EKSKLUZIVE/ U provua te Skënderbeu, stërvitet te Kastrioti. Ish-lojtari i Bylisit preferohet nga Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2020 | 12:30

EKSKLUZIVE/ U provua te Skënderbeu, stërvitet te Kastrioti. Ish-lojtari i Bylisit preferohet nga Flamurtari

Flamurtari synon Silvester Shkallën për qendrën e mbrojtjes. “Panorama Sport” mëson se futbollisti kryeqytetas është një nga të piketuarit e stafit teknik të kuqezinjve. Shkalla është një mbrojtës me përvojë dhe Flamurtari e kërkon për të ndërtuar ekipin që do të garantonte rikthimin në Superiore. Në klubin vlonjat nuk japin shumë informacion se në çfarë faze janë bisedimet mes palëve, por e sigurt është që Flamurtari është shumë i interesuar për shërbimet e Silvester Shkallës.
shkalla
KARRIERA – Mbrojtësi 25-vjeçar ka një eksperiencë të konsiderueshme në Superiore. Shkalla e ka nisur karrierën me Shkëndijën e Tiranës dhe si profesionist ka luajtur me Dinamon në sezonin 2014-2015. Më pas ka kaluar te Teuta, ndërsa sezonin e fundit veshi fanellën e Bylisit, gjithmonë në elitën e futbollit shqiptar. Po ashtu, ka qenë edhe pjesë e Kombëtares U-21, ndërsa tani mund të vishet kuqezi. Nuk është e lehtë që Shkalla të luajë në Kategorinë e Parë, por kur bëhet fjalë për një klub si Flamurtari, situata ndryshon. Gjithsesi, ajo që vendos gjithçka në të këtë rast është oferta financiare. Gjatë periudhës së fundit, mbrojtësi u stërvit disa ditë me Skënderbeun, por u largua nga korçarët për t’u bashkuar me Kastriotin, ku vazhdon të stërvitet, por nuk ka firmosur një kontratë.
flamurtari
MERKATO – Jo vetëm Shkalla, Flamurtari është në kërkim të lojtarëve me eksperiencë për të përforcuar grupin, duke nisur që nga porta. Në klubin kuqezi ka një listë me emra, por ata nuk bëhen të ditur, sepse gjithçka është ende në fazën e bisedimeve. Drejtues të klubit konfirmojnë për “Panorama Sport” se kanë nevojë për të paktën 5 afrime cilësore dhe se ndërhyrjet duhen bërë në të gjitha repartet. Qëllimi është që të merren futbollistë që të bëjnë diferencën. Burak Menga, Alvi Ahmetaj dhe Tarik Çmajçanin janë tre lojtarët që duken më afër Flamurtarit në këtë moment. Për të klubi thotë se janë pjesë e kuqezinjve, por fakt është se ata ende nuk kanë firmosur një kontratë që të quhen zyrtarisht “vlonjatë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"