“U trondita kur mësova si…”, rrëfehet arbitri spanjoll që gjykoi Dinamo-Tirana: Pse të huajt respektohen më shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Tetor 18, 2020 | 21:15


“U trondita kur mësova si…”, rrëfehet arbitri spanjoll që gjykoi Dinamo-Tirana: Pse të huajt respektohen më shumë

UVIL ZAJMI

Aktualisht në Greqi, jeton e punon prej tri vitesh i caktuar nga FIFA e UEFA për organizimin e sektorit të arbitrave aty.  Ftesën për një intervistë për “Panorama Sport” lidhur me atë ndeshje të zhvilluar 20 vite më parë, Fernandez Marin e pranoi me kënaqësi.

gJYQTARI SPANJOLL

Z. Fernandez, ju kujtohet kur ju njoftuan se do të vinit në Shqipëri për të arbitruar një ndeshje?

Sigurisht, e kujtoj në mënyrë perfekte. Kam marrë një telefonatë nga Komiteti i Gjyqtarëve dhe u ndjeva i vlerësuar për besimin. Duke ditur që emërimi kishte arsye të fortë, duhet t’u tregonim ndërmjet arbitrimit tonë cilësor se ne kishim merituar vlerësimin e tyre për këtë takim të rëndësishëm. Jam ndier i kënaqur pas takimit, duke gjykuar se kishim arbitruar mirë.

Sa e njihnit, çfarë informacioni kishit për Shqipërinë?

Unë jam lexues i rregullt dhe jam jashtëzakonisht i interesuar për historinë dhe kulturën. Lexoj gjithçka që të jem i përgatitur, të di se ku shkoj. Gjatë jetës sime, kam preferuar të udhëtoj në vende “të vogla” për shumë arsye, pasi në Angli, Gjermani, Francë ose Itali është e lehtë të shkosh. Në atë kohë për të udhëtuar në Shqipëri nuk ishte e lehtë dhe kjo do të ishte një mundësi fantastike.

Kishit në të kaluarën kontakt me futbollin shqiptar?

Personalisht jo. Por, kujtoj se një ekip shqiptar luajti me FC Barcelonën (bëhet fjalë Flamurtarin…). Ndërkohë, në kursin si arbitër ndërkombëtar në Holandë (1995), takova një arbitër shqiptar. Fatkeqësisht kur isha në Tiranë, e kërkova, por u informova se ai kishte ndërruar jetë në mënyrë absurde.

E keni fjalën për arbitrin e FIFA-s, Luan Zylfo?

Sikurse ju thashë, ishte një nga pyetjet e mia të para që bëra. U hidhërova kur më njoftuan me hollësi si kishte ndodhur. Qëndrimi në vendin e gabuar në një kohë të gabuar. Ishte shumë trishtuese për mua.

Ju kujtohet udhëtimi, mbërritja në Tiranë?

Ishte hera e parë që vija në Tiranë dhe mbaj mend shumë gjëra. Aeroportin e ngarkuar të Tiranës, radhë të gjata për hyrje-dalje dhe kontroll shumë të ashpër. Por, si nga shoqëruesi ynë edhe impenjimi i federatës suaj, të gjitha u zgjidhën lehtë. Fuqia e futbollit!

GJYQTARI

Pastaj, akomodimi në hotel?

Ne u caktuam në një hotel shumë të bukur (pronar austriak), afër stadiumit “Qemal Stafa”. Kishte kujdes ndaj nesh e të gjitha drekat e darkat ishin perfekte. Ndjeva se sa e vështirë ishte jeta. Pashë njerëz të varfër përpara restoranteve. Por, munda të ndieja qasjen e bukur dhe respektin për ne në çdo kohë. Veçanërisht kujtimin për një restorant peshku, afër detit, mund të jetë në Durrës? Me një ushqim fantastik!

Cilët ishin asistentët tuaj?

Carlos Martin Nieto (FIFA) nga San Sebastian dhe Jose Enguix nga Valencia, si unë. Me ta kam drejtuar mjaft ndeshje në Spanjë dhe sfida ndërkombëtare.

