësorja Shqipëri-Greqi, 1-0. Lojtarët vijnë nga jashtë. Në fund të sezonit, Vllaznia shpallet kampione, Partizani në vendin e dytë dhe Teuta në të tretin, që sigurojnë pjesëmarrje në Kupat e Europës. Në qershor, në Tiranë luhet finalja e Kupës FK Elbasani-Besa 2-1.

Maji i atij viti ishte muaji i ndryshimeve të mëdha historike apo jo?
Në atë muaj sporti shqiptar hapi një faqe të re. Në mbledhjen e qeverisë, Këshilli Ministrave miratoi ndarjen e FSHF-së nga Komiteti i Sportit dhe po në atë kohë, Arben Jorgoni zgjidhet president i parë i KOKSH-it, ndërsa L. Toska sekretar i tij. Jorgoni ishte njëkohësisht edhe zv/ministër në MKRS. Në korrik, arbitrat krijojnë shoqatën e tyre të parë me president Plarent Kotheren, ndërsa në gusht ishte vendosur zhvillimi i asamblesë së parë të futbollit.

Na tregoni pak largimin në mesnatë nga zyrat e vjetra dhe si i morët tavolinat në krah…?!
Pas ndarjes me Komitetin e Sporteve, bashkë me Dervishin, Gj. Thakën, E. Gëzdarin, B. Lubanin, punonjës të FSHF-së, i kemi marrë në krah tavolinat, ato pak gjera që kishim në zyrë në mjediset e Komitetit Shtetëror. Ylli Tare, drejtor i stadiumit, na dha një zyrë poshtë shkallëve të “Qemal Stafës”. Aty kemi nisur punë. Vështirësitë ishin të shumta, por më kryesorja ishte komunikimi me UEFA-n. Mungonte gjithçka.

Komunikimi, kaq i vështirë ishte sa ç’po e tregoni?
Po. Nuk mundet ta imagjinoni si komunikonim në atë kohë. Dhe isha unë që komunikoja me UEFA-n, FIFA-n. Linjat ishin thuajse të izoluara, të bllokuara, të ngarkuara nga refugjatët që flisnin gjatë me familjarët e tyre jashtë vendit. Për të komunikuar me UEFA-n apo FIFA-n, më ka qëlluar të shfrytëzoja telefonin e të flisja nga zyrat e Partisë Republikane. Kujtoj Sabri Godon kur më shihte. Një herë në javë arrija të komunikoja me to, ku merrja informacion, njoftime për ndeshje, emërime arbitrash në turne ndërkombëtare. Kështu edhe për klubet. Një mungesë e theksuar komunikimi. Më vonë ishte greku Tasos, një menaxher i njohur, njeri i mirë, që për FSHF-në solli falas pajisje zyre, si fakse, telefona, etj.

WhatsApp-Image-2022-08-11-at-9.18.23-PM-1

Ka pasur edhe një problem të madh me transfertat financiare. Si i zgjidhët ato?
Pasi u shkëputëm nga shteti, kujtoj një rrogë 70 mijë lekë. Ndërsa ndihmat financiare nga UEFA kishin shumë vështirësi të vinin, të transferoheshin në Tiranë edhe për mosfunksionim normal të bankave në atë kohë. Kjo për pagesat e arbitrave, pagesat e lojtarëve që luanin jashtë, që kur vinin kërkonin paratë, etj. Edhe në këtë drejtim, sistemi financiar i komunikimit me UEFA-n ishte katastrofë.

Pas këtyre vështirësive Shqipëria luajti ndaj Lituanisë. A ishte ai një lloj testi për federatën e re?
Edhe pse situata e futbollit në vend ishte delikate, kujtoj se në atë periudhë kemi zhvilluar tri ndeshje për eliminatore për Botërorin USA ‘94: Në Sevilje, muaji prill humbasim 3-0 me Spanjën, në maj në Dublin, 2-0 me Irlandën dhe më 3 qershor në “Qemal Stafa”, mundim 1-0 Lituaninë me gol të Abazit. Një ndeshje e zhvilluar normalisht, por shumë i vështirë organizimi i saj. UEFA me të deleguarin e saj ishte prezent në stadium. Sidoqoftë, ishte një test që u kalua. Ndërkohë në Lojërat Olimpike “Barcelonë 1992”, Shqipëria do të konkurrojë në 5 sporte. Pra, kemi një atmosferë deri diku pozitive në raport me marrëdhëniet me organizmat e huaja sportive.

