EKSKLUZIVE/ U shkarkua nga detyra, shpërthen Memushi: Edhe Zidanin nuk e heqin prej… kostos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2020 | 23:30

EKSKLUZIVE/ U shkarkua nga detyra, shpërthen Memushi: Edhe Zidanin nuk e heqin prej… kostos

Eqerem Memushi e cilëson të padrejtë shkarkimin nga Oriku. Ekskluzivisht për “Panorama Sport”, trajneri flet për të parën herë pas vendimit që u mor nga ana e klubit. Ai kujton se ishte brenda objektivave dhe hapur e thotë se nuk e meritonte largimin.

Memushi

Vlonjati paralajmëron se do t’i drejtohet DHZK-së për të marrë pjesën e mbetur të kontratës, madje u kujton drejtuesve se edhe Reali i Madridit s’po e heq dot Zinedin Zidanin, për të evituar kostot financiare.

“Nuk e di kë quajnë ata mesin e artë?! Unë mendoj se kam dhënë maksimumin tim dhe madje edhe më shumë nga çfarë kanë pretenduar ata. Për çfarë mosarritjeje e kanë fjalën, kur ekipi është në vendin e gjashtë… Unë jam brenda objektivit. Ekipi nuk bie nga kategoria.

Di që kam dhënë maksimumin tim. Kam punuar me mish e me shpirt, por jo kështu! Të prisnin që të mbyllej viti njëherë, sepse unë jam nën kontratë. Nuk e kuptoj fare këtë gjë”, tha fillimisht Memushi, që nuk do ta lërë me kaq. Ai vazhdon se çështjen do ta çojë në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF, pasi është nën kontratë deri në 31 maj.

“Meqë e paska miratuar bordi shkarkimin tim, unë do të vijoj rrugën time. Kontrata më përfundon në 31 maj dhe pres që të më paguajnë. Në të kundërt, do t’i drejtohem pastaj Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF, për të marrë pjesën që më takon. Nuk u kërkoj as më shumë e as më pak nga ajo që më takon, pasi jam familjar dhe mbaj familjen.

Do ta bëj këtë që të mendohen mirë klubet përpara se të marrin vendime dhe të mos i heqin kështu trajnerët. Nuk po i heqin trajnerët ekipet e mëdha në Evropë, si Mançester Siti, Real Madridi dhe kanë humbur jo pak ndeshje. Zidan ka humbur ndeshje dhe nuk e ka hequr njeri. Pse? Sepse ka kosto financiare. Të prisnin të përfundonte sezoni. E bënë kështu. OK, mirë bënë. Tani unë do marr atë që më takon. Uroj që ta gjejnë mesin e artë”, përfundon Memushi.

ERMAL SIKA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"