EKSKLUZIVE/ U shpall kampion me Tiranën, mesfushori bardheblu “kunj” Shkëndijës: Të më shohë nga TV

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2022 | 14:45

EKSKLUZIVE/ U shpall kampion me Tiranën, mesfushori bardheblu “kunj” Shkëndijës: Të më shohë nga TV

Ennur Totre është ndoshta një bler jet më të rëndësishme të Tiranës. Në sfidën me Vllazninë shënoi golin e dytë të ndeshjes, të dytin rresht në këtë kampionat. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori foli për golin, vlerësimet që ai ka marrë këtë kampionat. Futbollisti pranoi se nuk e priste që me Tiranën të dilte kampion, por sapo pa në stërvitje cilësinë e ekipit, u bind që kjo skuadër mund të bëjë gjëra të mëdha. Totre foli edhe për të kaluarën, duke rrëfyer që tri herë ka luajtur për të shkuar në fazën e grupeve. Në fund, një kunj për Shkëndijën që e burgosi për shumë muaj, derisa u largua nga skuadra.

ENUR TOTRE

Ennur, gol tjetër me Tiranën. Një tjetër gjetje me të parën. Tani jeni kthyer në golashënues?

Më vjen mirë që në dy ndeshje radhazi kam shënuar. Akoma më mirë më vjen që skuadra vazhdon me rezultatet pozitive. Ne i kemi arritur objektivat dhe e kemi mbyllur kampionatin. Ama ekipi vazhdon të ketë grintë dhe motivim. Shpresoj që të vazhdojmë kështu deri në fund të sezonit.

E dini që të gjithë specialistët ju konsiderojnë si një nga lojtarët më të rëndësishëm për këtë titull të Tiranës?

Ta mendosh mirë, te ne nuk ka lojtarë individualë. Ne jemi të gjithë një. Ose më saktë, një për të gjithë dhe të gjithë për një. Këtë e kemi treguar edhe në fushën e lojës. Më vjen mirë që më vlerësojnë. E pranoj se mund të jem një nga lojtarët më të rëndësishëm. E duhura është që ne si lojtarë të tregojmë karakter. Fitojmë bashkë dhe humbasim bashkë.

Ju vendosët këtë verë që të luanit me Tiranën. Mendonit që do të dilnit kampion që në sezonin e parë?

Kur erdha në Tiranë, ishte diçka e re për mua. Nuk e njihja ekipin, djemtë. Nuk e mendoja se do të dilnim kampionë që në fillim. Gjatë përgatitjeve pashë që ekipi kishte shumë cilësi. Më pas ishin ndeshjet që treguan se mund të dilnim kampionë dhe gjithçka u realizua.

Europa është objektivi kryesor i Tiranës. Çfarë pret Totre dhe a mund të kualifikohet në fazën e grupeve?

E dimë shumë mirë që Europa ka ndeshje shumë të vështira, por nëse punojmë shumë, besoj se mund të arrijmë. Ndoshta jo në Champions League, por në grupet e Konferencë Ligës.

Nëse nuk gaboj, ju i keni shkuar afër fazës së grupeve në Europë me Shkëndijën?

Është e vërtetë. Kam luajtur tri herë radhazi në “play off” me Shkëndijën, por nuk e kishim atë fat. Shpresoj që këtë herë me Tiranën të bëhet realitet.

Si ju është dukur Tirana si qytet? Besoj se keni qenë edhe më parë?

Po, kam qenë, por si vizitor. Tani jetoj këtu. E njoh më mirë. Kam dalë dhe më pëlqen shumë. Tifozët janë të mrekullueshëm, na japin motiv shtesë për të luajtur edhe më mirë.

Keni ndonjë fjalë për ata që ndoshta nuk besuan apo ju lanë jashtë skuadre, flas këtu për Shkëndijën?

Shpresoj që t’i shohin ndeshjet. Kaq.

Nëse ju vjen një ofertë siç flitet…?

Do të bisedoj me klubin, presidentin, drejtorin dhe nëse pranojnë, përse jo.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"