Po me shortin e Kupave të Europës çfarë ndodhi?
Ka qenë fund qershori kur FSHF i dërgoi UEFA-s dokumentacionin e plotë për klubet. Ndërkohë që në Goteborg Dervishi merr pjesë në Kongresin e UEFA-s. Aty kemi takuar Aigenrin dhe Johansonin. Mori premtime për ta ndihmuar ekonomikisht sportin shqiptar. Më 2 korrik Dervishi merr pjesë në Kongresin e FIFA-s në Zyrih, ku Blateri shprehet pozitivisht për zhvillimin normal të ndeshjes me Lituaninë. Pritet shorti për ekipet tona në Kupat e Europës, pa pasur asnjë dyshim për vendimin vijues.

Po pse papritur erdhi vendimi i UEFA-s që nuk do të kishte ndeshje për klubet?
Ka qenë një befasi e madhe, nuk e prisnim. Bashkë me Shqipërinë në të tilla kompeticione nuk do të luanin as klubet nga Kroacia dhe Gjeorgjia. Lajmi erdhi nga agjenci të huaja. Jemi mbledhur menjëherë në zyrën e Dervishit dhe minutë pas minute kemi ndjekur rrjedhën duke reaguar. Kujtoj se Dervishi u lidh në telefon me Markus Shtudner, punonjës në UEFA-s, i cili konfirmoi se vendimi ishte marrë nga komiteti për ndeshjet midis klubeve në UEFA. I kërkuam që të na dërgonte zyrtarisht një material që mbërriti pak më vonë.

Për çfarë bëhej fjalë, cilat ishin motivet?
Në vija të përgjithshme, kujtoj se shkruhej që gjendja në Shqipëri ishte shumë e pasigurt dhe kohët e fundit ishte përkeqësuar. Komunikimi, kontaktet ishin të pamundura dhe kanë munguar me FSHF-në si me telefon, faks apo teletekst. Pra, këto ishin motivet.

E vërtetë është që pasi u njoftua qeveria u ngritën të gjithë në këmbë kundër UEFA-s?
Po, pasi Dervishi njoftoi menjëherë të gjitha hallkat e shtetit, nga të cilat pati reagim energjik. Nga kabineti i Presidentit Berisha, Kryeministrit Meksi, Ministrit të Jashtëm A. Sarreqi, Presidenti i KOKSH-it A. Jogoni, të gjithë në rrugë zyrtare protestonin pranë UEFA-s duke hedhur poshtë si të pabaza pretendimet e tyre, e duke kërkuar ndryshimin e vendimit.

Shorti ende nuk ishte hedhur, a mundej që Apeli të kthente vendimin e UEFA-s?
Prandaj edhe ne nxitonim. I dërguam një faks Aignerit dhe Komitetit Ekzekutiv të UEFAs ku protestonim për këtë veprim arbitrar dhe krejtësisht të njëanshëm të tyre, duke kërkuar anulimin e vendosur në short skuadrat tona. Ndërkohë, njoftuam duke i dërguar një notë proteste edhe FIFA-s. Unë e dija si funksiononin mekanizmat në UEFA edhe pse kisha njohje, miqësi me drejtues të lartë të saj, pasi shkoja 5,6 herë në vit, duke takuar sekretarin e përgjithshëm të saj Aigner, dy zv/presidentët Perondal dhe Erzig. Ky i fundit me origjinë shqiptare, njerëz me potencial në UEFA, por ishte e pamundur që Apeli të kthente vendimin. Si për ne, edhe për klubet kroate dhe gjeorgjiane.

Aignerit i kërkohet të vijë në Tiranë dhe ka pasur një bisedë të tensionuar të Dervishit me të. Ju si e kujtoni?
Ishte një tentativë për ta bindur atë. Ai nuk pranoi, gjeti një justifikim se ishte me pushime. Edhe kërkesës sonë për të na treguar burimet zyrtare e informacionit që e nxitën UEFA-n për atë vendim ekstrem, ai i shmangu. Na komunikoi se anulimi i atij vendimi ishte i pamundur. Kam qenë dëshmitar në të gjitha komunikimet zyrtare me UEFA-n, veçanërisht në atë bisedë kur Dervishi i reagoi ashpër Aignerit, që u shfaq indiferent gjatë bisedës. Kjo e fundit u tensionua, kur Dervishi i akuzoi direkt, ndonëse për UEFA-n, drejtuesit e saj, nuk ishte normale. Për ta qetësuar situatën, ai na premtoi ndihmë financiare për klubet.