Flasim pak për ndeshjen, ka qenë derbi i Tiranës… Si ju duk?

Mbaj mend atmosferën e nxehtë. Ka qenë mbrëmje, shumë njerëz, fishekzjarrë. Edhe pse kështu, gjatë lojës nuk kishte incidente, të acaruara dua të them. Një stadium në qendër të Tiranës, i ndërtuar nga italianët, siç më treguan. Për ne, pas disa derbi të vështira spanjolle (Barcelona vs Espanjol, Betis vs Sevija, Atletiko vs R. Madrid), ky ishte një tjetër, por me më pak “ngarkesë elektrike”. Sidoqoftë, shumë korrekt nga lojtarët. Ruaj ende fotot e asaj ndeshjeje.

Z. Marin, pse ndodh që kur arbitri është i huaj, nuk ka polemika, si në rastin konkret?

Fatkeqësisht, ky është një koncept i përgjithshëm në shumë vende. Gjithmonë arbitrat e huaj pranohen shumë më mirë se vendësit.

Na tregoni diçka më shumë nga ndeshja, nga ato 90 minuta?

Loja në vetvete ishte e guximshme, me veprime shumë intensive. Unë ndjeva respekt nga lojtarët dhe zyrtarët, që nga fillimi. Kujtoj se kam dhënë 2-3 kartonë të verdhë (ka dhënë 7 të tillë), një të kuq dhe disa paralajmërime për “arsye normale”. Ndeshja përfundoi me rezultatin 2-2 dhe gjithçka shkoi mirë. Arbitri i katërt shqiptar ishte ai që plotësoi raportin zyrtar pas ndeshjes. Një djalë shumë i mirë, i sjellshëm. Qëndroi me ne gjatë gjithë kohës.

Sidoqoftë një ndeshje pak ndryshe, ka qenë kjo për ju apo jo?

Gjatë gjithë jetës sime kam treguar respektin tim 100 për qind për skuadrat e mëdha, të mesme dhe të vogla. Të gjitha meritojnë të njëjtin qëndrim arbitrar, si një finale e Ligës së Kampioneve.

Keni pasur më vonë rastin të drejtoni një takim të një skuadre futbolli nga Shqipëria?

Jo si arbitër, por kam qenë në vendin tuaj të paktën 6 herë si vëzhgues i UEFA-s, në Tiranë, Elbasan e Shkodër. Si i tillë pata privilegjin të jem në një takim shumë të veçantë në Elbasan, Shqipëri-Serbi, me një arbitër të finales së Kupës së Botës, Nicola Rizzoli.

Po me arbitrat shqiptarë çfarë raportesh keni?

Kam qenë mentor me Albano Jankun. Si vëzhgues në Norvegji në një miniturne me Plarent Kotheren. Ndërsa punoj si trajner në programin “CORE UEFA” me Sokol Jarecin. Kam qenë edhe instruktor i një tresheje me arbitra shqiptarë në UEFA. Më kanë thënë se arbitri tani jeton në Kanada, por më vjen keq që nuk e mbaj mend emrin e tij. Në fakt, Shqipëria po rritet shumë në futboll, shpresoj e uroj gjithçka të mirë, në veçanti për arbitrimin shqiptar.

Nga futbolli, stadiumet plot, pastaj “COVID-19” dhe gjithçka e boshatisur. Mungojnë tifozët. Si e përjetoni këtë situatë?

Unë tani jam duke punuar në Greqi. Para kësaj pandemie jeta ishte pasion dhe stadiumet plot. Sot ka ndryshuar gjithçka, mjedise bosh dhe të detyruar të mbajmë distancën, në një sport që është absurde ta mendosh.

Z. Fernandez, në mbyllje, a keni një këshillë për arbitrat shqiptarë?

Besimi duhet të fitohet në fushën e lojës. Unë përpiqem që t’i mbroj dhe t’u ofroj të gjithë arbitrave një mjedis të sigurt për të arbitruar në mënyrën më të mirë. Por, e përsëris, besimi fitohet në fushë e lojës si për një arbitër spanjoll, francez, grek, italian apo shqiptar qoftë.

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com