EKSKLUZIVE/ U shpall kampion në Bjellorusi, Ardit Krymi: Pres ftesë nga Kombëtarja! Ky do të jetë sezoni i Vllaznisë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2022 | 20:25

EKSKLUZIVE/ U shpall kampion në Bjellorusi, Ardit Krymi: Pres ftesë nga Kombëtarja! Ky do të jetë sezoni i Vllaznisë (E PLOTË)

Ardit Krymit i mjaftuan gjashtë muaj për t’u shpallur kampion në Bjellorusi me Shaktjor Soligorsk, teksa në verën e vitit 2023 do të luajë në Champions për herë të parë. Në tetë sezone radhazi aktivizim me Vllazninë, mesfushori arriti të fitojë dy herë Kupën e Shqipërisë, por pa mundur të shpallet kampion i Shqipërisë.

ahmedi krymi

Megjithatë, ai është i bindur se ky sezon do të jetë i duhuri që skuadra e vendlindjes të festojë titullin dhe ai ta përjetojë si tifoz. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 26-vjeçari flet për aventurën e parë jashtë vendit, ecurinë e Vllaznisë dhe ftesën e munguar nga trajneri Eduardo Reja për miqësoret e zhvilluara ndaj Arabisë Saudite dhe Katarit, ku u grumbulluan më së shumti lojtarë nga kampionati shqiptar.

Ardit, së pari urime për shpalljen kampion në Bjellorusi. Cila është ndjesia e titullit të parë në karrierë, që e arrini larg Shkodrës?

Sigurisht, një ndjesi e veçantë të jesh kampion. Pas dy kupave me Vllazninë, erdhi edhe titulli në Bjellorusi. Jam shumë i kënaqur për këtë arritje.

Nga 11 ndeshje, si titullar keni qenë katër herë. Ka konkurrencë të madhe te Shaktjor Soligorsk?

Normalisht që po, por problem është edhe numri i lojtarëve të huaj, sepse vetëm 4 lejohet të luajnë në formacion. Megjithatë, jam i kënaqur, sepse në ndeshjet më të rëndësishme kam luajtur nga minuta e parë. Normalisht ka vend për përmirësim, sepse është vetëm fillimi.

Në ndeshjen e fundit ku festuat ishit nga minuta e parë…

Ishte një ndeshje që na duhej patjetër fitorja. Emocionet ishin të mëdha dhe arritëm që ta mbyllnim mirë. Këtë emocion do të dëshiroja që ta provoja edhe me Vllazninë.

Si e shikon të ardhmen me këtë ekip?

Mendoj se e kam nisur mbarë. Jam pjesë e një skuadre që kërkon gjithmonë të jetë më e mira në Bjellorusi. Objektivi i klubit është që të ecim sa më shumë në Kupat e Europës.

Kombëtarja zhvilloi katër miqësore në dy muajt e fundit, e prisnit një ftesë?

E prisja një ftesë, por kjo nuk më dekurajon. Nuk duhet të dorëzohem, pasi kam besim se ftesat do të vijnë. Do të jetë vetëm puna ime që do të më çojë në arritjen e çdo objektivi që kam.

Si u ndiet për shokët tuaj shkodranë te Vllaznia, Gurishta dhe Hakaj?

Në mënyrën më absolute e kanë merituar që të dy ftesën, por edhe që t’i luajnë të dyja ndeshjet në formacion. Kjo, sepse nuk ka mbrojtës krahu më të mirë në Shqipëri sesa këta të dy. E kanë treguar këtë.

Besoj se e keni ndjekur Vllazninë, si ju duket ecuria e deritanishme?

Po, e kam ndjekur me aq mundësi sa kam pasur. Mendoj se çdo gjë është në rrugën e duhur. Ekipi në dy javët e fundit ka treguar stabilitet. Duhet të jenë gjithmonë bashkë, sepse kështu kanë për t’ia dalë në fund. I kanë mundësitë për të shkuar te titulli.

E prisnit më lart në renditje Vllazninë?

Po. Ashtu si kanë shkuar disa ndeshje, është gjynah që janë lënë pikë, jo vetëm me Erzenin. Me disa rikuperime të vogla në ndeshje të veçanta, do të kishin qenë në vend të parë sot.

Cilin shikoni si rival për titull në Superligë?

Pas Vllaznisë, mendoj Tiranën dhe Partizanin.

Besoni se ky mund të jetë sezoni i Vllaznisë?

Po, i kanë mundësitë. Lojtarët janë shumë të mirë, pse jo të mos jenë pretendentë për titull.

Më 7 dhjetor luhet finalja e Superkupës, Tirana-Vllaznia. Do të kishit dashur që të ishit në fushë në këtë përballje?

Normalisht që do të kisha dashur që të isha në fushë, por do të jem si tifoz i Vllaznisë i pranishëm në atë sfidë.

Cilën skuadër shikoni fituese?

Normalisht Vllazninë, sepse ia ka marrë dorën Tiranës, si në fushë dhe si në tribunë bashkë me “Vllaznit Ultras”.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"