EKSKLUZIVE/ U skualifikua përjetë, reagon peshëngritësi Çerçizi: Jam i pafajshëm, tymi i cigareve të lyera me kokainë… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2021 | 23:33

EKSKLUZIVE/ U skualifikua përjetë, reagon peshëngritësi Çerçizi: Jam i pafajshëm, tymi i cigareve të lyera me kokainë… (E PLOTË)

Vetëm pak ditë më parë peshëngritja shqiptare u trondit nga një tjetër skandal, që ka të bëjë me përdorimin e substancave të ndaluara. Në testimet e kryera gjatë kampionatit kombëtar që u mbajt në datat 21- 22 shkurt në Durrës, shtangisti Arbër Çerçizi rezultoi pozitiv me kokainë. Kjo gjë solli edhe vendimin ekstrem të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, duke e përjashtuar përjetësisht nga shtanga Çerçizin si dhe duke skualifikuar me 5 vite edhe trajnerin e tij, Riza Fejzullahu.

166548852_775911649697885_5699777056641712577_n

Disa ditë pas këtij skandali, peshëngritësi i Apolonisë ka vendosur të thyejë heshtjen, teksa mohon kategorikisht të ketë përdorur kokainë. Në një deklaratë ekskluzive për “Panorama Sport”, Arbër Çerçizi rrëfen se çfarë kishte bërë disa ditë para garës, gjë që mund të jetë edhe shkaku që në trupin e tij u gjet substanca e kokainës. 24-vjeçari e konsideron veten të pafajshëm, ku sqaron se substanca mund të këtë hyrë gabimisht në trupin e tij në një festë disa ditë para kampionatit kombëtar.

REAGIMI I ARBËR ÇERÇIZIT

Ja reagimi i plotë i peshëngritësit Arbër Çerçizi në lidhje me këtë çështje: “Unë Arbër Çerçizi i drejtohem opinionit publik dhe të gjitha institucioneve sportive duke dhënë shpjegimin tim rreth problemit të ndodhur në analizat e mia. Unë 3 ditë para garës kam qenë duke festuar në një ambient të mbyllur së bashku me shumë persona të njohur dhe të panjohur. Aty kam konsumuar pije alkoolike dhe jo kokainë.

Ndoshta në atë ambient ka pasur njerëz që kanë konsumuar cigare të lyera me kokainë dhe normalisht në ambient të mbyllur tymin e thithin të gjithë njerëzit e pranishëm që ndodhen në atë ambient. Unë ato tri ditë para gare jam ndier keq fizikisht dhe në kampionatin shqiptar kam shkuar sa për të bërë dy prova, sepse s’kam qenë mirë që nga dita e festës.

Unë këtë substancë që më është gjetur nuk kam arsye pse ta merrja në garë sepse kjo substancë nuk ndikon në rritjen e performancës sime fizike në sportin që unë bëj dhe s’ka asnjë arsye të përdoret kokaina në peshëngritje. Është njësoj si të konsumosh alkool dhe të shkosh na kampionat me mendimin që do të rrisësh performancën fizike, gjë që është anormale.

Kjo substancë ka hyrë gabimisht në trupin tim nga tymi ose mund të ma kenë hedhur diku pa dijeninë time në atë festë. Që nga ajo ditë kur kam qenë në festë dhe deri ditën e garës, unë nuk jam ndier mirë dhe pasi ka dalë përgjigjja e analizës, kam kuptuar që këtë substancë do ta kem marrë atje gabimisht, sepse asnjëherë s’do të më shkonte mendja të merrja një substancë të tillë për të shkuar në kampionat”, përfundoi deklaratën e tij peshëngritësi 24-vjeçar i Apolonisë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"