Më folët për një letër të vonuar të Aignerit që vjen pas dy javësh në FSHF. Si mundet ky komunikim për një ngjarje kaq të madhe?
Ishte një përgjigje e Aignerit, ku ndër të tjera, sqaronte se vendimi u mor nisur nga situata jo e qëndrueshme politike në vendin tonë, e cila nuk siguron ardhjen e ekipeve, arbitrave, zyrtarëve të UEFA-s në Shqipëri, etj. Këtë letër ai e kishte nisur me 17 korrik dhe në FSHF erdhi në fund të muajit. Një vonesë, që sot duket e pamundur, por normale për situatën dhe kohën. Edhe kështu komunikonim edhe me UEFA-n, me anë të Postës Qendrore.

Për një çast harrohet pezullimi dhe vëmendja shkoi tek asambleja e parë historike e FSHF-së…
Ajo ka qenë një asamble e zhvilluar në urgjencë dhe nëse nuk gaboj, pa njoftuar UEFA-n. Mungonte eksperienca dhe rëndësi imediate ishte të zgjidhej sekretari i përgjithshëm. Anëtarë të komitetit u mendua të ishin sekretarët e klubeve, pjesëmarrëse në kampionatin që do të niste dhe që garantonin zhvillimin e tij. Ajo u zhvillua në mjediset e ILKF “Vojo Kushi”, në gusht 1992, ku Dervishi me votim të KE u zgjodh sekretar i përgjithshëm bashkë me 9 anëtarë, nga të cilët 6-të ishin: S. Hyka, B. Labinoti, N. Lorenci, S. Ibrahimi, G. Xhafa, E. Dervishi. Ndërsa tre u caktuan: Kotherja si president i SHASHF, Bejkush Birçe si trajner i Kombëtares dhe Agim Duka si shef i financës.

Po presidenti pse nuk u zgjodh?
Nuk u diskutua lidhur me rolin e presidentit dhe tani që po më thoni, as nuk e di, nuk e kujtoj dhe nuk e gjej motivin. Urgjenca për ta zhvilluar e përfunduar asamblenë edhe pa zgjedhur presidentin, ishte kryesorja. Rëndësi kishte sekretari i përgjithshëm, kryesisht në marrëdhëniet zyrtare me FIFA-n, UEFA-n. Presidenti i parë i FSHF-së ka qenë Edmond Spaho, që u zgjodh më 1994.

Në shtator nisi kampionati, pastaj ndeshja me Kombëtaren në Tiranë dhe duket sikur UEFA “hap” krahun apo jo?
Sezoni 1992-1993 pati pak probleme duke e shtyrë disa herë nisjen e tij. Pastaj, Shqipëri-Letoni 1-1, e zhvilluar me 11 nëntor. Pra, nga një vendim i padrejtë me klube, në pak muaj UEFA lejoi që ndeshjen për Europianin, Shqipëria ta zhvillonte në Tiranë, pa kaluar as katër-pesë muaj.

Dhe në mbyllje, dy fjalë për lexuesit lidhur me atë takim unik me Komitetin Organizator për Zhvillimin e Futbollit të Lindjes…
Ka qenë shkurt i vitit 1992, kam asistuar në një mbledhje të rrallë, historike që u zhvillua në Varshavë. Nga viti 1960, Blloku Lindor, me kërkesë të federatave të ish-vendeve socialiste kishin krijuar një bashkësi apo një grup, nëse kjo është fjala e duhur, duke u mbledhur sistematikisht, një ftesë qëi vinte edhe FSHF-së. Por ajo nuk e njihte këtë “traktat”, duke njohur vetëm UEFA-n, pasi ajo drejtohej nga Bashkimi Sovjetik. UEFA ishte në dijeni, por nuk reagonte, pasi nuk i interesonte. Pse shkova unë? Për faktin se kur ftesa erdhi në FSHF, kishte edhe nënshkrimin për dijeni edhe UEFA, që kishte organizuar këtë takim. Ndërkohë kishte rënë Muri i Berlinit, vetë organizatorët, komiteti i atij organizmi, me shtete si Bullgaria, Rumania, Polonia, Çekia etj., kishin vendosur që ky aktivitet të mos zhvillohej më. Kishin ftuar UEFA-n të ishte e pranishme në këtë mbledhje mbyllëse. Kujtoj kur në mbledhje u ngrit një ndër drejtuesit e saj dhe m’u drejtua mua: “Na befason Shqipëria që është sot këtu për herë të parë e të fundit”.

gazeta1

Kreshnik, çfarë ishte, si funksiononte ky mekanizëm që e dëgjojmë të flitet për herë të parë?
Aty mblidheshin specialistë nga këto vende, bënin strategjitë kundër sportit të shteteve perëndimore. Shkëmbenin eksperiencën, planet e stërvitjeve, përgatitjet, atë të shkollave, akademive sportive, kryesisht për zhvillimin e futbollit te moshat. Qëllimi ishte si të përballonin ekipet, futbollin perëndimor. Ka qenë festë për ta kur Gjermania Lindore triumfoi ndaj asaj Perëndimore në Botërorin ’74-ës, fitoren e Dinamos së Kievit, të Steauas në Kupën e Kampioneve. E konsideronin një triumf, sukses edhe sfidë ndaj futbollit perëndimor. Në Varshavë ishte i pranishëm edhe një zyrtar i lartë i UEFA-s. Kam një foto kujtim nga ai takim.

30 VJET MË PARË/ KUR UEFA PËRJASHTONTE KLUBET SHQIPTARE TË FUTBOLLIT

Një rikthim në pjesëmarrjet europiane të klubeve shqiptare, refuzimet, përjashtimet, duke nisur nga debutimi, sezoni 1962, Kupa e Kampioneve, Partizani ndaj Norçepingut, kundër Spartak P.Këlnit dhe më 1965-1966 17 Nëntori-Kilmarnok. Pastaj katër vite mungesë në këtë Kupë: 1966, 17 Nëntor-Valerenga (Nor) dhe 1967 Dinamo-Eintraht B. skuadrat shqiptare do të tërhiqen vetëm pak javë para ndeshjeve.

Më 1968-ën nuk ka pjesëmarrje, pasi Shqipëria nuk ka ekip kampion (vetëm Partizani në Kupën e Kupave ndaj Torinos, debutim ky në këtë trofe për një klub shqiptar) dhe rikthim në Kupën e Kampioneve në shtator të 1969- ës, me 17 Nëntorin (kampion në dhjetor të 68-ës) ndaj Standard Liezhit. Pastaj 17 Nëntori-Ajaks, Partizani-CSKA S, tjetër ndalesë në këtë Kupë kur Vllaznia kampione në edicionin 1971-1972 nuk do të marrë pjesë pas dënimit disavjeçar të Sport Klub “Vllaznia” pas rikthimit të volejbollistëve nga një turne në Kosovë. Një vendim absurd i Komitetit të Partisë në Shkodër dhe i FSHF-së.

Pak më ndryshe në Kupën e Kupave: 1970 Partizani-Atdvidaberg në turin e paraeliminatoreve që kualifikon të kuqtë, për të vijuar Partizani-Vaker I në turin e parë, 3-2 vajtje dhe 1-2 në kthim. 1971, Dinamo-Austria V 1- 1/0-1 dhe përfaqësimi dinjitoz, befasues i Besës në të parin dhe të vetmin konkurrim europian: 1-1 dhe 0-0 ndaj danezëve të Framadit në turin e parë dhe kualifikim, për t’u eliminuar nga skocezët e Hibernians në të dytin (7-1/1-1).

Më pas, një tjetër vetëpezullim i gjatë në ballafaqimet kontinentale deri më 1978-1979. Kupa e Kampioneve, Vllaznia-Austria Viena, 2-0/1-4. Sezoni 1982-1983, 17 Nëntori regjistron kualifikimin e parë historik në Kupën e Kampioneve, duke eliminuar Linfildin në turin e parë, por në të dytin, pas shortit me rusët e Dinamos së Kievit, refuzohet, nuk luhet dhe vjen ndëshkimi njëvjeçar nga UEFA, që për pasojë në sezonin 1983-1984 nuk do të ketë pjesëmarrje në këtë trofe.

Për t’u rikthyer më 1984-1985 me Labinoti-Lingby dhe më 1988-1989, Benfika-Partizani, por pas ngjarjeve përgjatë ndeshjes, Partizani do të përjashtohet gjatë nga UEFA. E pëson Partizani, por jo klubet e tjera shqiptare, kur për këtë kupë në Tiranë do të vijnë Sliema, Bajerni ndaj 17 Nëntorit dhe 1990-1991 Olimpik M.-Dinamo. Edicioni 1991-1992, në Kupën e Kampioneve luhet Flamurtari-Goteborg, në Kupën e Kupave Partizani-Fejnord dhe Vllaznia-AEK në atë UEFA, për të ardhur te sezonin 1992-1993…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"